Në BE, pa Kosovën

Për herë të parë, një zyrtar i Beogradit ka deklaruar se Serbia do të hyjë në Bashkimin Europian pa Kosovën, sepse nuk e kontrollon territorin e saj.
Oliver Ivanovic, sekretar shteti në Ministrinë serbe për Kosovën, ka thënë se politikanët serbë duhet t'ua bëjnë me dije popullit se Serbia është e gatshme që pa Kosovën të hyjë në Bashkimin Europian.
“Serbia as sot nuk e kontrollon territorin e Kosovës. Kështu do të jetë derisa Serbia të bëhet anëtare e BE’së dhe të krijohet një ambient tjetër politik dhe ekonomik që do të mundësonte një marrëveshje historike mes dy palëve”, ka thënë Ivanovic, për të përditshmen e Novi Sadit “Dnevnik”.
Ai ka theksuar se qytetarëve u duhet thënë haptazi se nuk do të ndodhë hyrja e Serbisë në BE me Kosovën si krahinë jugore serbe. “Në fakt, ne në vitin 2003, kur Vojislav Kostunica ishte kryeministër, kemi pranuar parimin e binarëve të dyfishtë”, ka thënë ai, duke sqaruar se Kosova ka proces të ndarë integrimi nga Serbia. “Dhe kjo është plotësisht racionale, duke marrë parasysh faktin se është interes i secilit nga shtetasit tanë, që pa marrë parasysh se ku jeton, Serbia të përparojë e jo të mbetet e ngujuar”.
Ai ka një qëndrim ndryshe nga zyrtarët e Beogradit, të cilët refuzojnë të paraqiten në takimet ndërkombëtare ku janë prezentë edhe përfaqësuesit e Kosovës. Ivanovic thotë se angazhohet për gjetjen e formulës për t'u prezantuar në takime ku marrin pjesë dhe zyrtarët e Kosovës, por jo që kjo të interpretohet si njohje indirekte e pavarësisë.
Sipas tij, vetëm një Serbi e fortë ekonomikisht ka kapacitet dhe mundësi të ruajë integritetin territorial. “Shikuar objektivisht, Serbia as për së afërmi nuk është shtet i fuqishëm. Për fat të mirë, potenciali njerëzor dhe ekonomik si dhe pozita gjeografike na japin të drejtë të jemi optimistë, por është e qartë se këtë potencial mund ta shfrytëzojmë në tërësi vetëm pas hyrjes në BE”, ka thënë Ivanovic.
Ai ka vlerësuar se nismat e disa përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe aspiratat e shqiptarëve për të integruar veriun e Kosovës në shtetin e pavarur, është maskim i problemeve serioze që ekzistojnë në Kosovë.
Ivanovic thotë se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që i përkrahin shqiptarët në këtë proces kanë probleme. “Zyra Civile Ndërkombëtare thjesht nuk e di se çfarë funksioni ka dhe ka konfuzion, sepse Pieter Feith në një moment përfaqëson Komisionin Europian, kurse në momentin tjetër, Grupin Mbikëqyrës Ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, qëndrimi neutral i BE’së është vënë në pikëpyetje”, ka thënë ai.
Zyrtari serb ka pohuar se nuk do të ketë përdorim të forcës me rastin e përpjekjeve për integrimin e Veriut në Kosovë. “Veriu nuk është dhe nuk do të jetë pjesë përbërëse e Republikës së pavarur të Kosovës, së paku jo në aspektin organizativ dhe kjo nuk mund të krahasohet me situatën në Graçanicë ose Shtërpcë”, ka thënë Ivanovic.