E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të hajdutit tjetër

Share

Nga Mero Baze

Debati për lotarinë kombëtare dhe prekjen e interesit publik nga mënyra se si qeveria po e shet atë, ka një konstante të përditshme. Për çdo akuzë të opozitës apo shtypit kundër qeverisë lidhur me klientelizmin e kësaj lotarie, ka gjithmonë një përpjekje të qeverisë për të gjetur një interes të opozitës apo shtypit në këtë debat. Kështu, fillimisht debati shpërtheu pasi kompanitë e skualifikuara zbuluan se mënyra se si qeveria shqiptare po e jepte lotarinë, cenonte interesin publik të shqiptarëve, pasi të ardhurat shkonin tek kompania dhe jo tek buxheti i shtetit. Bode shpërtheu duke shpikur teorinë se për të kishte rëndësi serioziteti i kompanisë dhe jo paret që do merrte buxheti. Edhe pse në raste të tjera, siç ishte interkonjeksioni, kishte përdorur kriter çmimin, tani përdori seriozitetin e kompanisë, të cilën në fakt nuk kemi mundësi ta verifikojmë përveçse të pyesim Zamirin dhe Shkëlzenin që shkojnë çdo fundjavë në Vjenë dhe i njohin nga afër sa seriozë janë.

Pasi ky debat u konsumua dhe opozita këmbënguli tek korrupsioni me lotarinë duke deklaruar se do ta anulojë atë kur të vijë në pushtet, shpërtheu akuza e dytë sipas të cilës opozita ka hallin e klientit të saj. I caktuan me këtë rast si klient një kompani konkurruese greke, e afërt me Kokalisin, një miliarder grek. Pastaj doli që Berisha vetë ia kish premtuar Kokalisit këtë licencë, por ishte nxituar, pasi nuk ishte konsultuar më parë me Zamirin dhe Shkëlzenin, të cilët njihnin një më serioze në Vjenë.

Doli Ridvan Bode dhe shpjegoi se nuk ishte ai që i kish përzgjedhur, por konsulenti që kish gjetur qeveria. Edhe këtu u bë lëmsh, pasi u provua që konsulenti, njësoj si në rastin e Rrugës së Kombit, ishte përzgjedhur disa muaj pasi ishte marrë vendimi i përzgjedhjes. Më tej u verifikua që konsulentin e kish caktuar një Friedrich Sticler, që përveçse president i Shoqatës Evropiane të Lotarive Shtetërore, mban njëkohësisht edhe postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Lotarisë Kombëtare të Austrisë dhe anëtari i bordit të saj që prej vitit 1986. Përsëri Ministria e Bodes nuk u përmbajt dhe akuzoi shtypin që zbuloi këtë skandal se ka interesa në këtë lotari…

Kronikat e debatit mund të zgjaten pa fund dhe varfëria e argumenteve të Bodes do të vazhdojë të bëjë kontrast me pasurinë që po bën me këtë licencë, por një gjë ka mbetur e pandryshuar dhe banale në këtë debat: Sali Berisha dhe Ridvan Bode nuk kanë më asnjë shpjegim për botën, për shoqërinë, për tenderët, për ligjet, për debatet, për gjithçka që shoqëron jetën publike në këtë vend përveç interesit personal. Ata mendojnë se nuk ka më interes publik, nuk ka më opozitë, nuk ka më media që mbron qytetarët, nuk ka më shoqëri civile, nuk ka më aktorë apo qytetarë në këtë vend që mund të ngrenë zërin pa pasur një interes. Të dhënë aq shumë pas parasë dhe hajdutërisë me të cilën gdhihen dhe erren, të zaptuar nga ethet e floririt që gjendet pas çdo firme apo shkrese të qeverisë që shet interesin publik, ajrin, ujin, tokën dhe nëntokën e këtij vendi, të lidhur ngushtë me biznesmenë sekserë që tashmë komandojnë jo vetëm biznesin, por dhe politikën në këtë vend, këta çuditen se si mund të ketë njerëz që tu prishin terezinë dhe tu heqin paret nga duart duke mos i dashur për vete. Shikoni sa i çuditur është Arben Ristani dhe sa aguridh duket në argumentet e tij kur flet për firmat e qytetarëve që duan të bëhet referendum për plehrat. Nuk e kupton se çfarë interesi kanë këta njerëz që duan ti heqin nga duart Doktorit miliona euro që mafia mund ti japë për plehrat. Thellë- thellë e kupton pse Doktori e bën këtë krim, pasi e di që do marrë miliona, por nuk e kupton çdo fitojnë këta qytetarë që nuk duan të bëhet importi i plehrave.

Shikoni reagimin e administratës ndaj medies. Gjithmonë duan të gjejnë një arsye përse media kritikon. Meqë TV Klani ka marrë garanci që lotaria e austriakëve të Zamirit do shfaqet në ekranin e saj me një kontratë të majme mujore, tani Berisha, Bode dhe bolët rrotull tyre mendojnë se çdo medie, çdo televizion dhe sidomos Top Channel, nuk ka hallin e interesit publik, por ka hallin e vet që sdo transmetojë këtë lotari.

Me këtë rreth të mbyllur vicioz të gjykimit të një skandali, Berisha, Bode dhe bolët rrotull thjesht tregojnë me sinqeritet se ata janë në biznesin e tyre dhe se media, qytetarët dhe opozita po u bien më qafë për ndonjë interes të tyre. Shkalla ekstreme e degradimit të tyre nuk është pse po shesin interesin publik, nuk është pse po shesin Shqipërinë dhe po bëhen miliarderë, por se çdo kundërshtim ndaj tyre nuk është interes publik, por interes i ngjashëm personal. Aq shumë janë zhytur në spiralen e interesit të tyre korruptiv sa nuk besojnë më sinqerisht se në këtë vend kanë ngelur akoma qytetarë, gazetarë apo opozitarë që nuk duan asgjë, por nuk duan që qeveria ti vjedhë, ti helmatisë apo ti poshtërojë duke u shitur plaçkitjen për ndershmëri. Janë aq të përfshirë emocionalisht në atë që po bëjnë, sa çdokush që ua prish atë ëndërr, u duket menjëherë si hajduti tjetër, si një plehraxhi tjetër, si një bixhozxhi tjetër. Ngaqë jetojnë e qeverisin si hajdutë, mendojnë se betejën e vetme e kanë me ata. Kanë harruar që po vjedhin në sytë tanë, në sytë e atyre që po vidhen.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›