Në Kryezi të Pukës duke kërkuar gjurmët e një jete
Nga Veledin Durmishi
-Reportazh-
Të përhimtën e Tiranës e lamë pas e diku nga Lezha një mjegull e dendur sikur kërkoi të pengonte lëvizjen tonë, ndërsa, kur prekëm lartësinë e maleve të Pukës, ishte një kthjelltësi e cila i dha shpirtit tonë një qetësi, kurse ne sodisnim bukuritë e natyrës që shfaqeshin mal pas mali. Ishim nisur drejt fshatit Kryezi të Pukës nën një simbolikë të veçantë, të bukur e aq domethënëse. Zef Shoshi, Piktori i Popullit ishte në makinën e udhëtimit dhe shkonte në një shtëpi të cilin e kishte vizituar 48 vjet më parë. Ishte i ri atëherë e pasionin e vet të pikturës e derdhte te portretet e njerëzve të thjeshtë, te pigmenti i fytyrës duke gjetur aty atë detaj që vetëm syri i artistit e deshifron. Ishte ftuar në këtë eveniment edhe një tjetër korife i artit tonë, Dritëro Agolli, Nderi i Kombit, por ai nuk mund të vinte dot. Mosha se lejonte, por një mesazh e kishte dërguar drejt asaj familjeje, ku 48 vjet më parë ai kishte bujtur një natë duke kërkuar gjurmët e njeriut të punës e që në emër të së resë kishte bërë një revolucion aty. Në makinën tonë të vogël u ndezën tingujt e çiftelisë nga rapsodi popullor Gëzim Ahmetaj. Ishte një këngë kushtuar një njeriu nga fshati Kryezi të cilin dikur Agolli e Shoshi e kishin bërë personazh të artit të tyre të pavdekshëm. Të bukurën, të mirën, njerëzoren, të renë e do çdo kohë. Ajo krijon atë hulli të vetëdijës e cila dikur të bën të ndihesh krenar, të bën të kthesh kokën pas e të deshifrosh gjurmët e të parëve të tu. E kjo është vetëdijë kombëtare e cila krijon memorien e brezave e që duhet të shkruhet sot. Nesër është vonë.
Nën këtë mesazh po shkonin drejt Fshatit Kryezi të Pukës qindra njerëz, personalitete të artit, përfaqësues të pushtetit vendor, protagonistë të ditëve të djeshme, pasardhës të një dere të madhe e cila tani kishte një tjetër simbolikë; të promovonte një shtëpi të vjetër, të traditës, të ringrinte atë duke kërkuar të ripërtërijë kujtesën e brezave të vjetër e të sjellë në kujtesën e brezave të rinj momente të së shkuarës duke u thënë se jetë të vdekur nuk ka patur kurrë. Në Kryezi është një shtëpi e cila si edhe dikur, duket që larg. Një tabelë në hyrje të fshatit të bën me dije se je në Kryezi dhe përpara ke një rezidencë turistike e që quhet Dedë Ndue Alia(Shala)
Kush është Dedë Ndue Alia (Shala)
Një banor i fshatit Kryezi, që kishte trashëguar nga të parët krenarinë, bujarinë, dashurinë njerëzore, cilësi këto të cilat dinte ti promovonte e ti përçonte më tej. Kishte pak shkollë, por ishte Ndrec Ndue Gjoka i fshatit të vet duke hapur aty shkollën e parë. U mësoi abc-në fëmijëve të fshatit e bashkë me abetaren diti tu japë të vegjëlve magmën e jetës, tharmin jetësor, u injektoi atyre cilësitë më të mira të një sjelljeje, bazë e të cilit ishte humanizmi. Ishte viti 1960 dhe padija ishte ulur këmbëkryq në vatrat e tyre ashtu si flaka e kandilit e qiriri i pishës. Ishte i ri atëherë Deda. Një trup vigan, me një kthjelltësi të admirueshme, me një shpirt të paqmë, e që një ditë të lume zbriti në Tiranë. Për një dinamo zbriti një malësor. Përfytyroni një malësor me plisin mbi kokë që kërkon në kryeqytet një vegël të cilit i dinte vetëm emrin Dinamo! Shumëkush ngriti supet, rrudhi buzët, familja e kundërshtoi, por Deda me atë shpirt të vendosur prej malësori, kërkoi të bëjë një revolucion atje në fshatin e tij. Dhe erdhi vegla. Njerëzit, skeptikë nga natyra, shihnin Dedën të hutuar. Dhe atje poshtë shtëpisë së tij, në një përrua, një ndërtesë e vogël, një turbinë e sajuar në një trung lisi, dinamua e sjellë nga Tirana, ca fije teli që u ngjitën drejt kullës së Aliajve. Dhe një mbrëmje aty erdhi drita elektrike. Ja revolucioni për të cilin një gazetar dhe një piktor nga Tirana u ngjitën deri të Kryezi për të parë, prekur, ndjerë aktin e një njeriu që kërkoi të largonte errësirën, padijen duke sjellë kështu mjaftë elementë të rinj të një jetë e cila sërish do të mbetej e vështirë. Njerëzit, me atë dorën e vënë pas veshit dhanë një sihariq si të jepnin një lajm të madh.
Në malësi për herë të parë ishte parë drita elektrike. Dritën të cilën njeriu e ka te retina e syrit, e ka te fosfori i kockës, e ka te regëtima e shpirtit, pra, drita ndriçoi kullën e Dedë Shalës për herë te parë. Atje te përroi poshtë shtëpisë së tij ishte edhe një mulli e uji ditën futej të turbinën e mullirit të bluante drithin për 52 anëtarët e kësaj familjeje e në mbrëmje uji ndërronte drejtim, futej në turbinën që duart e arta të Dedës e kishin bërë me një trung lisi, më tej uji prekte fletës e dinamos dhe drita elektrike ndriçonte kullën e vjetër të një familjeje të madhe tipike malësore. U flak kandili i paditurisë, e muzgëta e kohrave tani iku tutje pyllit me gështenja, u flak pisha e tymit të zi e kështu njerëzit e kësaj dere prekën një erë të re.
Në kërkim të një ëndrre dhe të një dinamoje
Kështu e quajti reportazhin e vet Dritëro Agolli dhe në datën 18.4.1965 u botua në gazetën Zëri i popullit. Gazetari i ri u ngjit deri në lartësinë e Pukës e të Fushë-Arrësit për të prekur jetën sepse jeta dhe njeriu është një planet që nuk do të eksplorohet kurrë. Kishte takuar mjekun Alfred Serreqi aty dhe kishte prekur një pjesë të halleve të përditshme, të cilat gazetari i ri i hidhte në ditarin e tij për tu dhënë jetë… Aty mësoi për fshatin Kryezi pak kilometra më tej Fushë-Arrësit e ku rruga gjarpëron në një malore e që më tej shkon drejt Iballës. Pra, në këmbë ishte nisur poeti për të gjetur një njeri që kishte sjellë për herë të parë energjinë elektrike. Dhe hajde bujrum! dera hapet dykanatash për mikun e mirë, buzëqeshja deshifron bukurinë e shpirtit human që te malësori nuk ishin kurrë mangut, por edhe kurrë tepër. Ata e dinin vetë masën. Me atë masë nderi e dinjiteti ata kishin ndërtuar jetën thjeshtë, por bukur, kishin njohur agimin dhe muzgun, lindjen dhe vdekjen. Ata e zotërojnë kodin e së përkorës më mirë se askush edhe pse shkolla u ka munguar. Ua kishte mësuar jeta dhe plagët e shpirtit dinin ti mbuloni aq bukur, dhe aq bukur dinin të falnin mirësinë. Sepse jeta nuk është frymëmarrja, por përjetimi i mirësisë. Për mikun gjithçka më e mira!.
E para fjala, muhabeti ishte ndezur si jo më mirë e Dritëroi aty kishte parë një familje si lisi degëgjerë, plot 52 anëtarë. Sa një fshat, nuk kishte përtuar të thotë gazetari nga Tirana, ndërsa kërkonte të deshifronte gjithçka të atij kodi gjenetik, por që edhe anëtarët e kësaj dere ia dhanë atë mundësi. Aty u fol për shkencën e Dedës, për punët e stinës, për Kanunin e Lekë Dukagjinit, për retë kanunore të cilat koha e re po i griste pak nga pak, për punët e bujqësisë, për dashurinë dhe mirësinë, për zajret e dimrit. E u pi raki. Gazetari e njihte mirë, artin e pirjes dhe piu sa askund tjetër. Aty u gdhi ai, por nuk mbylli sy tërë natën. Gjithçka që përjetoi ishte tej mundësive për ta perceptuar ai. Dhe sot pas 48 vjetësh, reportazhi Në kërkim të një ëndrre dhe të një dinamoje u gjet diku, u hodh në një libërth dhe atje në kullën e re të Aliajve u shpërnda. Ishe një kumt i bukur që çdo brezi diçka i tha; të njohësh gjurmët e tua, të dallosh vlerat e saj, të ngjallësh vetëdijën tënde kur më tej e diku ajo po vdes. Dhe në derën e Aliajve kjo vetëdijë nuk vdiq. Përkundrazi
Fisi si lisi
Aty te ajo shtëpi e vjetër e ndërtuar në vitin 1928 dhe e restauruar në vitin 2013 rrjedh një pjesë historie e në krah të saj është ngritur një tjetër ndërtesë tani më e plotë, me mjaftë elementë të kohës së re, por që e vje