Në formatin e një emisioni të ri
- Jam në leksion, – i shpjegoj jashtë derës së auditorit- Nuk mund tju dëgjoj tani.
- Po unë kam tri orë rresht që ju telefonoj pa ndërprerë, – thotë e revoltuar dhe ankestare femra e televizionit. – Ndërsa tani më thoni se prapë duhet tju pres!?
- E kuptoj këmbënguljen tuaj, por unë kam 4 orë leksione rresht, ndaj duhet të prisni. Nuk kam ndonjë zgjidhje më të mirë në këto rrethana.
Pas orës së katërt ajo telefonoi përsëri:
- Po tani, mund të flasim?
- Po ju dëgjoj, ju lutem…
- Emisioni ynë quhet Hapësirë meditative. Është një format i ri, që zgjat një orë. Ky që po përgatisim është emisioni i tretë. E keni ndjekur?
- Me vjen keq… nuk kam mundur.
- Zakonisht zgjedhim vila ose restorante me dekor atraktiv… për rastin tuaj kemi menduar të dalim jashtë Tirane, në një vilë druri të stilizuar në frymë etnografike.
- Po, por unë…
- Mos e kini problem: do vijmë tju marrim dhe ju sjellim me makinë.
- Jo, se kam aty… Puna është se pasdite…
- Ju lutem, zoti Tufa! Miku juaj që punon me grupin tonë na garantoi që…
Dua ti shpjegoj që ime shoqe është jashtë shtetit dhe nuk kam me kë ti lë fëmijët e vegjël. Por përmendja e mikut më shtrëngon të bëj kujdes. Më kujtohet, njëmend, ndonëse turbull ai mik i imi që është angazhuar në njëfarë emisioni. Refuzimi im mund ta vendosë në vështirësi.
- Mirë, mirë… – them duke e gëlltitur arsyen e vërtetë të pasditeve të mia të zëna me fëmijët. – Në çfarë orë do të vini?
- Në gjashtë e gjysmë-shtatë. Të telefonojmë ne…
- Kur mendoni se mbarojmë?
- Nga nënta, nëntë e gjysma.
- Mirë, – them dhe mbyll telefonin.
Jam krejtësisht i acaruar pas bisedës. Me veten time. Bëj një përllogaritje se kush mund të më zëvendësojë. Nuk zhgënjehem që me shpresën e parë. Më ndihmon fati: një studente nga farefisi ynë e merr përsipër dadon, pa shumë të lutura. Por, ajme, ndeshjen e shumëpritur të futbollit nuk do ta shoh, pavarësisht se mund të kap, ndoshta, një pjesë të mirë të pjesës së dytë. Ata që e adhurojnë futbollin, e dinë mirë se çdo të thotë të humbasësh një ndeshje të rëndësishme të Barcelonës.
Kështu, në gjashtë e gjysmë të mbrëmjes udhëtojmë jashtë Tirane në autostradë. Lëmë autostradën dhe pas disa zigzageve ndërmjet ngrehinash të stërmëdha e gjithë reklama pompoze – të gjitha të ngjashme me njëra tjetrën – ndalemi në dyert e njërës. Aty te portat e hekurta na pret drejtuesja e njohur e emisioneve, një fytyrë fort familjare për ekranin e atij televizioni që ka ndërruar emër tash së voni.
- Mos! – thotë ajo, sapo më sheh, duke më matë e çmatë me sy një copë herë, sikur të më kërkojë të më ngjisë një etiketë çmimi.
- Çfarë ka që nuk shkon? – them, duke kundruar veten për ndonjë gjë të dyshimtë.
- Duhej të vije me kostum… ndërsa kështu… si shumë sportiv… me xhinse… A ktheheni në shtëpi? Po, po. Kthehuni në shtëpi, – i bëzajti ajo shoferit – sa të veshë kostumin zotëria dhe…
- Kot e ke, – ia pres shkurt. – Po u ktheva, nuk vij më prapë.
- Po kështu nuk…
- Skam ndërmend të humb më kohë… Unë nuk jam skllav i juaj, – them i fyer.
- Po nuk ma pranon etika e emisionit, më kuptoni drejt…
- Ashtu ë? Dëgjo mi goce: të kujtoheshe më parë për këtë dhe ta dish – të kam ardhur gjithë pishmanllëk, duke lënë punët e mia lëmsh. Tek e fundit, çfarë më jep ti për kohën dhe nervat që po humb me ty dhe emisionin tënd? Pse duhet të shqetësohem unë?
- Mirë, de mirë… jemi miq, mos u nxeh me mua! Hajde se do të sajojmë diçka, – thotë dhe më zgjat dorën miqësisht, si të dojë të më prijë në ndofarë parajse sekrete.
Kështu, hyjmë brenda oborrit dhe kalojmë kthesë pas kthesash në një ndërtesë aq të gjatë, sa duke ecur për minuta të tëra nëpër hangarët e saj të pambarim, kam përshtypjen se do të dalim në Rinas. Më në fund ndalojmë para një ashensori, dalim në tarracë dhe vazhdojmë ecjen, derisa arrijmë në fund të perspektivës, aty ku mbaron tarraca dhe ngrihet një vilë dy-trekatëshe druri. Për një farë kohe u endëm rreth e rrotull asaj mrekullie të sajuar me të gjitha finesat stilistike e ekzotike të drurit. Hyjmë brenda dhe aty më ftohet mendja krejt: një përrallë e vërtetë. E ka ndërtuar firma… për imazh – thotë miku im. Ndërkaq, janë pozicionuar kamerat brenda interierit ku do të zhvillohet biseda, sikundërse dhe karriget – kundruall – anash një oxhaku elegant, brenda të cilit digjeshin shijshëm dru të thata, si të vizatuara.
Ka kaluar gati një orë dhe regjistrimi i emisionit nuk po fillon. Shoh orën dhe alarmohem. Ka rrezik të mos shoh asnjë minutë nga loja e Barcelonës. Më në fund, mi vënë kufjet dhe më ulin në karrige, por prapë, drejtuesja e njohur nuk ka ndërmend të fillojë. Shoh se është shumë e shqetësuar. Dyshimin që ka ia vërtetojnë kameramanët.
- Nuk mund të fillojmë, – thotë. – E di çke ti? Pse nuk del të pish një cigare jashtë? Do na duhet të presim nja njëzetë minuta të tjera.
- Pse?! – them i prishur në fytyrë.
- Po ja… gjithë tualeti im ka shkrirë në fytyrë dhe dukem skandal në kamera! Duhet të presim sa të digjet kjo barrë drush në oxhak.
- Çfarë thua?! – them. – Drutë mund të zgjasin dhe një orë…!
- Skemi çbëjmë, – thotë thatë ajo.
- Pse skemi çbëjmë? Marrim një kovë ujë dhe e shuajmë!
- Nuk duhet! Zjarri në oxhak është një element i domosdoshëm për atmosferën e interierit.
Shfryj buzët në mëdyshje dhe dal. Pas meje vjen dhe ajo.
- Ja pra, erdha të të bëj shoqëri… Ma jep një cigare, – thotë dhe fut vetë gishtërinjtë nervozë në paketë. Ia ndez.
Që në shtëllungën e parë të tymit, që e shfryn përpjetë duke tundur balluket, thërret befas gjithë ngazëllim:
-Stop! E gjeta! – dhe me gisht bën gjest që ta pres një sekondë. Vrapon në hyrje dhe thërret me zë të lartë mikun tim që ka në staf. Ai vjen aty, menjëherë. Na mat të dyve me sy, herë njërin, herë tjetrin, mandej thotë: Shkëlqyeshëm!. Fill pas këtij mejtimi, flak bishtin e cigares dhe bën me gjest ta ndjekim brenda. Sapo hyjmë, i jep urdhër mikut tim:
- Ti, hiqe këtë jelekun e zi dhe jepja Agronit… Ndërsa Agroni heq pulovrin… Përftohet shumë bukur: me xhinse, këmishë e jelek – tamam familjaritet shtëpiak. Kështu e eliminojmë domosdoshmërinë e kostumit.
Sna mbetet tjetër. Prishaqefas hyjmë në banjën e vilës prej druri dhe këmbejmë rrobat.
Më në fund ulemi dhe, lavdi Zotit, biseda fillon. E do të kishim mbaruar shpejt, sikur…
- Stop! Stop. Stop! Çfarë ka more Keli? – i drejtohet ajo njërit prej djemve që po xhirojnë.
- Nuk ka zë zotëria! – shpall ai. – Nuk i funksionon mikrofoni më duket…
- Nga cila pyetje tia rifillojmë? Gjeje dhe na thuaj!
Heshtje. Mandej kërkesa për prova zëri. Një-dy-tre…
- Ta kishin bërë që në fillim këtë provë, jo tani pas gjysmë ore bisedë! – them i nevrikosur.
- Hë more Keli, ku tia fillojmë…?
- Eeee… Fatkeqësisht… që nga fillimi!
Drejtuesja prek faqet me dorë për të kontrolluar lagështirën e kozmetikës së saj. Shfryn, duke parë gjoja me keqardhje nga ana ime dhe hap pafajësisht pëllëmbët në drejtime të përkundërta, sikur don të thotë: Epo çti bësh? I ka zanati këto tani….
Rifillon gjithçka nga e para. Mundohem të përgjigjem sa më thatë e sa më shkurt. Jo si herën e parë. Stopohen kamerat. Drejtuesja më thotë:
- Shtjelloji ca më shumë përgjigjet, jo aq lakonike…
- Pse? – them.
- Seps
