Berisha: Për 2-3 javë Tiranë-Elbasan për 20 minuta

Kryeministri i vendit dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ndal sot në rrethin e Gramshit , ku përuroi rikonstruksionin e rrugës Drizë-Porocan. Ndërsa përmendi avantazhet që do të kenë banorët e kësaj zonë me ndërtimin e kësaj rruge, kryeministri paralajmëroi edhe hapjen e autostradës Tiranë-Elbasan, brenda 2 ose 3 javëve të ardhshme.
"Kjo rrugë u shërben 11 mijë banorëve. Do të bëjë të mundur që banorët e këtyre fshatrave të nxjerrin prodhimet e tyre shumë me lehtësi në tregun e Gramshit, Elbasanit dhe shumë shpejt edhe në tregun e Tiranës, 20 minuta nga Elbasani.
Rruga është një investim prej 331 milionë lekë dhe bën të mundur realisht zhvillimin e të gjitha potencialeve të kësaj zone.
Në rrethin e Gramshit kemi investuar dhe do investojmë derisa të asfaltohet edhe kilometri i fundit i rrugëve të këtij rrethi", u shpreh kryeministri Berisha, transmeton Albeu. Ai premtoi hapjen e vendeve të reja të punës në katër vitet e ardhshme, shtimin e granteve për fermerët, ndërsa ripërsëriti angazhimin për të vazhduar me ndërtimin e rrugëve në çdo skaj të vendit./Indeksonline/