E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në Pekin mbahet gjysmëmaratona e parë në botë e robotëve humanoidë

Në Pekin nisi të dielën gjysmëmaratona e parë në botë e robotëve humanoidë, që do të testojë limitet fizike dhe elektronike të robotëve dykëmbësh.

Maratona 21 kilometra e gjatë u mbajt në zonën E-Town të kryeqytetit kinez, e specializuar në teknologjitë e avancuara.

Gara nisi nën ritmet e këngës “I Believe” dhe robotët u vendosën njëri pas tjetrit, ndërsa qytetarët dhe dashamirësit e teknologjisë qëndronin anash me telefona për t’i fotografuar. Një nga androidët e vegjël në trup u rrëzua në tokë për disa minuta, duke u pritur me duartrokitje në fund, kur ia doli të ngrihet me sukses pas disa tentativave.

“Të hysh në këtë pistë mund të jetë një hap i vogël për humanët, por është një hap gjigant për robotët humanoidë. Kjo maratonë do i çojë robotët humanoidë një hap më afër industrializimit,” u shpreh Liang Liang, zëvendësdrejtori i Komitetit Menaxhues të zonës E-Town në Pekin.

Në maratonën e së shtunës morën pjesën 20 ekipe nga e gjithë Kina. Gjatësia e robotëve varion nga 75 cm në 180 cm, ndërsa pesha shkon deri në 88 kg.

Disa prej robotëve vrapuan në mënyrë autonome, kurse të tjerët u komanduan nga inxhinierët e tyre në largësi – makineritë dhe njerëzit vrapuan në pista të ndryshme. Sipas inxhinierëve, objektivi i garës është përfundimi i saj, jo fitorja.

“Realisht ka shumë pak mundësi për industrinë tonë që [robotët] të vrapojnë me tërë shpejtësinë përgjatë një distance apo kohe kaq të gjatë. Është një test serioz për baterinë, motorët, strukturën, madje edhe algoritmet,” tha Cui Wenhao, një inxhinier 28-vjeçar nga kompania Noetix Robotics.

Kina, ekonomia e dytë më e madhe e botës, po kërkon të marrë dominancën globale në fushën e inteligjencës artificiale (IA) dhe robotikës, duke sfiduar hapur Shtetet e Bashkuara.

Në muajin janar, kompania kineze DeepSeek tërhoqi vëmendjen me një program kompjuteri IA, që pretendohet se është më pak i kushtueshëm sesa rivalët amerikanë. /AFP

/rtsh.al/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›