Në Bruksel shqetësohen për dekurajimin e reformave, nga bllokimi i statusit

Në takimin parapërgatitor të komitetit të stabilizim-asociimit PE-Shqipëri, eurodeputetët vlerësuan progresin e jashtëzakonshëm të reformave gjatë vitit të fundit dhe shprehën shqetësimin se mosdhënia e statusit, për shkak të bllokimit të 3 ligjeve do të sillte dekurajimin e forcave që po drejtojnë kursin e reformave
Në Bruksel është zhvilluar takimi parapërgatitor i komitetit të stabilizim asocimit PE-Shqipëri që do të zhvillohet në Tiranë në 19 dhjetor. Komisioni dhe Parlamenti Europian janë në të njëjtën linjë kur flasin për progresin domethënës së Shqipërisë, që e ka çuar vendin kaq afër statusit të kandidatit. Shefi i Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit pranë Komisionit Evropian, Vasilis Maragos është shprehur se, “nuk ka shumë vende që të kenë bërë kaq shumë progres në një kohë kaq të shkurtër. Është e rëndësishme të shënohet ky progres. Ka pasur një angazhim politik të përgjithshëm për integrimin europian, por gjithashtu edhe kompromise shumë konkrete që janë marrë nga forcat politike, mazhoranca dhe opozita në fusha kyçe që mbulojnë 12 prioritetet, duke përfshirë gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit, apo kufizimin i imuniteteve në nivelin kushtetues që është një hap shumë i rëndësishëm”.
Por, 3 kushtet e mbetura pezull janë ato që do të bënin diferencën edhe për shtetet anëtare, sipas ambasadore e Shqipërisë pranë BE-së Mimoza Halimi.
“Ne jemi të bindur se nuk ka pengesa për përmbushjen e këtyre kushteve, për sa kohë që të gjitha partitë politike të udhëhiqen nga interesi kombëtar, që është integrimi në Bashkimin Europian”, u shpreh Halimi.
Komisioni Europian pret që samiti europian të japë mbështetjen për progresin e bërë nga Shqipëria. Shefi i Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit pranë Komisionit Evropian, Vasilis Maragos, ka deklaruar se, “ne shpresojmë ne presim që shtete anëtare të mbështesin rekomandimin e Komisionit Europian. Kjo është pritshmëria jonë. Mbi këtë bazë, Shqipërisë do ti jepet inkurajimi i duhur për vazhdimin e reformave me synimin për marrjen e statusit të kandidatit por edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit”. Ndërsa kryetari i delegacionit për Europën Juglindore në PE Eduard Kukan në prononcimin e tij ka theksuar se, “ne shpresojmë që pas konkluzioneve të Këshillit të ministrave, progresi në reforma do të jetë po aq intensiv saç ka qenë më parë, pasi kjo do të jetë dhe një test për qëndrueshmërinë e dialogut politik midis forcave politike kaq të duhur”. Siç e ka thënë qartë në fjalimin përmbyllës së tij kryetari i delegacionit për Europën Juglindore në PE, Eduard Kukan pritet që takimi në Tiranë të bazohet vetëm në agjendën europiane.