Në Studime përkujtohen të rënët

Maji i vitit 1999 konsiderohet të jetë muaji në të cilin qytetarët e Komunës së Vushtrrisë dhanë qindra jetë për lirinë e vendit. Të gjitha familjet e kësaj komune bartin mbi vete një histori trishtuese të përpjekjeve nga tmerret e krimeve serbe.
Në fshatin Studime të Komunës së Vushtrrisë sot janë përkujtuar 140 shqiptarë të vrarë.
“Mosbraktisja e vendit në majin e vitit 1999 ishte vërtet një qëndresë karshi një barbarie të paparë të forcave kriminale serbe. Lufta e UÇK-së, intervenimi i NATO-s dhe qëndresa e popullit asgjësuan një fuqi baroti në zemër të Evropës, për të hapur rrugën e ngadhënjimit të demokracive perëndimore në gjithë rajonin ” tha kryetari i komunës Bajram Mulaku.
Ai në këtë akademi duke folur për mosndëshkimin nga drejtësia të kriminelëve të luftës theksoi: “Brengë të përbashkët kemi mosdënimin e krimit dhe kriminelëve. Janë 14 vite të kaluara nga 2 maji i vitit 1999 dhe drejtësia, qoftë ajo ndërkombëtare a vendore nuk ka bërë asgjë në kapjen e ekzekutorëve të krimeve. Institucionet komunale, familjarët e martirëve të lirisë kanë treguar gatishmëri maksimale për të ofruar dëshmi të bollshme për të gjitha krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullatës civile” tha Mulaku.
Kryesuesi i kuvendit komunal Habib Mustafa masakrën e Studimes e konsideroi si një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga pushtuesi serb ndaj popullatës civile. Ai duke iu drejtuar familjarëve të martirëve theksoi: “Qëndroni të fortë karshi dhembjes së madhe që ndjeni për bijtë, bijat, baballarët dhe të afërmit tuaj me ç’rast duhet të jeni krenarë për ta!” tha Mustafa. Në emër të familjarëve të martirëve të gjithë pjesëmarrësit në përkujtim të këtij përvjetori foli Fehmi Gërxhaliu. Ai kërkoi që drejtësia më në fund të vendoset dhe kriminelët të kapen, gjersa kërkoi edhe angazhim më të madh institucional për familjet e martirëve. Gërxhaliu gjithashtu porositi familjarët që t’ua shpjegojnë gjeneratave të reja krimet serbe të kryera mbi popullatën civile.
Në ditën e 2 majit, të përcjellur nga dhuna e shfrenuar policore serbe u dëbuan rreth 30 mijë banorë përtej Kosove, shumica gra e fëmijë, ndërsa 3000 mijë burrat e zënë peng u dërguan në burgun e Smrekonicës, i cili ngjasonte në një kamp përqendrimi, ku janë torturuar në mënyrën më shtazore përreth 20 ditë, pastaj ata që shpëtuan i dëbuan jashtë vendit.
Në Studime, në maj të vitit 1999 u vranë së pari 9 persona, anëtarë të familjes Rashica, pastaj më vonë edhe 6 të tjerë dhe 8 vajza të reja, 6 nga të cilat të familjes Gërguri, aty te përrocka e fshatit. Po në maj u ekzekutua barbarisht nga militarët serb familja 12 anëtarëshe e Selatin Gërxhaliut, nga të cilët 7 ishin fëmijë. Krimi më mizor dhe i programuar në operacionin ‘’Patkoi’’, ndodhi në mbrëmjen e 2 majit, kur forca të mëdha ushtarake, policore e paramilitare i zunë pritën kolonës së madhe të qytetarëve në grykën e përroskës dhe për dy orë vranë rreth 100 civilë, ndërsa plagosën qindra të tjerë, dhunuan dhe plaçkitën popullatën e pafajshme civile. /Indeksonline/