E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Sojevë ndërtohet trafostacioni 400 kilovoltësh

Ferizaj, 28 gusht - Autoritete të komunës dhe të distriktit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Ferizaj, kanë bërë të ditur se brenda një kohe të shkurtër do të fillojë ndërtimi i një trafostacioni 400 kilovoltësh në Sojevë të Ferizajt, që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike për gjithë Kosovën Juglindore.

Komuna e Ferizajt tashmë ka marrë vendim paraprak për shpronësimin e mbi dhjetë
pronave, ku do të ndërtohet trafoja e re.
Sipas informacioneve të KEK-ut, rajoni i Ferizajt furnizohet me energji elektrike përmes një largpërçuesi të stërngarkuar, të lidhur me trafostacionin Prishtina 4. Ndërsa trafostacioni i ri do të ketë lidhje me linjën Obiliq – Shkup.
Trafostacioni do të jetë nyjë e linjës eksport-import drejt Shkupit dhe do të krijojë furnizim shumë më të mirë me energji elektrike, pohon për KosovaLive menaxheri i distriktit të Ferizajt, Izet Rushiti.
Bëhet e ditur se parapërgatitjet për ndërtimin e trafostacionit të ri tashmë kanë përfunduar, ndërkohë që komuna ka kontaktuar me banorët e shpronësuar.
Trafostacioni 400 kilovoltësh llogaritet të kushtojë mbi 10 milionë euro, ndërsa do të financohet nga qeveria e Kosovës dhe Agjencia Evropiane për Rindërtim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›