Në Qendrën e Studentëve vendosen kamerat

Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës, ka vendosur kamerat për rritjen e sigurisë të studentëve si dhe rritjen e përgjegjshmërisë të punës së stafit. Projekti i cili ka kushtuar rreth 30 mijë euro është në kuadër të përmirësimit të kushteve për studentë. Kamerat janë vendosur në të gjitha objektet e konvikteve, sallën 1 Tetori, si dhe ambientet e jashtme të qendrës.
Drejtori i Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Fatmir Sfishta, thotë për Radio Kosovën, se vendimi për vendosjen e kamerave është marrë me qëllim të rritjes se sigurisë për studentët si dhe të rritjes së përgjegjshmërisë të punës së stafit. Ky vendim është marrë në fillim të vitit kur është bërë edhe planifikimi buxhetor, thotë Sfishta, duke shtuar se investimi është bërë me mjete vetanake në vlerë prej 30 mijë euro, njofton RK.
“Vendimi është marrë si pasojë e asaj që e kemi parë të nevojshme që të rritet siguria në Qendrën e Studentëve dhe kemi ardhur në përfundim që me vendosjen e sistemit të monitorimit me kamera do të ketë reflektim në rritjen e sigurisë për studentët si dhe rritje të përgjegjshmërisë të stafit ndaj punës së vet që e kanë në qendër”, tha ai.
Sfishta bëri të ditur se janë 52 kamera që janë vendosur në konviktet e Qendrës së Studentëve./Indeksonline/