Ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë, Yzeiraj: Stabiliteti i çmimeve, parim thelbësor

TIRANË, 27 tetor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj prezantoi sot para Komisionit të Ligjeve projektligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili ka si parim thelbësor stabilitetin e çmimeve.
Yzeiraj theksoi se ky është një nga ligjet themelore të shtetit shqiptar. “Është një lloj ‘kushtetute’ e sistemit monetar dhe sistemit financiar të vendit. Ligji është gjithashtu edhe një nga piketat kryesore mbyllëse për kapitullin 17 të politikave monetare. Synojmë që këtë kapitull ta përmbyllim së shpejti me të gjitha detyrimet dhe të gjitha piketat që kemi nga BE”, u shpreh Yzeiraj.
Zv.ministri theksoi se ky ligj synon të përafrojë në mënyrë përfundimtare të gjitha detyrimet që burojnë nga ‘acquis’ e Bashkimit Europian.
“Stabiliteti i çmimeve është një nga elementet kryesore të jetës tonë të përditshme. Ekonomia shqiptare, fatmirësisht, nuk ka patur pas vitit ’97 kriza financiare”, shtoi ai, duke u ndalur te pesë risitë që sjell projektligji.
Yzeiraj theksoi se specifikohet një mandat i qartë dhe i pakontestueshëm në arkitekturën e qëllimeve të Bankës së Shqipërisë, ku stabiliteti i çmimeve është objektivi parësor, nga i cili burojnë të gjithë qëllimet dhe objektivat e tjerë të politikës së Bankës Qendrore.
Po ashtu, Yzeiraj u shpreh se ngrihet një “mur” i fortë mes financimit nga Banka Qendrore ndaj buxhetit të shtetit. “Ky projektligj ndalon në mënyrë eksplicite financimin monetar të qeverisë dhe të institucioneve publike”, bëri të ditur ai.
Yzeiraj theksoi se për herë të parë krijohen komiteti monetar, komiteti i stabilitetit financiar dhe komiteti i auditit.
“Po ashtu ngrihet niveli i kapitalit të Bankës Qendrore nga 2.5 në 6 miliardë lekë duke krijuar kështu një institucion më të fortë nga ana financiare”, shtoi Yzeiraj.
Stabiliteti i çmimeve, sipas tij, ka qenë një nga objektivat dhe një nga arritjet kryesore të ligjit të mëparshëm të Bankës së Shqipërisë dhe një nga sukseset e të gjithë hierarkisë legjislative dhe financiare të vendit
“Por sot edhe në kuadër të procesit të integrimit kemi nevojë të shohim përtej, kemi nevojë të përditësojmë dhe të përmirësojmë një nga ligjet thelbësore të vendit. Gjykojmë që nëpërmjet transpozimit të plotë të detyrimeve që nuk burojnë thjesht nga direktivat, por nga traktati i vetë Bashkimit Europian, nëpërmjet këtij ligji i kemi arritur këto qëllime”, u shpreh ai. /j.p/r.e/