Në burg për blerje votash, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Fredi Belerit për masë më të lehtë sigurie

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e kreut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, për masë më të lehtë sigurie. Beleri ndodhet në burg, i akuzuar për blerje votash.
Më 18 shtator, Belerit iu rrëzua e njëjta kërkesë edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit, ndërsa seanca u ndoq edhe nga ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.
Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur që më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.
Në zgjedhjet e 14 majit, Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.
Beleri, pjesë e minoritetit grek, u arrestua për blerje votash, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi. Ky i fundit u la nga GJKKO në “detyrim paraqitje”, për shkak të problemeve shëndetësore. Arrestimi i tij ka sjellë reagime të ashpra të Greqisë, që e kanë konsideruar shkelje të të drejtave të njeriut.
/rtsh.al/