E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur pi Ardi Asllani...

Nëse bëhet fjalë për të kthyer ndonjë gotë, Ardi Asllani nuk është se ka ndonjë kundërshtim, sidomos kur është i ftuar nëpër ngjarje të ndryshme artistike. Mes kolegëve e miqve të vjetër, stilisti nuk ka hezituar që të kthejë ndonjë gotë me verë, ndërsa ka shkëmbyer biseda të ndryshme me ata që e rrethonin. Por nuk është vetëm dëfrimi aspekti primar në jetën e stilistit të njohur, pasi mësohet se ai po punon për një sfilatë të tijën, ku përmes disa modeleve të njohura do të prezantojë veshje të një koleksioni të ri. Kohët e fundit nuk është se Ardi ka qenë shumë aktiv në fushën e stilimit, përveç veshjeve të disa shfaqjeve të prezantuara në Teatrin e Operës dhe Baletit. Me siguri, sfilata e ardhshme që do të mbajë emrin e tij do të jetë diçka e bukur, ndërsa neve na mbetet vetëm të presim.

Jonida Maliqi

Me look të ri!

Ngjyra e lëkurës së trupit të saj të kujton menjëherë disa ditë plazhi të kaluara në vende tropikale. Përpos kësaj, ajo shquhet për maninë e të ndryshuarit pamje sa herë që ajo dëshiron një look të ri. Këngëtarja simpatike Jonida Maliqi duket se ka thyer heshtjen që pas ceremonisë martesore, duke u shfaqur këto kohë nëpër evenimente të ndryshme, ku një i tillë ishte edhe promovimi i këngës e videoklipit më të fundit të Soni Malajt, ku Jonida u prezantua me një frizurë të ndryshuar: flokë të prera shkurt dhe në ngjyrë lajthi, krejt e kundërta e të kuqes së theksuar që ajo kishte preferuar edhe gjatë martesës. Jo vetëm look-u i ri, por edhe veshja casual që këngëtarja kishte zgjedhur, ishin një përshtatje ideale me stilin e Jonidës, që gjithnjë të lë gojëhapur me shijet e saj.

Gerti dhe Enada

Të pandashëm!

Çifti i njohur i balerinëve, Enada Hoxha dhe Gerti Vaso, asnjëherë nuk mungojnë në vendet ku ata janë të ftuar. Me veshje tepër elegante dhe një stil për t’u admiruar, ata të dy nuk kanë munguar as gjatë një mbrëmjeje të organizuar ditën e djeshme. Me siguri kanë menduar që t’i shmangen përditshmërisë, për të kaluar disa orë në një ambient ndryshe, të mbushur me personalitete të skenave shqiptare. Sigurisht që këtë vendim e kanë marrë, pasi kanë siguruar djalin e tyre të vogël, Roanin, që kohët e fundit kanë nisur ta marrin me vete nëpër festa të ndryshme. Por ora e vonë e evenimentit të mbrëmshëm nuk u ka lënë mundësi zgjedhjeje dy prindërve të rinj, pasi Roani në orën 22:00 të mbrëmjes duhet të jetë medoemos në gjumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›