Në 1993 SHIK-u i Gazidedes mori dosjet e spiunëve

Numri “1” i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, tregon për “Korrierin” gjithçka që lidhet me çështjen e dosjeve apo bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. “Gati e gjithë Byroja Politike ka qenë me probleme dosjesh. Për ironi të fatit, ministrat e fundit të diktaturës komuniste të këtij problemi ishin të gjithë me dosje. I vetmi “privilegj” i tyre, ishte se u digjej dosja dhe nuk linin “gjurmën e mëkatit” me materiale”, - thotë ai. Dervishi shton se, të gjitha shtresat ishin të përfshira në bashkëpunimin me ish-Sigurimin e Shtetit. Dervishi pranon se në institucionin që ai drejton ka dosje dhe materiale të tjera provuese të veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit, por se informacioni në lidhje me to u jepet vetëm instancave eprore. Dervishi, që është edhe autori i një studimi voluminoz në proces mbi Sigurimin e Shtetit, tregon disa nga të fshehtat e kësaj arme të diktaturës komuniste. Ai thotë se ekskluziviteti i arkivit i përkiste pikërisht atij të Ministrisë së Brendshme, por në 1993, me shkelje ligjore, fondi i Sigurimit të Shtetit, kaloi për administrim në SHIK që drejtohej nga Bashkim Gazidede dhe aty gjendet edhe sot. Dervishi sqaron se veç dosjeve, SHISH-i disponon edhe regjistrin themeltar të bashkëpunëtorëve, që përmban gjeneralitetet e bashkëpunëtorit, kohën e rekrutimit, pozicionin (informator, agjent, rezident, strehues), si dhe pseudonimin. Një pjesë e këtij regjistri është fshirë, ndërsa siç thotë Dervishi, problematike ka qenë ekzistenca ose jo e regjistrit të bashkëpunëtorëve të fjetur. Një tjetër hapësirë “e errët” mbetet agjentura në veprim. Sipas Dervishit, në arkiva kanë hyrë vetëm dosjet që kanë përbërë trashëgimi historike apo që kanë pasur raste të tjera, si ato kur bashkëpunëtori ka vdekur, ka dalë nga rrjeti agjenturor-operativ etj. Kreu i arkivit që është autor edhe i librit “Shërbimi Sekret Shqiptar 1922-1944”, shton se në ‘90-ën i gjithë dokumentacioni i agjenturës në veprim ishte pranë degëve të punëve të brendshme në rrethe e nëse bëjmë fjalë për zhdukje dosjesh, në radhë të parë duhet kërkuar përgjegjësia e kryetarëve të këtyre degëve, si dhe të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në qendër.
Citim
“Në vitin 1990, në prag të rënies së regjimit komunist, i gjithë dokumentacioni i agjenturës në veprim ishte pranë degëve të punëve të brendshme në rrethe dhe sipas natyrës në qendër të sigurimit (në degët përkatëse), pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nëse bëjmë fjalë për zhdukje dosjesh, në radhë të parë duhet kërkuar përgjegjësia e kryetarëve të degëve të punëve të brendshme në rrethe, e pastaj përgjegjësia e kryetarëve të degëve të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në qendër”.
-A ka dosje në Arkivin e Ministrisë së Brendshme?
Kastriot Dervishi: “Sigurisht që ka dosje apo materiale të tjera provuese të veprimtarisë së sigurimit komunist. Informacioni në lidhje me to u jepet vetëm instancave eprore ku ata i kërkojnë. Për aq sa mund të them në këtë komunikim, është domosdoshme të sqaroj se ka qenë ekskluziviteti i këtij arkivi të administronte gjithë dokumentacioni e Sigurimit të Shtetit, si e drejtë që buronte nga neni 15 i ligjit nr. 7726, datë 29 qershor 1993, “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat. Për fat të keq, kjo pikë u shkel dhe fondi i Sigurimit të Shtetit sot administrohet nga dy arkiva, i MB-së dhe i SHISH-it. Në pjesën më të madhe, fondi në fjalë ka vetëm vlerë historike dhe në një pjesë të caktuar mbart ende vlera operative”.
-Po i ashtuquajturi regjistër themeltar i bashkëpunëtorëve, çfarë përmban?
“Regjistri themeltar i informatorëve është tërhequr nga SHISH-i në vitin 1993 dhe ndodhet në arkivin e këtij institucioni. Ai përmban gjeneralitetet e bashkëpunëtorit, kohën e rekrutimit, pozicionin (informator, agjent, rezident, strehues), si dhe pseudonimin. Në një pjesë të tij ky regjistër është cenuar, disa emra janë fshirë. Në këtë regjistër janë të barabartë të gjithë, si ai që ka bërë dëm, ashtu edhe ai bashkëpunëtor që ka vetëm emrin dhe nuk ka bërë asgjë. Ndërsa problematik ka qenë ekzistenca ose jo e regjistrit të bashkëpunëtorëve të fjetur”.
-Ku është sekreti i dosjeve dhe sa është përgjegjshmëria e arkivave.
“Në fakt, më tepër se çdo gjë, dosjet kanë qenë problem i institucioneve të tjera, sesa i arkivave. Në arkiva hyn (dhe me kalimin e kohës kryhej mikrofilmimi) ajo dosje që nuk është në veprim, pra me aktivitet të mbyllur. Në rastin konkret, në arkiva kanë hyrë vetëm dosjet që kanë përbërë trashëgimi historike, apo që kanë pasur raste të tjera, si ato kur bashkëpunëtori ka vdekur, ka dalë nga rrjeti agjenturor- operativ etj. Ajo që kërkon diskutim në këtë çështje, është agjentura në veprim. Në vitin 1990, në prag të rënies së regjimit komunist, i gjithë dokumentacioni i agjenturës në veprim ishte pranë deg&e