E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Në kërkim nga Italia për trafik droge, arrestohet 32-vjeçari

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Një 32-vjeçar, pjesëtari i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve, është arrestuar nga policia në Durrës me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.

Policia e Durrësit njofton se si rezultat i aksioneve intensive të kryera me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Sektori i Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Latitant”.

“Gjatë operacionit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Erjon Meshi alias Arjon Mema, 32 vjeç”, njofton policia.

Sipas policisë gjykata e Trentos i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Mbajtje e paligjshme, shitje, prodhim, shpërndarje dhe trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›