Në gjykim në Belgjikë për kultivim droge, GJKKO sekuestron 5 pasuritë të vëllezërve Bardhok dhe Kastriot Shota

Tre apartamente, një tokë dhe një motor janë sekuestruar me vendim të GJKKO pasi dyshohet se janë vënë nga paratë e krimit. Pasuritë janë në emër të vëllezërve Bardhok dhe Kastriot Shota, si dhe familjarëve të lidhur me ta, të cilët janë në gjykim në Belgjikë për kultivim droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
“Subjektet e këtij procedimi pasuror vëllezërit Bardhok Shota dhe Kastriot Shota, banues në fshatin Derven, Fushë Krujë, janë hetuar dhe po gjykohen nga autoritetet e Mbretërisë së Belgjikës, pasi në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal janë marrë me aktivitetin e kundraligjshëm të kultivimit të kanabisit gjatë periudhës Qershor-Korrik 2020, si dhe nga autoritetet ligjzbatuese belge janë zbuluar disa plantacione me kanabis në zonat Saint-Josse-Ten-Noode dhe Antwerp”, njoftoi sot SPAK.
Pasuritë e sekuestruar janë 3 apartamente në Golem, Kavajë dhe një tokë në proces legazlimi në Kodër-Derven, Krujë si dhe një motor. Për Administrimin dhe përdorimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme është ngarkuar Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë
Pasuritë e sekuestruara
1.Pasuri e paluajtshme në pronësi eventuale të shtetasit Gj. Shota (babai i subjekteve të hetimit pasuror), e deklaruar në proces legalizimi e ndodhur në Kodër-Derven, Krujë.
2.Pasurisë së paluajtshme “Apartament” nr. 1, me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi prej 50.3 (pesëdhjetë pikë tre) m², i ndodhur në Golem-Kavajë, në pronësi eventuale të shtetasit Gj. Shota (babai i subjekteve të hetimit pasuror).
3.Pasurisë së paluajtshme “Apartament” nr. 2, me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi prej 45.2 (dyzet e pesë pikë 2) m², i ndodhur në Golem-Kavajë, në pronësi eventuale të shtetasit Gj. Shota (babai i subjekteve të hetimit pasuror).
4.Pasurisë së paluajtshme “Apartament” nr. 3, me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi prej 40.2 (dyzet pikë 2) m², i ndodhur në Golem-Kavajë, në pronësi eventuale të shtetasit Gj. Shota (babai i subjekteve të hetimit pasuror).
5.Pasurisë së luajtshme mjetit motorik të markës Dayang, modeli DY110-18, vit prodhimi 2013, i llojit motor.
/rtsh.al/