E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunuesit sjanë ngrirë

Nga Mero Baze

Spiralja e dhunës në të cilën po hyn fushata elektorale po ngre pikëpyetje serioze për mosveprimin e drejtësisë ndaj fakteve publike që provojnë fajtorët. Përveç krye-skandalit të komandantit të RENEA-s me pasuesin e Bashës në detyrë, ka dhe katër- pesë raste të tjera flagrante siç ishte dhe rasti i përplasjes së opozitës me një çetë tropojanësh në bulevard për një çadër elektorale, ku shihet qartë frymëzimi politik i dhunës nga Berisha.

Argumentet përse drejtësia nuk po vepron po bëhen përditë e më të lodhshme, pasi sipas tyre ata nuk duan të ndërhyjnë në procesin elektoral.  Ky kompleksim i drejtësisë prej Berishës po zbulon në të vërtetë projektin e tij për ta lënë përgjegjësinë jetime dhe për të shtyrë pas 8 majit gjykimin e saj.

Dy javë më parë, ndërsa Lulëzim Basha dorëzoi formalisht zyrën e Ministrit të Brendshëm, u ngritën disa pikëpyetje për njeriun që do të ishte përgjegjës për mbarëvajtjen e fushatës elektorale, ndërkohë që vendi nuk kishte Ministër të Brendshëm. Edhe pse të gjithë e dimë që Ministri i ri është sërish Sali Berisha, ka rëndësi emri konkret, pasi në raste të tilla duhet të formalizohet dhe përgjegjësi ligjor për dhunën në fushatë dhe sidomos skandalin me urdhrin për përdorimin e policisë kundër opozitës. Berisha, i cili u duk se pati ndjeshmëri ndaj këtij debati, premtoi në një intervistë televizive se do ta zëvendësonte Bashën para zgjedhjeve. Por në fakt nuk ndodhi asgjë. Basha shfaqet në rrugët e Tiranës me badigardët e gardës së Republikës që e shoqërojnë dhe dhjetëra makina drejtorësh të tij, ndërsa zëvendësin që ka lënë në zyrë, e ka çuar në prokurori një zyrtar i lartë i policisë për urdhra të paligjshme për përdorimin e policisë.

Dje Berisha u shfaq sërish në një emision televiziv dhe nuk pranoi të bënte komente rreth këtij skandali. Ai foli për çështje që janë në hetim, sikur ato çështje të mos i kenë shkaktuar vartës të urdhëruar prej tij. Këtu shihet qartë arsyeja përse Berisha nuk e zëvendësoi Lulëzim Bashën në Ministri të Brendshme. Duke vendosur aty formalisht një figurinë si Peka, Berisha në të vërtetë po dirigjon një fushatë nga më të dhunshmet elektorale që nga viti 1996. Bile në disa aspekte kjo fushatë është edhe më e dhunshme se ajo fushatë. Në asnjë rast tjetër në historinë e fushatave elektorale në Shqipëri nuk ka pasur kaq shumë dhunë, gati çdo ditë. Dhe gjithandej është protagoniste qeveria. Një natë më parë vetëm 200 mera larg zyrës së kryeministrit, një grup tropojanësh të punësuar në Inspektoratin e Policisë Ndërtimore, u konfrontuan fizikisht me mbështetësit e Partisë Socialiste për ngritjen e një çadre. Edhe pse nga pikëpamja elektorale skena ishte kundër Bashës pasi dukej si një luftë mes tropojanëve të tij dhe kryeqytetasve, sërish ishte e shëmtuar. Po ashtu dje mbasdite një i ri socialist u plagos me thikë ndërsa kalonte para zyrave të LSI në Komunën e Parisit, ndërsa lajmet për dhunë po shtohen në çdo qytet të Shqipërisë. Në gjithë këtë histori shihet qartë se ka një strategji të pushtetit për të tensionuar situatën dhe të frikësuar opozitën. Situata, nëse vazhdon me këto ritme, mund të dalë jashtë kontrollit dhe në fund të gjithë do të kërkojmë Ministrin përgjegjës, i cili nuk është në zyrë, por në fushatë rrugëve të Tiranës. Në këto kushte i vetmi mekanizëm që mund të frenojë dhunën është reagimi i menjëhershëm i prokurorisë.

Skandali mes pasuesit të Bashës në detyrë dhe komandantit të RENEA-s është i pashembullt në historinë e policisë së shtetit shqiptar, dhe ai ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi zgjedhjet. Prokuroria nuk mund ta trajtojë atë çështje si dy bura që janë sharë nga nëna në telefon, por si një rrezik që kërcënon stabilitetin e Shqipërisë pasi është denoncimi i parë që një zyrtar i lartë i policisë i bën strategjisë së dhunës politike në vend. Ajo çështje do përgjigje sa më shpejt, mundësisht brenda dy- tri ditëve. Kjo ka shumë rëndësi për të ndalur spiralen e rrezikshme të dhunës në të cilën Berisha po fut këtë fushatë elektorale.

Po ashtu është e turpshme të përflitet se pas 8 majit do të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë të pushtetit, sidomos ata që janë të përzjerë me çështjen e kasetave të Dritan Priftit. Kur i pyet përse nuk mund të arrestohen më parë, përgjigja është sa naive, aq dhe demoralizuese: Nuk duhet ti përdorim arrestimet në fushatë elektorale. Në një farë mënyre Berisha ia ka arritur ti ngrijë” denimin e dhunuesve  deri më 8 maj dhe të mos dënohen. Por dhunuesit s’jane ngrire. Ata po vazhdojne dhunen.

Në të vërtetë nëse ka një gjë për të cilën Berisha dhe Ilir Meta duhet të paguajnë politikisht, bile në fushatë elektorale, është korrupsioni. Të shtysh ndëshkimin për një skandal të tillë publik për pas zgjedhjeve, është të ndikosh realisht në zgjedhje në favor të hajdutëve. Po ashtu është e turpshme që një çështje kaq urgjente siç është përdorimi i policisë kundër opozitës të shtyhet si çështje që duhet të hetohet me kalimin e kohës. Ajo ka rëndësi tani, ndërkohë që fushata po kryhet. Nëse e gjykon pas 8 majit ska asnjë vlerë. Pas 8 majit gjyqin e bën Berisha dhe ne të gjithë  e marrim me mend se kush do ta pësojë. Do dëgjojmë ndonjë letër anonime që Shemsi Prençi është i korruptuar dhe ai do lirohet nga detyra. Problemi është të veprohet tani, me qëllim që drejtësia të ndalë spiralen e dhunës ku Berisha po fut betejën elektorale. Veprimi i menjëhershëm i drejtësisë mund ta shmangë përplasjen madhe. Mosveprimi në këtë rast është përdorim shumë më i madh politik i drejtësisë prej pushtetit se sa veprimi i saj. Pasi siç ka thënë dhe Berisha Trimat pas beteje dhe burrat pas Kuvendi, si duhen akujt.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›