E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në ABC presin përgjigje pozitive nga Angelina Jolie

Filmi “Take me home tonight”, me regji të Michael Dowse nga sonte do të fillojë të shfaqet në Kinemanë ABC dhe është një dramë romancë me një ngjarje mjaft interesante, ku personazhe kryesore janë Meti me vëllanë dhe motrën e vet, të cilët harrojnë moshën e pjekurisë dhe ndryshojnë kahen e jetës së tyre.

Menaxhmenti i kinemasë ABC, ka shfaqur për media komedinë premier “Take me home tonight”, me situata e ngjarje mjaft sinjifikante.

Menaxherja e kinemasë ABC, Miradije Vllahiu ka deklaruar se edhe për këtë film pret interesim të shikuesve, të cilët, s’i kanë munguar asnjëherë kinemasë.

“Është kjo një dramë romancë me një ngjarje mjaft interesante sikurse gjithë filmat që përmbajnë në vete një tematikë, që vlejnë të shikohen. Këto janë premiera që në vazhdimësi Kinemaja ABC shfaq në repertorin e saj “, ka thënë Vllahiu.

Filmi më i shikuar në kinemanë ABC, brenda dymbëdhjetë viteve të funksionimit të saj, sipas Vllahiut, mbetet filmi 2012, megjithatë mbetet të shihet se a do të thyejnë rekordin filmat e tjerë që pritet të jenë premierë gjatë këtij viti.

“Filmi 2012 mbetet me shikueshmërinë më të madhe për këto dymbëdhjetë vjet të punës së kinemasë, mirëpo ne kemi shumë shpejt në repertor edhe filmin e regjisores Angelina Jolie. Do të kemi edhe filma të tjerë të cilët janë premiera botërore”, ka thënë ajo.

Vllahiu është shprehur se shpresonte se Angelina Jolie do t’i përgjigjet ftesës së presidentes për ta vizituar Kosovën në mënyrë që të jetë prezente edhe në premierën e filmit të saj, i cili pritet që gjatë këtij muaji të shfaqet në Kinemanë ABC.

“Ne shpresojmë që atë ta kemi edhe në premierën e saj që është parashikuar apo edhe në ndonjë kohë tjetër, me ftesë të presidencës, mirëpo kurdo që të jetë do të jetë një hap shumë i mirë për Kosovën, për kinematografinë dhe për kulturën në përgjithësi në Kosovë. Përveç asaj, ne shpresojmë që në premierë t’i kemi edhe aktorët që kanë rolin kryesor që janë nga Bosnja dhe Kroacia, të cilëve do t’u bëhet ftesë nga kinemaja ABC”, ka thënë Vllahiu.

Ndryshe, filmi “Take me home tonight”, do të shfaqet deri më datë 15 të këtij muaji në disa termine të përcaktuara për shfaqjen e tij.

Në film luajnë: Topher Grace, Anna Faris, Dan Fogler, Teresa Palmer, Chris Pratt dhe personazh i filmit është Met Frenklini, i cili mbaron fakultetin dhe ka mundësi të fillojë një punë të mirë dhe me perspektivë por në vend të kësaj, për habinë e familjes dhe miqve, ai merr një punë në një dyqan videosh. Aventura dhe rebelimi i Metit kundër pjekurisë, mbaron kur në dyqan hyn bukuroshja Tori Frederking. Me ne fund, Meti kujton që e ka gjetur dashurinë e ëndrrave të tij. Me çapkënllëqe të ndryshme me motrën dhe vëllanë e tij, Meti ndryshon kahen e jetës së vetë.

(Kosovapress)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›