Princ Vidi dhe Shqipëria në sytë e një ambasadori amerikan
Parathënie e botimit të parë
E gjeta të vlefshme përkthimin e këtyre rreshtave mbasi këto përmbajnë gjykimin e një të huaji mbi Shqipërinë, i cili e formoi këtë vetëgjykim duke qenë vetë në kontakt me shqiptarët e duke shikuar me sytë e vet çdo gjë që ka shkruar. Përveç kësaj, ky shkrimtar është i një shteti të cilit nuk i interesonte ose i interesonte shumë pak gjendja politike e Shqipërisë e për këtë çdo fjalë që shkruan ky njeri është e sigurtë se e shkruan siç ia ndien ndërgjegjja e vet e jo pse ashtu ia lyp pozita diplomatike. Për shembull, në Kreun IV tek nënartikulli Europa përkrah sundimin turk do të shikoni se San Xhuljano, Ministër i Jashtëm i Italisë, nga pozita e tij diplomatike shkruan të kundërtën e asaj që ndjen në shpirtin e tij. Por që shkrimtari jonë shkruan ashtu si e ndien, do ta vini re po të këndoni me kujdes Kreun III Rënia e Qeverisë së Vidit. Aty do të formoni një vetëgjykim se sjelljet e tij në këtë mënyrë proshqiptare ndoshta u bënë shkak që ai të shtrëngohesh me dhënë dorëheqjen nga pozita e tij në Europë. Xhorxh Fred Uilliams më 1914 ishte Ministri i Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar në Durrës, komision i cili do të udhëhiqte dhe do të bashkëpunonte me qeverinë e Vidit. Por zoti Uilliams duke e pa të pamundur bashkëpunimin në mes tyre dhe duke e pa se punët po shkonin mbrapsht pse marrëveshja e Londrës e kishte mbjellë shumë ters farën, e ma tepër pse marrëveshja e Londrës caktonte një princ kurse Vidi erdhi me titullin mbret, mbas shumë mundimesh për marrëveshje sa me kryengritësit e Shqipërisë së mesme, sa me ata të Jugut, u bind se këto punë ishin të kota dhe vendosi të marrë një masë të fundit. Shkoi në Shqipërinë e Jugut ku pruri në marrëveshje epirotët kryengritës me vlonjatët që të bashkoheshin e të shpallnin pavarësinë e tyre, gjithmonë me qëllim që sapo të zhdukej qeveria e Vidit e cila doemos nuk kishte jetë të gjatë, ti bashkonte kësaj pavarësie edhe pjesën e sipërme të Shqipërisë. Mirëpo, posa muarën vesh këtë gjë diplomatët e Europës me të shpejtë dërguan në Vlorë dy luftanije që përmbanin anëtarë të komisionit të Durrësit, të cilët nën hijen e topave të fuqive të mëdha të Europës e ndaluan këtë bashkim që ky zotni me shumë mund e bëri. Atëherë zoti Uillliams u bind krejtësisht që veprat e fuqive të mëdha me marrëveshjen e Londrës nuk patën për qëllim ta bëjnë këtë shtet të lirë, por të gjejnë shkaqe se si me e shtypur ma tepër, e duke patur në dorë këtë dhe tjera fakte ky vendosi me e lënë këtë skenë mëkatesh, por njëherit me ngritur perden e me paraqitur komedinë tragjike dhe shpirtin e zi të diplomacisë Europiane. I dhanë rastin Shqipërisë në Mbledhjen e Londrës për ta provuar nëse shqiptarët janë të zotët apo jo përsa paradëshirojnë. Por me mënyrën që ata i kishin hartuar planet e tyre mund ti hidhnin hi syve të gjithë botës duke e bërë me e quajtur të zezën të bardhë, e prandaj Shqipëria lëkundej atë kohë në djepin e fatit herë mbi dhe, herë jashtë gropës së zezë të tmerrshme e të helmatisur. Gjindej ky djep pikërisht mbi gropën e pafund, kur përfaqësuesit kryesorë të diplomacisë Europiane, të mbuluar me maska fytyrë-njeriu, kishin vu tehët e bajonetave të tyre mbi litarët që varesh ky djep për ti pre e për ta lëshuar fatin e Shqipërisë në këtë gropë vdekjeje që të mos mund të ngrihesh kurrë. Për të qenë korrekt ndaj pikëpamjes njerëzore, këta zotërinj kishin filluar me përhapë fjalën se ua dhamë provën e lirisë Shqiptarëve por nuk po janë të zotët me e mbajtur dhe për fakt tregonin me gisht kryengritjet e brendshme, shkaktarët e të cilave ishin ata vetë. Pikërisht në këtë kohë të duhur e të rrezikshme për Shqipërinë, zoti Uilliams heq maskat që iu japin pamje njerëzore këtyre diplomatëve dhe nxjerr në shesh fytyrat e tyre të lyera me gjak të pafajshëm e ia tregon me gisht botës duke deklaruar se të fshehtat e kësaj diplomacie janë shkaku i kaq gjakderdhjeve dhe deklaron pafajësinë dhe vuajtjet e Shqiptarëve e mundimet e tyre për liri. Ai shpreh hapur se Shqiptarët nuk janë të egër e të rrezikshëm, siç e thonë diplomatët Europës, porse Shqiptarët janë fisnike, janë trima, janë të ndershëm, janë liridashës dhe kanë mikpritjen më të madhe në botë. Këto deklarata zoti Uilliams ia bëri më tepër popullit të vet Amerikan duke iu lutur që të ndërhyje sa më parë për ti ndihmuar këtij populli në të drejtat trashëgimore që kërkon dhe në varfërinë e tij, shkakun e së cilës ia ngarkon fuqive të mëdha të Europës.
Përkthyesi Shaban Balla
Tiranë, 20 Mars 1934
************
Shoqërim për këtë ribotim
Të dhënat origjinale të botimit të librit janë: George Fred Ëilliams, The Shkypetars, Harper’s Ëeekly, Neë York, 1914. Botimi apo ribotimi i një libri të tillë është një gjë shumë e mirë, sepse shpreh respektin për një njeri shpirtmadh e shpirtdrejtë si Xhorxh Fred Uilliamsi (George Fred Ëilliams), për edukimin e shkollimin e tij dhe respektin për vlerat që përcjell pena e tij. Libri pohon thënien popullore se të huajt, akoma më shumë armiqtë, kur gjejnë shesh bëjnë përshesh. Libri tregon sa tragjike kanë qenë ndaj shqiptarëve përçarjet e shkaktuara nga armiqtë. I vetëquajturi mbret Princ Vidi qëndroi në Shqipëri në periudhën 7 Mars 3 Shtator 1914. Siç edhe shkruan Xhorxh Fred Uilliamsi, nga ajo rrëmujë mizore e Luftës I Botërore shqiptarët vetëm e pësonin. Pena e Xhorxh Fred Uilliamsit përcjell rëndësinë e vlerave njerëzore që duhet të kenë udhëheqësit që organizojnë, drejtojnë apo udhëheqin shtetet. Vetëm njerëzit me mirësjellje, me shpirtmadhësi, fisnikërisht të respektuar, të palodhur në punë, me vullnet dhe trimëri janë ato që kanë shkaktuar dhe udhëhequr përparimin e popujve. Xhorxh Fred Uilliams (1852-1932) lindi në Dedham të Masaçusetsit. U arsimua në degën e ligjeve në Masaçusets më 1872 dhe pas studimeve të tjera u bë avokat. Gjatë viteve 1880-1887 kreu redaktime të botimeve të rëndësishme ligjore. Më 1889, ishte anëtar i legjislaturës së Masaçusetsit dhe gjatë viteve 1891-1893 ishte anëtar demokrat i Kongresit Amerikan. Gjate viteve 1913-1914 ishte Ambasador i SHBA në Greqi dhe Mal të Zi.
Saimir Lolja
*********
Vijon nga numri i kaluar
RËNIA E QEVERISË SË VIDIT
Shqipëria është bërë lëmi i ndikimeve të shumëllojshme qe e tërheqin në drejtime të ndryshme. Ska vullnet, ska program e as autoritet të njohur në këtë tokë. Këtë e raporton Dr. Dillone nga Durrësi.
Kur gjashtë Fuqitë e Mëdha hartuan një plan qeverimi për Shqipërinë, vepra e tyre tregoi një pazotësi të çuditshme, sepse ai qe një plan që i nuk përshtatesh një shteti si ky. Marrëveshja e Londrës përmbante nenet: (1) Një principatë autonome, sovrane, me të drejtë trashëgimi të fronit nga të paslindurit dhe nën sigurimin e gjashtë fuqive të mëdha. (4) Kontrollimi i administratave qytetare dhe i financave i jepet një komisioni ndërkombëtar të përbërë prej delegatësh të gjashtë fuqive të mëdha dhe një delegati të Shqipërisë. (7) Emërimi i princit, formimi i një qeverie kombëtare përfundimtare, funksionet e autoriteteve të vendit që ndodhen si dhe qetësia e popullit i lihen në dorë komisionit në fjalë. (8) Sigurimi i popullit dhe rregulli do të bëhet prej një organizate xhandarmërie e policie ndërkombëtare, që do të jetë në dorë të oficerëve të huaj të cilët do të kenë në dorë komandën vepruese dhe eprore të policisë e të xhandarmërisë, dhe të gjithë elementëve të nevojshëm për të siguruar qetësinë e popullit.
I lutem lexuesit me i studiuar këto pika që të formojë një vetëgjykim se si mund të formohet një shtet mbi një plan si ky? Tre funksionet e një shteti janë: ekzekutimi, legjislatura dhe administrimi i gjyqit. Shihet se dy të fundit nuk janë p