Në Kolonjë vendoset ura, rikthehet lidhja e Qafëzezit me 12 fshatra pas përmbytjeve

Banorët e 12 fshatrave të Kolonjës kanë dalë nga izolimi pas vendosjes në funksion të një ure ushtarake të tipit “Bailey”, e cila u montua në kohë rekord nga Batalioni i Xhenios me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se vendosja e urës është një tjetër angazhim i Forcave të Armatosura në shërbim të komuniteteve, duke theksuar se ndërhyrja e shpejtë ishte jetike për normalizimin e jetës së banorëve.
“Ura e Qafëzesit në Kolonjë është funksionale në kohë rekord, duke i rikthyer aksesin banorëve të 12 fshatrave të zonës,” u shpreh ai.
Këmbët e urës që lidhte fshatin Qafëzezë me zonat përreth u shkatërruan nga përmbytjet e fundit dhe vërshimi i lumit Osum, duke ndërprerë për ditë të tëra qarkullimin e banorëve dhe mjeteve.
Situata krijoi vështirësi të mëdha për komunitetin, pasi kjo rrugë ishte e vetmja arterie lidhëse për transportin dhe furnizimet e përditshme.
Ndërhyrja u koordinua nga Shtabi i Emergjencave në prefekturën e Korçës, ndërsa për nënprefektin Adriatik Braçe, i cili përcolli shqetësimin tek Ministria e Mbrojtjes, zgjidhja e shpejtë ishte thelbësore.
“Kjo rrugë ishte e vetmja për qarkullimin e banorëve, ndaj vendosja e urës ishte domosdoshmëri,” tha Braçe.
Falë urës së re, banorët e zonës kanë rifituar mundësinë e lëvizjes së lirë, duke shmangur izolimin dhe duke siguruar akses për transportin e mallrave, shërbimeve dhe emergjencave.
/rtsh.al/