Në dhjetor 2011 Kosova kishte 1,798,645 banorë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në përputhje me praktikat e instaluara që çdo vit të bëjë vlerësimin e numrit të popullsisë në nivel vendi, ka publikuar të dhënat sipas të cilave më 31 dhjetor të vitit 2011 në Kosovë kishte 1,798,645 banorë.
Këto janë të dhënat e fundit zyrtare të vlerësuara për numrin e popullsisë së Kosovës në nivel të komunave për vitin 2011, thuhet në komunikatën për medie. Vlerësimi i ardhshëm (për vitin 2012) do të bëhet deri nga mesi i vitit 2013.
Deri në regjistrimin e parafundit zyrtar, atë të vitit 1981, edhe popullsia që punonte dhe jetonte për një kohë jashtë Kosovës është llogaritur si popullsi e vendit. Pra, vlerësimet e mëhershme për numrin e popullsisë përfshinin edhe popullsinë jo-rezidente. Ndërkohë, me Regjistrimin e fundit të Popullsisë të vitit 2011 është përfshirë vetëm popullsia rezidente, sqaron Agjencia e Statistikave./Indeksonline/