Ndryshon kodi i punës, burrat 4 muaj leje lindje
Për herë të parë kodi i ri i punës, vendos sanksione për ngacmimet seksuale në punë
Shtohen edhe orët e punës javore, nga 40 orë, në 48 orë punë në një javë
Me kodin e ri të punës shqiptarët do të punojnë disa orë më shumë. Kështu nga 40 orë në javë që përcaktonte kodi i vjetër, kodi i ri parashikon rritjen e orëve të punës në 48 orë në javë. Kodi gjithashtu rrit nga 14 në 15 vjeç moshën për të filluar punën. Ndryshimet u prezantuan në Këshillin Kombëtar të Punës, nga vetë ministri Spiro Ksera, i cili renditi disa nga ndryshimet më thelbësore të këtij kodi.
Leja e lindjes
Midis risive kodi përcakton se tashmë edhe burrat do të mund të përfitojnë 4 muaj leje (lindje) për tu përkujdesur për nevojat e fëmijës brenda 6 viteve të parë të jetës së tij, ndërkohë që për gratë nga 42 ditë, leja e paslindjes me rrogë të plotë rritet në 63 ditë. Kodin e ri i Punës është përmirësuar thuajse në gjysmën e neneve të tij, ndërsa parashikon për herë të parë edhe njohjen dhe pagimin e punës në shtëpi apo telepunës.
Telepuna
“Kemi arritur që të kemi ndryshime në 90 nene të këtij kodi, risi kryesore e kodit të punës është fakti që në Shqipëri me kod pune futet telepuna. Për herë të parë diskriminimit në punë, ngacmimit seksual i jepet një rëndësi tepër e veçantë dhe ky kod i jep mbrojtje punëmarrësve. Koha maksimale javore e punës të mos jetë më shumë se 48 orë, dhe orët shtesë në vit të mos jenë më shumë se 200 orë”, tha dje ministri Spiro Ksera, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Punës.
Apel opozitës
Kodi i Punës nuk ka pësuar asnjë ndryshim që nga viti 2008 dhe kjo është e treta herë që rishikohet që nga hartimi i tij. Miratimi i tij kërkon votim me tre të pestat e votave të deputetëve në Parlament, ndaj dhe ministri Ksera i kërkoi opozitës që ta votojë këtë Kod, dhe ta marrë në konsideratë njëlloj si dhe tre ligjet e tjera, kusht për marrjen e plotë të statusit, dhe që pritet të votohen para muajit dhjetor.