E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth RTK-së, të ndarë

Menjëherë pas miratimit të buxhetit të përhoshëm për Radio-Televizionin e Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, kanë ardhur edhe reagimet e para. Disa e kritikojnë këtë vendim, e disa të tjerë besojnë se kjo është diçka e përkohshme.

Asociacioni i gazetarëve profesionistë të Kosovës ka shprehur shqetësime për mënyrën e financimit të RTK-së. Sipas këtij asociacioni, futja e RTK-së nën buxhetin e shtetit, pavarësisht që është e përkohshme, është e rrezikshme për pavarësinë editoriale të mediumit publik.

Në një komunikatë për media, AGPK-ja thuhet se në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës është vërejtur se ekziston një konsensus i të gjitha partive politike për ta shndërruar mediumin e vetëm publik në medium shtetëror.

“Në vend se ta bënin këtë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mundur ta amandamentojnë Ligjin për RTK-në dhe me ligj të rregullojnë mënyrën e përhershme të financimit nëpërmjet parapagimit”, thuhet në komunikatë.

AGPK-ja po ashtu përkujton se ka bërë presion të vazhdueshëm tash e më shumë se një vit që RTK-ja nuk bën të financohet në asnjë mënyrë nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, reagime ka pasur KMDLNJ-ja. Në reagimin e tyre thuhet se përkrahin vendimin e Kuvendit të Kosovës që Radio- Televizioni i vetëm publik, të mbështetet materialisht, por vetëm për një kohë të caktuar, derisa të gjendet një mënyrë alternative e financimit.

Sipas tyre, nëse RTK-ja nuk mund të konsolidohet financiarisht dhe nëse edhe më tutje do të financohej nga buxheti i Kosovës, atëherë duhet të ndryshojë statusin, nga ai publik në atë shtetëror.

Por, më të ashpër KMDLNj-ja ishte ndaj Piter Fethit, duke kundërshtuar ndërhyrjen e tij, pas zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Sylejman Shaqiri.

“Nëse Bordi i RTK-së, i cili, duke përjashtuar disa raste, është krejtësisht joprofesional dhe i emëruar nga strukturat politike, e përfill “rekomandimin” e Piter Fethit dhe e shkarkon Shaqirin, atëherë edhe ky bord duhet të largohet, së bashku me drejtorin e përgjithshëm. Nëse Fethit nuk i pëlqen Shaqiri, le të propozojë një kandidat të vetin, Kermabon, p.sh, dhe KMDLNj-ja do ta përkrahë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Ishte pikërisht Piter Feit, i cili po ashtu ka mbështetur vendimin e Kuvendit për financim të përkohshëm të RTK-së nga buxheti, por duke kërkuar nga Kuvendi, Bordi i RTK-së dhe drejtori i ri që të dëshmojnë përkushtimin për pavarësinë editoriale dhe financiare.

"Unë e mbështes plotësisht këtë vendim dhe jam i kënaqur që Qeveria do ta zbatojë atë. Auditimi i RTK-së, i sugjeruar nga Kuvendi, do të ishte një veprim i rëndësishëm komplementar që do ta fuqizonte përgjegjshmërinë e RTK-së", ka shtuar Feit.

Ai po ashtu ka theksuar se tash është detyrë e RTK-së që t’i shfrytëzojë me mençuri javët në vijim dhe të formësojë një strategji financiare afatgjate. "Kuvendi me të drejtë këmbëngul në këtë. Duhet të ketë parashikueshmëri dhe stabilitet në financat e transmetuesit publik, ashtu që ai të mund të vazhdojë me punën e vet kryesore –t’i ofrojë publikut program informativ, argëtues dhe të cilësisë së lartë", ka theksuar ai.

Sipas tij, të gjithë i kanë sytë te Bordi i RTK-së dhe të drejtori i ri i përgjithshëm që brenda tre muajve të ardhshëm të zhvillohen planet dhe të merren masat e nevojshme për të siguruar qëndrueshmëri financiare afatgjate dhe program të pavarur të RTK-së.

“Nëse ata punojnë drejt këtij qëllimi me energji dhe vendosmëri, mund të llogarisin në këshillat dhe mbështetjen ndërkombëtare", ka shtuar ai.

Edhe Bordi i Drejtorëve i Radiotelevizionit të Kosovës e mirëpret vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndarjen e një ndihme emergjente financiare prej rreth 5.3 milionë eurosh për RTK-në për periudhën gjashtëmuajshe, 1 janar 2010 - 30 qershor 2010.

“Në asnjë mënyrë kjo ndërhyrje financiare nuk duhet të kuptohet si ndryshim i statusit të RTK-së, që mbetet transmetues publik, por ky infuzion financiar e ndihmon RTK-në që ta përqendrojë vëmendjen në gjetjen e formulës për financim afatgjatë, pa shpenzuar energji për probleme elementare financiare”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas këtij bordi, kjo zgjidhje emergjente do të mundësojë vazhdimin e funksionimit normal të transmetuesit të vetëm publik në vend.

“Bordi i Drejtorëve i RTK-së zotohet publikisht për ushtrimin e mandatit që i ka dhënë Kuvendi i Kosovës dhe shpreh vendosmërinë për përmbushjen e detyrave të përcaktuara sipas Ligjit për RTK-në”, thuhet në këtë komunikatë.

Kërkesat e Bordit të RTK-së

- Kërkohet nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, z. Sylejman Shaqiri monitorim rigoroz të shpenzimit të ndihmës emergjente financiare;
- Thirrjen e një auditimi të përgjithshëm në RTK;
- Angazhim serioz, bashkë me Bordin dhe faktorë të tjerë relevantë, për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme financiare për RTK-në;
- Demonstrim të dukshëm të pavarësisë editoriale dhe paanshmërisë politike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›