E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Boston, mes historisë, artit dhe kulturës

Kur shkel në një vend të huaj, të parën gjë që kërkon të bësh, sigurisht pasi ke parë dhe je njohur me mjediset rreth vendit ku ke zënë vend, është të shohësh qendrën historike të qytetit, apo më saktë, një nga qendrat e rëndësishme për të cilat ti ke dëgjuar më shumë. Kështu bëra edhe unë me Shpresën, Emirën dhe Sokolin më 28 dhjetor 2008. Pasi i zbritëm trenit në North Station, ashtu si na kishin orientuar, pamë afishen e stërmadhe të "Celtcs", skuadrës së famshme të basketbollit në Boston, ku luajnë Garnet, Ray Allen, Pierce, Rondo etj., dhe u nisëm për në stacionin e metrosë. Hipëm në linjën jeshile dhe zbritëm në stacionin Alington. Ngjitëm shkallët për të dalë jashtë atë ditë dimri të ftohtë, por me diell, kuriozë për atë që do të shihnim. Dalim në "Copley Square" (sheshi "Koplej") të habitur nga hapësira dhe ndërtimet gjigante që kornizonin piacën, kishën e bukur dhe bibliotekën në ballë.

Sheshi "Koplej"

Shesh madhështor me emrin e një piktori, shtatorja prej bronzi e të cilit qëndronte mbi një piedestal të ulët mes kalimtarëve. Kurrë nuk kisha pasur befasi të tillë. Sheshet qendrore zakonisht mbajnë emra presidentësh, mbretërish, gjeneralësh apo politikanësh të shquar kombëtarë. Shesh kryesor me emër piktori s‘kam parë dhe dëgjuar deri më sot. Sheshi "Koplej" ishte një surprizë për ne. Habitesha se si një piktor në Amerikë paskësh mundur të "spostojë" nga sheshe si ky i Bostonit, figurat mbi kalë, skulpturat me shpatë dhe dyfek, simbolikat pompoze dhe të zhurmshme. Shtatorja e piktorit Koplej (1738-1815) në madhësi gati natyrale, ishte ngritur mbi një piedestal një metër të lartë, ku shkruhej: "Boston and London American Portrait Painter. Member Royal Academy of Art". Ai qëndronte natyrshëm mes njerëzve, në krah të tyre. Figura me penelin në dorën e djathtë dhe palitrën shtrënguar në dorën tjetër, me shikimin përpara, realizuar sipas mënyrës klasike, zbulonte karakterin dhe tiparet e këtij artisti të madh amerikan, që eklipsoi të gjithë rivalët e tij me teknikën brilante, duke bërë portretet e amerikanëve të pasur dhe ambiciozë, ashtu si ata donin ta shihnin veten, ashtu si ata visheshin dhe pozonin. Portretisti i shquar anglez, Reynolds, e pati vlerësuar shumë pikturën e tij si "një shfaqje shumë të bukur", prandaj e kishte thirrur atë që të vinte në Angli përpara se mënyrat dhe shijet e tij të "ngrinin" në Bostonin e largët e me rrugë ende të vogla. Në vitin 1774, Koplej lë Amerikën dhe fillon karrierën 40-vjeçare në Londër. Ai ëndërronte të punonte në Anglinë më kozmopolite, mes artistëve dhe ambienteve artistike më të emancipuara, të pikturonte subjekte nga mitologjia dhe ngjarje historike që tradicionalisht konsideroheshin si apogje të arritjeve artistike. Në Muzeun e Artit në Boston, në sallën "Koplej", qëndronin disa punime të tij brilante për sa i takon mjeshtërisë artistike në gdhendjen e portreteve e ku shquhej veçanërisht një nga ikonat e portretit amerikan - "Portreti i Paul Revere", 1768, njeri i shquar, bostonian, aktiv në aferat publike, patriot dhe njëkohësisht argjendar i spikatur. Skulptori që realizoi shtatoren e Koplejit është skulptori Cyrius Dallin, gjithashtu edhe autor i shtatores mbi kalë të Paul Revere, vendosur në Kishën e Vjetër të Veriut. Por, në qoftë se në ekuestër Revere paraqitet si kalorës trim në udhëtimin e tij heroik për në Lexington në vitin 1770, Koplej e portretizon atë si një zejtar, gdhendës enësh të argjendta, me vegla të punës përpara, veshur me këmishë të bardhë qafëshkopsitur, duke soditur vizatimin e një ibriku çaji që kërkon të gdhendë. Për Koplejin, Revere argjendar nuk ishte më pak se hero mbi kalë, mbasi të gdhendje "Kupën e djemve të lirisë" në argjend (1768), që mbahet si simbol i përpjekjeve të amerikanëve për indipendencë, porosi e 15 anëtarëve të një organizate revolucionare sekrete, së cilës i përkiste edhe Paul Revere, ishte gjithashtu një akt heroik, por edhe artistik njëherësh. "Kupa e Lirisë", "Deklarata e Pavarësisë" dhe "Kushtetuta" janë quajtur në Amerikë 3 thesaret më të çmuara kombëtare, historike.

Por ne, duke ecur, lëmë mënjanë shtatoren e Koplejit dhe "Trinity Church" me monumentin e predikuesit të saj të shquar Phillips Brooks dhe i drejtohemi Bibliotekës Kombëtare ("Boston Public Library"), që është një ndër tre bibliotekat më të mëdha të Amerikës, pas asaj të Kongresit Amerikan dhe të Universitetit të Harvardit, me 15 milionë volume, themeluar në vitin 1895, e ndërtuar në stilin rilindës.

Unë nuk po ndalem të tregoj për skulpturat simbolike në hyrje kushtuar artit dhe shkencës, vepra të skulptorit Bela Lyon Pratt (1867-1917), nxënës i Chapan dhe Alex Falguiere në "Ecole des Beaux - Arts" në Paris. Nuk po qëndroj as tek afresket (kanavacë ngjitur në mur) të simbolistit dhe romantikut francez Puvis de Chavannes, mik i Delakruasë dhe Couture që influencoi te Gogeni dhe "Nabisgruppens", shok i Bodlerit, Gautiesë, president i Shoqatës Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris. Nuk po përshkruaj hollësisht vlerat e afreskeve të piktorit amerikan Edvin Austin Abbey (1852-1911), 15 panele murale për sallën ku jepeshin më parë librat në këtë bibliotekë, një nga piktorët zyrtarë në Pallatin Mbretëror të Buckingham Palace, anëtar i Akademisë Mbretërore, i shquar në ilustrimin e veprave të Shekspirit etj. Shkarazi i kaluam një figure-nudo, "Valltareje" gdhendur në mermer nga Frederic William Macmonnies dhe shumë veprave të tjera, buste dhe tablo, pasi shpejtonim për të parë galerinë "Sarzhent" dhe kuriozitete të tjera të kësaj biblioteke-muze arti. Kisha lexuar se në Bibliotekën e Bostonit ishte një nga të parat tablo me temë aktuale, një tablo historike që e bëri Koplejin të famshëm. Desha ta shoh. Nga statuja e tij në shesh, në kompozimin e tij figural në bibliotekë. Përsëri Koplej.

Koplej është ndër piktorët e parë që trajtoi me kurajë dhe profesionalizëm temën aktuale. Ai pikturoi një episod të rëndësishëm nga historia më e re, konfliktin midis mbretit dhe përfaqësuesve të popullit në tablonë "Mbreti Çarls I kërkon dorëzimin e pesë anëtarëve të akuzuar të Parlamentit". Në të kaluarën dihet që tematika e pikturave ka qenë kryesisht me subjekte fetare, ilustrime të Biblës, gojëdhëna shenjtorësh, nga mitologjia e lashtë greke, histori dashurish, apo grindje të perëndive, tregime heroike romake, apo subjekte të ndryshme alegorike. Braktisja e kësaj tradite të artit europian, - sikundër e shpjegon dhe analizon E.H.Gombrich, - u krye pjesërisht prej disa artistëve të ardhur në Europë nga përtej Oqeani, nga amerikanë që punonin në Angli, pasi ata e ndjenin veten më pak të lidhur me zakonet e shenjtëruara të botës së vjetër dhe më shumë të prirur për eksperimente të reja. Amerikani Koplej është shembulli tipik i këtij grupi artistësh. Tabloja e tij për librarinë publike të Bostonit, "Mbreti Çarls I kërkon dorëzimin e pesë anëtarëve të akuzuar të Parlamentit" në dimensione të mëdha, ishte një vepër që pati bërë shumë përshtypje kur u ekspozua në vitin 1785. Për të realizuar këtë pikturë, atëherë pat ndikuar studiuesi i Shekspirit, Malone, i cili e "karikoi" piktorin amerikan. Koplej iu fut punës për të zbërthyer me mjete realiste ngjarjen e njohur, akuzën e mbretit për pesë deputetët dhe kryetari i Dhomës që nuk iu bind autoritetit mbretëror, duke mos pranuar t‘i dorëzojë ata. Asnjëherë më parë s‘kishte ndodhur që temë për një pikturë të bëhej një episod nga historia relativisht më e re, madje edhe mënyra hulumtuese e tipave, mjedisit, veshjeve dhe gjithë fakteve historike për të sjellë të vërtetë gjithçka ishte një novacion që u bë metodë më pas për një studim të tillë në përfytyrimin e temave historike. Kuptimi i përmbajtjes së kësaj tabloje, hedhja poshtë e pretendimeve mbretërore u kuptua qartë nga të gjithë. Kur e paska parë mbretëresha këtë pikturë, e pakënaqur, në mënyrë kërcënuese i qenka drejtuar Koplejit: "Paskeni zgjedhur, zotni, temën më të pafat për të ushtruar lapsin tuaj". E ku ta dinte mbretëresha se katër vjet më vonë, kjo skenë do të luhej në Francë kur Miraboi i mohoi mbretit të drejtën për t‘u ndërhyrë përfaqësuesve të popullit, duke dhënë kështu sinjalin e shpërthimit të Revolucionit Francez të vitit 1789.

Vizita në Muzeun e

Isabella Stewart Gardner

Kur më 18 mars të vitit 1990, ky muze ra pre e vjedhësve të veshur si oficerë policie, që u futën gjakftohtë dhe grabitën 13 vepra të Vermerit, Rembrandit, Flinkut, Manesë, Degasë, objekte të artit dekorativ etj., emri i këtij institucioni me vlera të mëdha u lakua edhe një herë me kuriozitetin dhe madhështinë e ditës së parë kur lindi, më 1 janar të vitit 1903. Atëherë, gruaja njujorkeze Isabella Gardner kishte thënë: "Nevoja më e madhe për ne amerikanët është arti. Ne jemi një vend shumë i ri dhe kemi shumë pak mundësi për të parë gjëra të bukura, vepra arti. Kështu që unë kam vendosur ta bëj mision të jetës sime grumbullimin dhe krijimin e një muzeu të artit, nëse do të kem mundësi". Në vitin 1891, kur babai i saj i trashëgoi pasurinë, këshilluar nga miqtë dhe veçanërisht nga Bernard Berenson, një specialist i vërtetë i artit të Rilindjes italiane, ajo filloi të blejë piktura nga koleksionet e Botiçellit, bleu tablonë madhështore të Ticianit "Evropa", të cilën e vendosi mbi një copë jeshile mëndafshi, prerë nga një ndër fustanet e çmuar të saj. "Autoportretin" e Rembrandit të vitit 1629 ajo ia bleu koleksionistit Conaghi në Londër me ndërhyrjen e Berensonit. Një vepër brilante që të magjepste me modelimin plastik plot intonacione të grisë, ku rrezja e dritës mbi fytyrë i jepte artistit një shprehje të magjishme. Çifti Gardner kishte shkuar për të blerë punime në Petërburg, Moskë, Paris, kaluan në Norvegji e më vonë në Japoni, Kinë, Kamboxhia, Indonezi, Egjipt, Indi, Palestinë etj., duke grumbulluar një koleksion prej mbi 2500 vepra në pikturë, skulpturë, tekstile (gobelinë), vizatime, qeramika, argjendari, manoskripte, libra të rrallë, letra nga Roma e lashtë, Europa Mesjetare, Rilindja italiane dhe veçanërisht nga Azia, bota islamike, Franca dhe Amerika e shekullit të 19-të. Isabella Gardner kishte qenë një grua me dëshira dhe ambicie të mëdha artistike, atdhetare, me preokupime të veçanta kulturore, që përpiqej të rriste nivelin e saj intelektual dhe artistik, duke ndjekur leksione të Historisë së Artit, lexime të Dantes në Harvard nga prof. Charles Eliot Norton. Ajo filloi të blinte edicione të rralla për Danten, u bë koleksioniste fotografish holandeze dhe italiane. Kështu që shtëpia e tyre në Back Bay në Boston u bë shumë e vogël për të strehuar dhe ekspozuar punimet, që familja Gardner kishte grumbulluar. Prandaj, ata filluan të mendojnë për ndërtimin e një godine të përshtatshme për këtë qëllim. Pas vdekjes së burrit të saj në vitin 1898, Isabella vazhdoi planin që ata kishin menduar bashkë. Bleu tokë në Fenuej (Fenway) dhe caktoi arkitektin Willard T.Sears, i cili, nën ndikimin direkt të saj, konceptoi një godinë që përfaqëson një pallat venecian të shek. XV. Më 1 janar 1903, muzeu u bë gati për miqtë e ftuar në hapjen solemne përmes një recepsioni të veçantë dhe koncerti të dhënë nga Orkestra Simfonike e Bostonit.

Muzeu ishte konceptuar sipas dëshirës dhe logjikës, imagjinatës dhe eklektizmit të saj, duke mbetur e tillë edhe pas vdekjes. Në ndërtesën trekatëshe veprat u shpërndanë në mjedise që ajo i quajti: Dhoma Blu, Dhoma e Verdhë, Dhoma e Tapicerive, Dhoma Holandeze, Dhoma e Pikturës së Hershme Italiane, Dhoma e Rafaelit, Dhoma Gotike, të cilën e ktheu në studio piktori i shquar amerikan Sargent, i cili ka realizuar portretin e kompozitorit dhe violinistit Charles Martin Loeffler. Më tej ishte Dhoma e Ticianit, Dhoma e Veronezes, Galeria e Gjatë, Galeria e Shkurtër etj.

Ishte një galeri me vlera të jashtëzakonshme, grumbulluar, seleksionuar, ekspozuar, konceptuar e ndërtuar nga themelet nga Isabella Stewart Gardner. Para të shpenzuara, mund dhe përkushtim profesional, kulturë e njohuri artistike, patriotizëm dhe ideale humane nga kjo grua. Në të shihje Rafaelin, Ticianin, Veronezen, Rembrandin, Van Dejkun, Rubensin, Vermerin, Jurbaranin, Mantenjën, Coronë, Matisin, Manenë, Whisflerin, Deganë, Sargentin, Zorn e shumë të tjerë. Dhjetë portrete të Isabella Gardnerit janë pjesë e këtij koleksioni e ku shquhej "Isabella në Venecie" (në Pallatin Barbara të Venecies), ku paraqitej duke ftuar miqtë e saj për të parë fishekzjarrët nga dritarja që ajo ka hapur me të dyja duart. Suedezi Anders Zorn e ka pikturuar figurën lirshëm, në të bardha, me një sfond të errët, ku nga dritarja dallohen fishekzjarrët. Të bënte përshtypje në sallën poshtë, të katit të parë të quajtur "Spanish Capel", ku në ballë të saj qëndronte piktura "E Jaleo", valle spanjolle me një lëvizje sa ritmike e melodioze, aq edhe dramatike.

Pikturuar nga Sargenti, me shkathtësinë e artistit që lëvizjen e penelit mbushur me të bardhë e kishte të tijën, i jep figurës së valltares një dinamizëm dhe shpërthim virtuoz në një sfond të errët ku shihej paksa orkestra. Kështu e kishte kërkuar e porositur Isabella dramën e humbjes së djalit të saj.

"Europa" apo "Përdhunimi i Europës" është një nga veprat më të fuqishme të Ticianit, të cilën e shihja për herë të parë në origjinal. Ishte një vepër e mrekullueshme. Nga një histori pasionante e Zeusit, shihje njëherësh kapacitetin suprem të këtij kryemjeshtri venecian të kolorit, që me prekje të penelit arrin të shprehë mëkatin e Zeusit. Një grup vajzash që protestojnë në sfond, dy engjëllushe me shigjeta në qiell, Puto dhe peshkaqeni, Zeusi si dem që mëkaton... Një tablo e veçantë për nga përmbajtja dhe zgjidhja kompozicionale, mënyra e pikturimit dhe përkryerja mjeshtërore e çdo detaji të tablosë. Nga Rafaeli ishte "Portreti i Tommasso Inghirani"-1513, blerë nga familja Ighirani në vitin 1898 prej vetë Isabellës. Një vepër e shkëlqyer, një nga perlat e portretit botëror.

Në Dhomën Holandeze (DUTCH ROM), mes të tjerash unë pashë katër korniza bosh. Në dy prej tyre kishin qenë veprat e Rembrandit, "Një zonjë dhe zotëri me të zeza" (131.6 x 109 cm) dhe "Stuhi në detin e Galileut", peizazh (161.7 x 129.8 cm). Në krah të dritares ishin edhe dy korniza të tjera bosh. Në njërën kishte qenë "Peizazhi me obelisk" që i atribuohej Rembrandit, por që në të vërtetë kishte qenë vepër autentike e Govaert Flinck-ut. Për veprat e grabitura mund të interesoheshe më gjerë në sekretarinë përkatëse dhe të shihje qartë riprodhimet e këtyre punimeve e mund të mësoje më shumë. Për to vazhdonte kërkimi intensiv. Pesë milionë dollarë ishte çmimi i atij që informonte për to.

Emblemë e këtij muzeu ishte një "Portret në profil" nga Paolo Uçela (1397-1475) punuar në vitin 1460 me vaj, mbi dru, blerë nga I.Gardner në vitin 1914.

Unë qëndrova edhe pak jashtë gardhit të hekurt, duke parë radhën e gjatë të njerëzve që vinin për të vizituar këtë muze të rrallë, skicova godinën e lartë e portat e hapura dhe eca i shastisur për t‘u kthyer nga erdhëm.

John Harvardi dhe

"Statuja e tre gënjeshtrave"

Kështu thuhej për statujën e John Harvardit përuruar në vitin 1884 në Universitetin e Harvardit (Harvard University Cambrigde) në kopshtin e tij (Harvard Yard). Sammuel J.Brigde prezantoi statujën prej bronzi, realizuar nga skulptori amerikan Daniel Chester French (1850-1931), autor i memorialit të Abraham Lincoln-it në Washington (1922), bustit të Washington-it në New York (1927), monumentit "Republika" në Chicago (1918) dhe i shumë punimeve të rëndësishme në Amerikë. Në moshën 23-vjeçare ai kishte marrë porosi nga qyteti Concord i Massachusets dhe deri në fund të jetës porositë nuk iu ndanë. Ai lakmohej si një skulptor që u rendit ndër "Famous Americans" (Amerikanët e famshëm). Ishte një nga themeluesit e Shoqatës Kombëtare të Skulptorëve (1893), anëtar i Akademisë Amerikane të Artit dhe Shkencës, i Akademisë së Dizajnit dhe Akademisë Amerikane të Artit dhe Letrave, i Akademisë San Luca në Romë etj. Pra, ishte një skulptor i mirënjohur dhe me vepra të rëndësishme, shkolluar në Institutin Teknologjik të Massachusets-it. Ai kishte shkuar në Itali, Firence, bashkë me skulptorin Tomas Ball në vitin 1917, ku punoi për "Pulitzer Prize", pastaj me Edward Clark Potter gdhendi Georg Washington-in për t‘u përfaqësuar në Francë nga Danghters (bijat e revolucionit amerikan). Pra, French ishte një skulptor akademik me emër e me shumë vepra. Mirëpo në Harvard, në institucionin më të vjetër të shkollimit të lartë, me 375 vjet histori në SHBA, formuar në vitin 1636 nga një votim i Gjykatës së Lartë të kolonisë Massachusets Bay Colong, ku u shkolluan 6 Presidentë të SHBA, vepra e tij u prit ndryshe. Presidenti Eliot, në ditën e zbulimit të veprës, e cilësoi atë me ironi si një vepër pa interes dhe e dënoi përjetësisht si "Statujë e tre gënjeshtrave", mbasi së pari figura nuk ngjan me Harvardin, portreti i tij është bërë duke pasur si model një student. Së dyti, në piedestal ishte gdhendur viti 1638 si vit themelimi, që ndërkohë Harvardi u krijua në vitin 1636. Dhe së treti, fondatorë dhe themelues janë një grup personalitetesh, edhe pse John Harvardi qe i pari që dhuroi fillimisht 779 paund dhe 400 vëllime në të ashtuquajturën "Kolegji i Ri".

Megjithatë, pavarësisht nga këto, skulptura është kthyer në një vlerë të çmuar që vizitohet nga mijëra e mijëra vetë që vijnë në Kembrixh për të parë Universitetin e Harvardit dhe për t‘i prekur e lëmuar Harvardit majën e këpucës së majtë që tashmë shkëlqen nga fërkimi me duar i vizitorëve për t‘u sjellë shans në jetë. Kështu vepruam edhe ne dy herë gjatë dy vizitave që bëmë. Herën e fundit që u ndamë me të, ishte ditë me borë dhe Harvardit në majë të kokës i qe mbledhur një shuk me borë si takije e myzeqarit. Thashë me vete, ta kishte parë kështu Elioti, do t‘i shtonte në fjalimin e rastit edhe një "gënjeshtër" tjetër e do të thoshte se: studenti-model i French-it ka qenë nga Myzeqeja e Shqipërisë, gjë që sot nuk është çudi, pasi në Harvard studionin edhe nga vendi ynë e që dalloheshin mes të tjerëve për sjellje, inteligjencë dhe përparim.

Katër lakrorët e zonjës Leni

Të nesërmen e ditës që pamë "Statujën e tre gënjeshtrave" na ftoi për drekë një familje e nderuar nga Korça, ku e zonja e shtëpisë, një grua fisnike e një dere të respektuar, kishte t‘hollur katër lloje lakrorësh, njëri më i mirë se tjetri. Hëngrëm sa u dendëm edhe anët, qoshet e koriçkat e shijshme të gatuara me sevda dhe qeshëm e u gajasëm me historira të vjetra dhe të reja, duke kujtuar edhe tre gënjeshtrat e statujës së Harvardit. Katër lakrorët e zonjës Leni- edhe pse në Amerikë shumëllojshmëria e gjellëve ishte pafund, gatuar gjithsesi me mish, brumë e peshk, pica etj.- ishin të veçantë, jo vetëm se të shkrinin në gojë, por sillnin mesazhe të tjera, na kujtonin traditën tonë, nënat tona të papërsëritshme, sofrat dhe tepsitë ku copat priteshin njëlloj me thikën e mprehur në gurë lumi të rrumbullakët. Më kujtohej nëna që më porosiste kur shkonim mysafir që ta bëja sa më të vogël "gropën" përpara në tavë apo tepsi dhe të merrja sa më pak për t‘u treguar i fisëm, pasi kur të kthehesha në shtëpi nëna do të më jepte të haja sa të doja. Atëherë edhe ia mbaja fjalën. Mirëpo tani, në pleqëri, në moshë më të madhe se vetë nënë Leka, edhe pse e kujtova në këtë tryezë të nderuar, nuk e mbaja dot porosinë e saj të fëmijërisë. Haja me dhëmbë të vëna fëmijërinë time, bluaja jetën time të ngarkuar me ngjarje dhe histori e humbisja mendjen në kujtime, shijoja të kaluarën dhe ditët e sotme në tryezën bujare të zotit Vaskë dhe zonjës Eleni dhe fëmijëve, nuses, nipit dhe mbesës. Katër lakrorët e znj. Leni. Brumi në duart e saj merrnin vlera të çmuara, jo thjesht gastronomike. Me to ajo formësonte gjëra më të çmuara, ndjenjën e bujarisë dhe të mikpritjes. Aroma e tyre me presh e spinaq, misërniket dhe ëmbëlsirat e saj na e mbushën vaktin një ditë pasi u njohëm me "baltën" e skulptorit që kishte zhgënjyer akademikët. "Tre gënjeshtrat e statujës" dhe "Katër lakrorët e vërtetë të znj. Leni nga Korça", në 24 orë.

Anna V.Hyatt Huntington

Është gruaja skulptore nga më të njohurat e shekullit XX, që realizoi katër monumente ekuestër, më shumë se çdo burrë skulptor.

Duke udhëtuar në veri të Bostonit për në Rokport (Rockport), qytezë buzë oqeanit Atlantik, në Ipswich Bay (Gjirin Ipswich), kalojmë nëpër Gloster (Gloucester), një qytet i bukur turistik plot vila druri të bardha dhe pemë të dendura që prisnin të gjelbëronin. Në mes të një kryqëzimi, pa pritur na del përpara një monument ekuestër që na intrigoi. Qëndrojmë. Shohim Zhan Darkën e A.H.Huntington-it, vepër të cilën skulptorja e kishte ekspozuar në Sallonin e Parisit të vitit 1910. Unë dija që versionin e saj e kishin vendosur në Nju Jork, por nuk ma kishte marrë mendja se një replikë ishte edhe në Gloster, pranë Shtëpisë së Veteranëve për të nderuar luftëtarët e Luftës së Parë Botërore. Hera e parë që shihja nga afër një vepër të saj, ndonëse nëpër libra e riprodhime isha mahnitur nga monumenti ekuestër i "El Cid-it" në Balboe (Spanjë), realizuar edhe në tre variante për Kaliforninë, Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Një skulpturë jashtë standardeve klasike të ekuestrave në formën e kompozimit dhe modelimit plastik, plot shpërthim e energji mikelanxheske. Kjo grua skulptore gjithmonë më bënte të adhuroja forcën e një femre, talentin dhe potencialin fizik që kërkon realizimi i një monumenti në kohë. Kisha parë veprën e Vera Muhinës dhe mendoja se nuk ka tjetër veç saj, mirëpo edhe ajo e Anna Huntington-it kishte vlera të jashtëzakonshme, veçanërisht në skulpturën ekuestër. Në vitin 1927 ajo realizoi skulpturën "El Cid Campeador" për Seviljen (Spanjë), "Jose Marti"(Parkun Qendror, Nju Jork), vepër të cilën e filloi në vitin 1950 dhe e nxori në publik në vitin 1965, pasi tutej nga tendencat politike të kohës. Jose Marti është një nacionalist i shquar kubanes. Figura e tij në kalë e nderonte dy herë atë, së pari si figurë politike dhe së dyti me vlerat e mëdha artistike.

"Los Portadores de la Antorcha" (Mbajtësi i Flakadanit), figurë në kalë përpara Universitetit të Madridit është gjithashtu një vepër e shquar e saj. Pra, grua skulptore që ka realizuar katër monumente ekuestër dhe disa replika të tyre, që figurën në kalë e modelonte me shkathtësi dhe jashtë standardeve, duke njohur thellë figurën historike dhe veçanërisht kalin që e kishte pasion. Anna Huntington kishte lindur në Kembrixh në vitin 1876 dhe kish ndërruar jetë në moshë 97-vjeçare, më 1973, në Reaine Konektikat, shtet pranë Nju Jorkut. Ajo kishte studiuar për skulpturë në Boston dhe më vonë në Ligën e Studentëve të Nju Jorkut. Punoi në Francë e Itali. Në vitin 1923 ajo qe martuar me një filantropist spanjoll, duke e kthyer pronën e saj në një vend ekspozitash në natyrë për veprën e saj dhe të miqve në Karolinën e Jugut. Por "Zhan D‘Arka" mbeti "dashuria e saj e parë", që i hapi rrugën e artit të madh, e prezantoi dhe e futi në vlerat e veprave më të mira që erdhën radhazi deri tek "El Cid-i", ndër ekuestret më të mira në botë.

Sikundër më treguan për "Zhan D‘Arkën" në Gloster, ajo kishte marrë për model mbesën e saj veshur e ngjeshur me armë, që i kishte studiuar në divizionin e armëve të Muzeut Metropolitan të Nju Jorkut, ndërsa për kalin e kishte marrë atë në Repartin e Zjarrfikësve, prandaj edhe vepra është shumë e vërtetë, një skulpturë me vlera të shquara realiste, model i një ekuestre që u mirëprit nga publiku dhe specialistë të artit që i hapi rrugë për më tej.

Albana Orgocka, shpallur "Gruaja e vitit"

Në Boston, sikundër dihet, ka shumë bashkatdhetarë të vjetër dhe të rinj, pensionistë, punëtorë dhe nëpunës, shkrimtarë dhe artistë, shkencëtarë dhe pedagogë, studentë që shquhen në përparimin e tyre shembullor. Unë nuk munda të takoj shumë prej shokëve, kolegëve dhe miqve të cilëve u kërkoj ndjesë. Kohën që më mbetej përpiqesha ta shfrytëzoja për t‘u takuar me artin dhe kulturën dhe të skicoja dhe realizoja disa etyde, që do të më vlejnë në punën time artistike të mëtejshme. Në këtë drejtim, Albana, vajza simpatike dhe tepër elegante, me kulturë dhe formim profesional, shpallur "Gruaja e vitit" nga organizata e grave shqiptaro-amerikane "Motrat Qiriazi", m‘u gjend porsi vajza ime. Albana ishte zgjedhur bashkëkryetare e shoqatës shqiptaro-amerikane "Besa" e Bostonit, organizatë që kishte mision ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe traditës shqiptare, në mbrojtje të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan etj., që ajo i kryente me shumë përkushtim, krahas punës së saj në Zyrën e Avokatisë si punonjëse sociale pranë Institutit Ndërkombëtar të Bostonit. Ndjeva kënaqësi të madhe kur pas njëzet vjetëve takova shoqen e ngushtë të vajzës sime, Emira. Ajo, pasi kishte kryer në vjeshtën e vitit 1993 shkollën me bursë të Fullbrajtit, akorduar nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe mbrojtur magjistraturën në Universitetin Kolumbia për Shkenca Shoqërore, tani kryente specializim tjetër. Vajzë energjike në punë, me përpjekje për formim kulturor dhe profesional, e përkushtuar në detyrat e shoqatës "Besa", me përkujdesje të veçantë ndaj prindërve dhe bashkatdhetarëve. Një vajzë korçare shembullore.

Albana dhe rrethi i saj ma bëri të bukur dhe mjaft të dobishëm profesionalisht këtë udhëtim në Bostonin e historisë së artit dhe kulturës, gjë që unë e falënderoj me gjithë zemër dhe i them publikisht se ka hyrë në jetën time artistike, ashtu si fëmijët e mi, familjarët dhe të afërmit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›