E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Në çastin e duhur”- Luarasi: Radioja mbetet dashuria ime e parë! Politika ishte një hap i menduar gjatë

Gazetarja dhe deputetja Iris Luarasi, e ftuar në emisionin “Në çastin e duhur” në RTSH, ka ndarë momente të veçanta nga jeta e saj profesionale dhe personale, duke rrëfyer për fillimet në radio, sfidat si grua aktive në shoqëri dhe përvojën e saj në politikë.

“Kam hyrë në vitet ’90 në studion e Radio Tiranës. Mendoj se do të mbetet një dashuri deri në fund të jetës, sepse ka një magji që nuk ta jep asnjë kamer tjetër. Është magjia pas mikrofonit, ku me anë të zërit përcjell ide”, u shpreh Luarasi.

Ajo shtoi se radioja ka ndikuar ndjeshëm në formimin e saj si gazetare.

“Kur fillon të bësh gazetari, kupton sa e rëndësishme është ta ndjesh këtë profesion. Kuptova që e dashuroja të merresha me njerëzit, t’i pyesja, t’i nxisja për shqetësimet që kishin, t’i sillja në mikrofon. Radio më dha shumë dhe më ndihmoi edhe në gazetarinë investigative”, tha gazetarja.

Luarasi foli edhe për përfshirjen e saj në organizatat e grave, duke theksuar rolin e solidaritetit dhe përkushtimit në periudha të vështira.

“U futa në një organizatë për të kuptuar se ç’mund të bëja më shumë për të ndryshuar situatën. Kemi pasur raste kur punonim pa pagesë, sepse ideja ishte: ose do ta mbyllim qendrën, ose do ta mbajmë me forca vullnetare. M’u mbush zemra kur pashë që 9 nga 10 persona vendosën të qëndronin, tha ajo.

Në intervistë, Luarasi foli me ndjeshmëri edhe për raportin me fëmijët ndërsa u shpreh se “Kam pasur një raport mes nënës dhe shoqes. Jam përpjekur të jem aty pranë”.

Ajo pranoi se ka ndjerë herë pas here ndjenjën e fajit për shkak të angazhimeve të shumta.

“Gjatë gjithë jetës kam bërë tri punë. Kam dashur ta kompensoj me dashuri dhe përkujdesje. Asgjë nuk e zëvendëson kohën me fëmijën, por ajo kohë cilësore që kalon bashkë nuk ka të paguar”, shtoi ajo.

Në lidhje me hyrjen në politikë, Luarasi u shpreh se nuk ishte një vendim i lehtë dhe që ishte i menduar gjatë.

“Angazhimi në politikë nuk u mirëprit nga familja, por vjen një moment kur kauzat që mbron të çojnë drejt një niveli tjetër. E kam menduar gjatë, sepse besoj që brenda sistemit mund të shtysh përpara ato për të cilat ke luftuar, sikurse të drejtat e njeriut dhe media”, tha Luarasi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›