Në kampin e Vloçishtit, Kutelin e varrosën të gjallë

Efterpi Skendi (Pasko) duke rrëfyer për Panorama
Kur ishte në kampin e Vloçishtit, Dhimitrin e varrosën të gjallë. Dëshmia tronditëse e Efterpi Paskos përmbyll rrëfimin e të shoqes së poetit të persekutuar. Nga kujtimet e 88-vjeçares që ka ndarë për 20 vjet gëzimet dhe hallet me Kutelin, në numrin e kaluar publikuam fakte e dëshmi të panjohura nga jeta dhe veprimtaria e tij. Pjesët më dramatike për Paskon mbeten dorëshkrimet e pabotuara, librat e sakatuar nga censura dhe testamenti që shkroi ditët e fundit, destinuar për tu lexuar pas vdekjes.
…vijon nga numri i kaluar

Mitrush Kuteli ne Pogradec
Një javë pasi doli nga burgu e deri në gusht shkuam në Pogradec. Në Tiranë nuk kishim shtëpi, pasi na kishte dalë urbanizimi. Gjatë kësaj periudhe, Dhimitri, kohën më të madhe e kalonte me përkthime, të cilat ia dërgonin nga Zëri i Popullit, por edhe me krijime të tijat. Në gusht të vitit 49 e emëruan te Zëri i Popullit, në sektorin e përkthimeve. Tanimë që u rregullua me punë, problem mbetej strehimi. Për disa kohë qëndruam te një i afërmi ynë. Më pas, kur na lindi vajza, shkuam në hotel…
Gazeta Zëri i Popullit në atë kohë ishte organ i Komitetit Qendror të Partisë. Çfarë nënkuptonte besueshmëri të lartë politike të njerëzve që punonin aty. Mitrushi sa kishte dalë nga burgu, si i dënuar politik…
Në atë kohë e morën sepse kishin nevojë të ngutshme. Kur gjetën një tjetër siç iu përshtatej, e hoqën menjëherë. Sa punoi te Zëri i Popullit, në përgjithësi kaloi mirë. Megjithatë, fakti që kishte qenë dënuar për agjitacion e propagandë, nuk e la pa telashe. Çdo komunikim, çdo sjellje e tij shikohej me kujdes të madh. Patjetër në emër të parimeve. I vënë në këtë vëzhgim, nuk do tu shpëtonte kritikave e bile edhe goditjeve…
Mbani mënd raste të tilla?
Raste ka pasur disa, por tani pas kaq vitesh, nuk më kujtohen të gjitha. Mbaj mënd rastin kur e nxorën në gazetën e murit në formë karikature me diçiturën Amerikaniada e shokut Pasko. Me anë të saj mundoheshin ta godisnin si intelektual borgjez…
Pra, te Zëri i Popullit Kutelit i kanë bërë një fletë-rrufe…
Në atë periudhë nuk kishin dalë fletë-rrufetë. Në vende publike e në qendra pune kishte gazeta muri, ku goditeshin sjelljet e shfaqjet e papërshtatshme me kohën, me frymën e saj. Kjo fushatë me karikatura e bejte të ndryshme, drejtohej nga lartë e shitej si zëri i masës…
Çfarë nënkuptonte në këtë rast diçitura Amerikaniada e shokut Pasko?
Gjatë punës në redaksi, një moment Dhimitri kishte vënë këmbët mbi një karrige aty pranë. Që nga koha e burgut ai kishte probleme me gjymtyrët dhe vuante nga dhimbjet e reumatizmës. Dikush e kishte parë dhe i ishte kundërvënë menjëherë. Një qëndrim i tillë, sipas tij, nuk mund ti falej askujt, dhe jo më Dhimitrit që ishte dënuar për agjitacion e propagandë.
Kjo ishte e mjaftueshme që redaksia e gazetës së murit, brenda redaksisë së Zërit të Popullit, ta vinte në ballë të kritikave dhe goditjes. Këtë here me diçiturën e padëgjuar më parë, Amerikaniada e shokut Pasko…
Sa kohë punoi te Zëri i Popullit?
Te Zëri i Popullit punoi gati dy vjet. Në vitin 1953 e transferuan në shtëpinë botuese Naim Frashëri, gjithnjë si përkthyes, por jo si nëpunës në bordero. Aty paguhej me normë sipas sasisë së faqeve të përkthyera. Ishte kjo një rraskapitje e tmerrshme. Punonte gjithë ditën e gjithë natën për ti dorëzuar materialet sipas afateve. Nuk më kujtohet me saktësi sa lekë e vlerësonin për faqe, por di të them që këtë mënyrë vlerësimi, Dhimitri e quante qesharake. Kjo mbetej e vetmja mënyrë jetese. Pikërisht në këtë periudhë ka përkthyer nga disa gjuhë mjaft nga kryeveprat e kohës. Të gjitha pa emrin e tij, sepse vazhdonte të ishte i padëshirueshëm…
Ndërkohë nuk kishte ende të drejtën e botimit dhe nuk bënte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve?
Sa ishte në burg, por edhe disa vite më pas, as që bëhej fjalë për ti dhënë të drejtë botimi. Pasi doli nga burgu, i dërguan një letër nga Lidhja e Shkrimtarëve, ku e njoftonin se nuk ishte anëtar i saj. Pra, duhej të vazhdonte me normën e përkthimit. Të drejtën për tu bërë anëtar i Lidhjes ia dhanë shumë kohë më vonë, falë ndihmës së Drago Siliqit që bëri çishte e mundur për ti kthyer të drejtën e botimit. Në verën e vitit 66 më në fund i dhanë një leje krijimi njëvjeçare. U gëzua jashtë mase e shpresoi mjaft për tu dhënë jetë subjekteve të ndryshme, por nuk zgjati shumë. Në fillimin e 67-s, kur kishte nisur fushata e letrës së hapur për thellimin e frymës revolucionare, Lidhja e Shkrimtarëve e pa të udhës tia ndërpresë lejen e krijimtarisë. Në dëshpërim e sipër, Dhimitri la në mes veprat e nisura dhe rifilloi punën me përkthimet e normuara…
Si e përjetonte Mitrushi këtë klimë mbytëse?
E tërë periudha pas burgut ishte e vështirë dhe plot ankth. Ca më tepër kur lindën fëmijët, Polikseni, Atalanta, Pandeliu dhe Doruntina. Megjithatë, Dhimtri, falë kurajës, gjente forca për ta përballuar. Ndodhi një periudhë që e renditën krahas Konicës, Fishtës e Koliqit, si poetë të padëshiruar. Bile-bile, kjo përmendej si vjershë kudo, sidomos midis krijuesve. Çbëhet kështu, i thashë një ditë e frikësuar. Nuk e shikon, ma ktheu ai me buzën në gaz, po më nderojnë shumë dhe duhet ti falënderoj…
Në kujtimet e bashkëkohësve dhe miqve të tij flitet se Kuteli e ka parandier vdekjen, madje ka lënë edhe testament para saj…
Pak a shumë kështu ka ndodhur. Të paktën mua ma ka shfaqur në disa raste. Ka qenë një situatë e vështirë. Unë e dija që ishte i sëmurë se e shikoja, por nuk ia ushqeja kurrë atë mendim dhe i thosha vetëm që të kujdesej për veten. Parandjenjën e vdekjes muajt e fundit të jetës e bëri si një lloj refreni…
Pra, në një farë mënyre kishte filluar të bashkëjetonte me vdekjen…
Në ditët e fundit të Dhimitrit u botua e famshmja Letër e hapur që bëri zhurmë të madhe. Flitej për luftën e klasave, për thellimin e saj. Flitej për armiq të rinj në fusha të ndryshme. Flitej për goditje të reja, për internime e urbanizime të tjera. Rrethi i të ndëshkuarve shtohej orë e çast. Në këtë fushatë spastrimi, Dhimitri me të drejtë ndjehej i rrezikuar. Vetë fryma që mbizotëronte dukej sikur drejtohej ndaj atyre që e kishin falur e mbase edhe ndaj atyre që e kishin mëshiruar për të shpëtuar gjallë nga kampi i Vloçishtit. Kjo nënkuptonte përgatitjen e një ridënimi të mundshëm, në mos degdisjen nga Tirana. Pra, situata bëhej e rëndë nga dita në ditë. Një mbrëmje Dhimitri ma tha haptas. Rrallë kishte ndodhur të më fliste kështu. Dëgjo Efterpi, – më tha – si po rrjedhin gjërat, keq e mos më keq ka për të shkuar….
Me një fjalë, ndjehej i rrezikuar.
Kjo u bë e qartë me ndërprerjen e menjëhershme të lejes krijuese në fillim të 67-s. Ishte kulmi i fushatës që kishte ndezur letra e hapur. Kërcënimi tanimë ishte real, që më së shumti, sipas Dhimitrit, do të kishte pasoja te fëmijët.
Jua shprehu atë natë kërcënimin që parashikonte?
Ti Efterpi – më tha,