E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim prej një viti për shitje dhe prodhim të narkotikëve, arrestohet 45 vjeçari nga Shijaku

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Masa”, duke arrestuar shtetasin E. K., alias A. K., 45 vjeç, banues në Xhafzotaj, Shijak, i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

45-vjeçari ishte në kërkim që prej janarit 2025, pasi Gjykata e Durrësit kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Arrestimi u krye nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.

Njoftim i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Masa”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Me masë sigurie “Arrest në burg”, i shpallur në kërkim prej janarit 2025, kapet dhe vihet në pranga i kërkuari për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Në zbatim të planit të masave të hartuar për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, si rezultat i kontrolleve të bazuara në informacione të siguruara në rrugë operative nga strukturat e DVP Durrës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Masa”.

Si rezultat i operacionit u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi E. K., alias A. K., 45 vjeç, banues në Xhafzotaj, Shijak.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në korrik të vitit 2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në janar 2025, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike, strukturat e DVP Durrës kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë sekuestruar një sasi lënde narkotike kanabis. Në momentin e kontrollit, ky shtetas nuk u gjet në banesë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›