Në Likofc ndizet “flaka e lirisë”, mesazh i fuqishëm për vendimin e Hagës

PRISHTINË, 5 shtator/ATSH/ Në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likofc është ndezur “flaka e lirisë”, në nderim të dëshmorëve dhe luftës së UÇK-së, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur pritjet e tyre për vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili pritet të shpallet më 16 shtator.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, tha pët KosovaPress se tek Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, në Likofc, kanë ndezur zjarrin e lirisë, në nderim të sakrificës së dëshmorëve dhe luftës së UÇK-së, me një mesazh të fuqishëm për drejtësi për çlirimtarët tanë në Hagë.
Sipas tij, flaka e lirisë le të jetë edhe flakë e shpresës për drejtësi.
“Ne jemi të bindur që ata do të lirohen me 16-tin. Mendoj që kjo padrejtësi do të marrë fund. Unë mendoj që është padrejtësi qw prej gjashtw vitesh ata përballen me një gjykatë që ka rënë krejt keq. Secili prej nesh ka besuar në drejtësinë ndërkombëtare. Megjithatë, unë e kam përjetuar vetë në lëkurën time, kështu që atje veç drejtësi s’ka. Po megjithatë, unë pres që ata burra kanë me u kthyer te familjet dhe vendi i tyre sepse këtu e kanë vendin”, tha ai.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, shpreson se procesi në Hagë është beteja e fundit për ish-krerët e UÇK-së, prej të cilës pret që ata të lirohen.
“Nuk guxoj as me mendu që mund të jetë një vendim kundër vullnetit edhe dëshirës të popullit shqiptar. Një vendim që merret në emër të popullit të Kosovës duhet të jetë vendim i lirisë. Ata duhet të lirohen, të kthehen të lirë në tokën e lirë për të cilën kanë dhënë shumë, dhe uroj që kjo të jetë beteja e fundit në Hagë për Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe për çdo ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, as nuk guxoj me imagjinu një vendim tjetër që merret në emër të popullit të Kosovës, përveç që të shpallen të pafajshëm dhe të kthehen të lirë në Kosovën e lirë”, tha ajo.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, kujtoi se si në Likoshan ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, si dhe janë zhvilluar shumë bisedime në mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe atyre ndërkombëtarë, derisa më 16 shtator, kur edhe do të jepet vendimi për ish-drejtuesit e UÇK-së nga Gjykata Speciale, thotë se do të jetë ditë e fitores për shqiptarët.
“Me 16 shtator do të jetë një fitore e madhe e shqiptarëve, do të jetë pavarësia e dytë e Kosovës apo çlirimi i dytë i Kosovës, duke parë se Serbia dhe Rusia janë bërë dy forca bashkë dhe kanë tentu që ta njollosin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Po fatbardhësisht nuk kanë mund t’a njollosin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e ditur se ushtria jonë guerile e UÇK-së ka qenë një guerile e pastër, ka qenë një ushtri e drejtë e cila ka bërë luftë brenda vendit të vet, ka bërë luftë në tokat e veta dhe ka bërë luftë çlirimtare për me i çliru kombet shqiptare nga hordhitë apo nga ushtria, policia serbe dhe nga paramilitarët çetnikë serbë, nga një kasap i Ballkanit i ashtuquajtur Millosheviçi. …. Unë dua të shpresoj, besoj që me 16-in i gjithë kombi shqiptar do të gëzohet në Prishtinë”, tha ai.
Ai shpreson që vendimi i Speciales të mos jetë negativ, në të kundërtën nuk e përjashton mundësinë se mund të ketë revoltë.
“Nëse dënohen ata, dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dënohen krerët e UÇK-së, vetë ata të cilët kanë shpall shtetin. Atëherë, a e dini çfarë? Do të ketë një revoltë qytetare të paparashikueshme. Do të thotë, revolta qytetare dihet kur dalin qytetarët në rrugë, atëherë do të jetë një revoltë e paparashikueshme e qytetarëve, e të gjithë shqiptarëve, mendoj edhe në Shqipëri edhe Maqedoni e këtu. Po unë nuk e besoj se Serbia… më fal, Gjykata Speciale do të bëjë gabimin e dytë. Ajo e bëri një gabim, që i mori krerët e UÇK-së, i mbajti peng që gjashtë vite, edhe tash nuk besoj se do të gabojë që t’i dënojë ata, po ata do të jetë vendim lirues. Që atij vendimi edhe fëmija në djep do t’i gëzohet edhe do t’i gëzohemi ne të gjithë”, tha ai.
Ai theksoi se më shumë se 1 milionë shqiptarë do ta presin vendimin e Gjykatës Speciale, derisa shtoi se edhe një numër i madh i mërgatës do të jetë atë ditë në Holandë./KosovaPress/