E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ndryshimet në ligjin “Për gjendjen civile”, Balla: Në ndihmë të bashkatdhetarëve jashtë territorit

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Funksionet e gjendjes civile do t’i kenë edhe nëpunësit në konsullorë, me kompetenca të mirëfillta si nëpunësit e gjendjes civile brenda vendit.

Me ndryshimet e fundit në ligjin “Për Gjendjen Civile” synohet të përmirësohen shërbimet publike, për t’i bërë më interaktive në marrëdhënie me qytetarët e biznesin.Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se me ndryshimet në ligjin “Për gjendjen civile”, plotësohet paketa e ndryshimeve që lidhet drejtpërsëdrejti me revolucionin dixhital të shërbimeve që, sipas tij, ka sjellë edhe ndryshim rrënjësor në perceptimin që qytetarët kanë në shërbimin që i përket shërbimeve publike.

Në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohen disa shtesa e ndryshime në ligjin “Për gjendjen civile”, Balla tha se ky ligj është një përmbyllje e disa ndryshimeve që Ministria e Brendshme ka sjellë në Kuvend që lidhet me regjistrin unik të adresave.

Balla u shpreh se “një prej objektivave kryesore të qasjes së qeverisë sonë ka të bëjë me synimin tonë për të përmirësuar shërbimet publike për t’i bërë ato në mënyrë më interaktive në marrëdhënie me qytetarët dhe biznesin”.

“Këto zhvillime kanë përshtatur në aspekte që kanë të bëjnë me vlerën juridike të të dhënave ku përcaktohet se të dhënat e gjendjes civile janë të vlefshme kur lëshohen nga në punë të shërbimit të gjendjes ose edhe me mjete elektronike”, tha Balla.

Sipas tij, i gjithë ky revolucion në shërbimet tona dixhitale shoqërohet sot edhe me përmirësimin e kuadrit ligjor.

“Krahas parashikimeve në legjislicionin për identifikimin e fushës së identifikimit elektronik përmendim këtu edhe vendimin e Këshillit të Ministrave që ka të bëjë me procedurat e ofrimit të shërbimit online nga institucionet shërbim ofruese”, nënvizoi Balla.

Ministri Balla u shpreh se “në shërbim të kësaj reforme me një diapazon më të gjerë në ofrimin e shërbimit publik të gjendjes civile dokumentet kryesore të gjendjes civile dokumentet kryesore të gjendjes civile në plotësim të nevojave administrative të shtetasve vijojnë të ofrohen vetëm elektronikisht”.

“Mënyra e lëshimit elektronikisht të dokumenteve të gjendjes civile do të jetë nëpërmjet një nënshkrimi elektronik sikurse është edhe në rastin e qarkullimit të dokumenteve me nënshkrimin elektronik dhe madje edhe me vulën elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të gjendjes civile përmes portalit unik e-Albania. Ofrimi i këtij shërbimi më fleksibël konsiderohet edhe për pjesën më të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Ky është një ligj që u vjen në ndihmë bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë territorit”, nënvizoi Balla.

Ministri Balla vuri në dukje “kemi marrë parasysh edhe propozime që kanë ardhur nga opozita sikurse e bëjmë gjithmonë nëse ato vijnë në rrugë zyrtare dhe jo duke pushtuar foltoristët, foltoren”.

“Meqënëse jemi në një ditë historike ju ftoj të distancoheni nga ata të cilët pushtojnë me dhunë foltoren dhe djegin goma apo nga ata që janë shpallur ‘non grata’ nga SHBA”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në fjalën e tij në parlament u ndal edhe tek simbolika e ditës së sotme, 80-vjetori i zbarkimit të trupave aleate në Normandi, ku nisi edhe beteja e madhe kundër forcave naziste.

Balla tha se “parlamenti duhet të mbajë një minutë heshtje për dëshmorët e botës së lirë”.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, foto: Florian Abazaj 1 nga 2

/k.s/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›