“Në 5 vjet, do realizohen 220 milionë euro investime shtesë për rivitalizimin e kompanisë”

Privatizimi i “Albpetrol” - prezantohet kompania fituese, “Vetro Energy”
Drejtuesit e “Vetro Energy”, kompania që fitoi tenderin për privatizimin e “Albpetrol” me ofertë financiare 850 milionë euro, bënë dje prezantimin zyrtar para opinionit publik. Gjatë një konferencë për shtyp, drejtuesit e kompanisë kanë premtuar investime strategjike në Shqipëri që do të zgjerojnë sektorin, duke e bërë vendin tonë qendrën e energjisë në rajon. Matheë Roszak, drejtuesi i konsorciumit “Vetro energy”, theksoi se synimi i kompanisë është që të shtohet aktivitetit i “Albpetrolit”, duke u shprehur qartë se nuk do të ketë shkurtime në punonjës.
Aksioneri shqiptar i konsorciumit, Rezart Taçi theksoi se në 5 vite do të investohen tek “Albpetrol” 220 milionë euro. Sipas zotit Taçi, pagesa prej 850 milionë euro do të bëhet pas disa fazave dhe do të jetë në 1 këst të vetëm. Konsorciumi Vetro Energy është i përbërë nga dy kompani, Silkroad Equity me 49 për qind të aksioneve dhe Ypo Holdings me 51 për qind të aksioneve. Drejtuesit e kompanisë premtuan shumëfishimin e investimeve në Shqipëri, po pa lënë mënjanë çështjet mjedisore.
“Ne jemi të orientuar drejt rritjes dhe zhvillimit. Ne duam të përmirësojmë shkallën e operimit dhe të trajtojmë çdo çështje mjedisore që mund të ekzistojë” deklaruan drejtuesit e kompanisë “Vetro Energy”. Matheë Roszak, drejtuesi i konsorciumit ‘Vetro Energy” theksoi punën e tij si sipërmarrës për 16 vite. “Vetro energy”, ka fituar tenderin për privatizimin e Albpetrol, paraqitëm një ofertë impresionuese dhe premtojmë se do të punojmë shumë për të rritur potencialin e Albpetrol”, tha Roszak. “Ne jemi të orientuar drejt rritjes dhe zhvillimit. Ne duam të përmirësojmë shkallën e operimit dhe të trajtojmë çdo çështje mjedisore që mund të ekzistojë”- tha ai. Gjithashtu ai tha se prodhimi i naftës ë Shqipëri do kryhet me teknologji moderne dhe theksoi se do të eksplorohen fusha të reja, ndërsa shtoi se do të trajnohen punëmarrësit shqiptarë.
Roszak vuri në dukje se, iniciativa e “Vetro” për të marrë pjesë në tenderin e “Albpetrol” mori shkas nga disa pika, siç ishin, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, vend që aspiron për në Bashkimin Evropian. “Vetro Energy” është një kompani operuese dhe menaxhimi me qendër në Singapor dhe Hjuston të Teksasit, SHBA, që ka për objektiv investimet në industrinë e nxjerrjes së naftës dhe gazit në mbarë botën. Drejtuesit e “Vetro Energy” kanë përvojë në këtë fushë në çdo kontinent të botës që prodhon naftë dhe gaz”.
Berisha firmos vendimin për shpalljen e fituesit të tenderit/Kryeministri Sali Berisha firmosi dje vendimin për “Miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit të tenderit për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol”, Sha, Patos”, duke shpallur kandidatin “Vetro Energy PTE. Ltd, fitues të procedurës së tenderit.
Ky vendim përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm në thellimin e mëtejshëm të reformave ekonomike nga kjo qeveri, e cila ka si përcaktim kryesor të politikave ekonomike, privatizimin.
Shqipëria është vend i privatizimeve të mëdha dhe ajo disponon aktualisht fushën më të madhe të naftës në Evropë. Si e tillë, është në interesin më të mirë të vendit menaxhimi sa më eficent i burimeve ekzistuese në fushën e hidrokarbureve, por edhe i kërkimit të burimeve te reja. Privatizimi në fjalë synon para së gjithash dhe mbi të gjitha, rritjen e eficencës eksploruese të vendit, duke e koncesionuar këtë në një kompani private. Në të gjithë këtë proces qeveria ka si qëllim madhor të saj, shfrytëzimin sa më eficent të potencialeve të vendit, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që pasuritë e fjetura të nëntokës të shndërrohen në vlera monetare dhe punësimi për qytetarët shqiptarë.