E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në dhjetor, gati 398 banesa për të pastrehët

Bashkia e Tiranës premton përfundimin e projektit më të madh të strehimit me banesa sociale

Në muajin dhjetor të këtij viti, Bashkia e Tiranës ka premtuar se do të dorëzojë çelësat e shtëpive për rreth 398 familje të pastreha që numërohen nën “çatinë” kryeqytetase. Ndërtimi i këtyre banesave, me qëllim social, që ka nisur të zbatohet që gjatë vitit 2009, sipas planifikimeve të bashkisë më të madhe në vend, parashikohet që të përfundojë në muajin që mbyll vitin 2010.
Një lajm i tillë për 4005 familjet e pastreha të Tiranës vjen nga vetë përfaqësuesit vendorë në kryeqytet.

Ky projekt i ndërtimit të këtyre 398 banesave në zonën e ish- Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë është financuar me kredinë e akorduar nga Banka e Këshillit të Europës (CEB) fillimisht me shumën 5,685,000 euro dhe më pas kjo vlerë u shtua me 662,000 euro, duke e çuar shumën e kredisë në 6,347,000 euro.

Pas përfundimit të ndërtimit të këtyre banesave, bëjnë të ditur përfaqësuesit vendorë, do të fillojë edhe përzgjedhja paraprake e qytetarëve, të cilët do të trajtohen me strehim dhe lista emërore e tyre do t’i kalojë për shqyrtim dhe miratim Këshillit Bashkiak kryeqytetas.

“Sipas projekteve trevjeçare për strehim social po shqyrtohet mundësia e ndërtimit të banesave nëpërmjet partneriteteve publike dhe private, mbështetur në legjislacionin në fuqi për këtë bashkëpunim, në ndihmë të komunitetit në nevojë”, shprehen përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës.
Po kështu, ata sqarojnë më tej se “objektet e dala jashtë funksionit që kanë kaluar në pronësi të bashkive dhe janë miratuar për të kaluar në fond banesash sociale me qira në përputhje me planin rregullues urbanistik, do të vlerësohen për t’u zbatuar nga ky program.

Bonusi i qirave

Përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës, lidhur me zbatimin e projektit për bonusin e qirave, pohojnë se ky do të jetë një nënprogram alternativ i të parti. Ai do të trajtojë të pastrehët dhe veçanërisht familjet në vështirësi ekonomike. Nga ky nënprogram do të trajtohen çdo vit 100-200 të pastrehë. Mënyra e përzgjedhjes së tyre do të jetë nëpërmjet një sistemi pikëzimi të miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak, sistem i cili do të përcaktojë edhe kategoritë përfituese. Në këtë funksion bëhet e ditur se banesat ekzistuese në pronësi të personave fizikë apo juridikë të klasifikuara si banesa sociale mund të jepen me qira për familjet që mund të përfitojnë bonus strehimi.

Kosto e ulët

Programi i banesave me kosto të ulët është një tjetër alternativë e konsideruar si zgjidhje, për një pjesë të familjeve të pastreha që kanë nevojë për ndihmë. Ky program, sipas përfaqësuesve të bashkisë, i jep mundësi vendorëve të ndërtojnë apo të blejnë banesa nga tregu i lirë, të cilat jepen me kontratë qiraje apo me kredi të subvencionuara nga shteti, sipas udhëzimeve dhe akteve nënligjore që mbështesin këtë program.

Trualli

Një program i tretë i parashikuar nga ligji dhe i detyruar për t’u zbatuar nga vendorët kryeqytetas për strehimin e familjeve në nevojë, është ai i pajisjes së truallit me infrastrukturë. Ky program konsiston në trajtimin e rasteve të të pastrehëve. Ai parashikon përcaktimin e truallit, pajisjen me infrastrukturën përkatëse dhe vënien në dispozicion për kategoritë e qytetarëve që kanë aplikuar për t’u trajtuar nga ky program.

Bashkia e Tiranës ka përcaktuar një program dhjetëvjeçar që përbën edhe strategjinë e strehimit social në kryeqytet, pas miratimit të ligjit për strehimin social në zonat urbane. Objektivat afatmesme të strehimit shtrihen në vitet 2010-2012, ndërsa ato afatgjatë janë programuar në harkun kohor 2007-2017.

Aktualisht mësohet se ekziston edhe softi me bazën e të dhënave mbi të pastrehët në kryeqytet.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›