Në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, arrestohet në Turqi Ibrahim Liçi

Autoritete turke kanë arrestuar të shumëkërkuarin nga drejtësia shqiptare Ibrahim Liçin, i cili akuzohet për ekzekutimin e Endri Mustafës më 17 maj të 2021. Sinjalet që ai ndodhej në Turqi i ishin dhënë autoritete shqiptare që prej 2022, ku nisën edhe plotësimi i dokumentacionit për ekstradimin e tij dhe vuajtjen e dënimit në Shqipëri.
51-vjeçari Liçi u kap gjatë operacionit të koduar “Jehona”, ndërsa prej kohësh fshihej në Turqi.
Endri Mustafa u gjet i ekzekutuar në zonën e Livadheve në Shkodër më 17 maj 2021, 3 ditë pasi familja e tij kishte denoncuar zhdukjen. Ai ka qenë i arrestuar më parë për plagosje, për fajde dhe grabitje.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shperthyese dhe municionit”.
Ibrahim Liçi është një emër i njohur për policinë pasi akuzohet për një sërë veprash kriminale ndodhur në qytetin e Shkodrës.
Për arrestimin e Ibrahim Liçit, ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili thotë se bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese në botë po zgjerohet.
“Përgëzime Policisë së Shtetit, Interpol Tirana, Interpol Ankara për arrestimin në Stamboll, Turqi të një personi shumë të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Interpol po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ata ndodhen. Ky bashkëpunim po zgjerohet edhe me agjenicitë e vendeve me të cilat s’kemi ende një marrëveshje ekstradimi”, shkruan Balla.
/rtsh.al/