Në krye të Federatës Europiane të Peshëngritjes: Suksesi i Astrit Hasanit!

Doktor Astrit Hasani, President i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, foli për arritjen e tij në drejtimin e një pozicioni të rëndësishëm.
Besim Hasani, ish-president i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe babai i Astritit, tha se nëse Astriti nuk do të kishte aftësi, nuk do të ishte zgjedhur.
“Nëse Astriti nuk do të kishte aftësitë, nuk do të ishte zgjedhur. Perëndimorët, gjermanët, italianët, nuk do ta vinin dikë për të udhëhequr nëse Astriti, nuk do të përmbushte aftësitë e tyre. Asnjëherë nuk i ka premtuar dikujt, diçka që nuk mund ta realizonte. Ai analizon gjithçka mirë dhe pastaj merr vendim. Këtu qëndron dallimi mes njerëzve të lartë dhe të tjerëve,” – tha babai i Astritit, Besim Hasani.
Astrit Hasani tregoi se, gara për pozitat e larta nuk ishte e lehtë, por ia doli.
“Fillimisht, ishim 6 kandidatë. Pas disa procedurave të tjera, mbetëm vetëm dy kandidatë. Në bashkëpunim me vëllain tim, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjithë bordin ekzekutiv, ia dolëm. Kam pasur mbështetje të fortë nga shtetet nordike, vende që janë të angazhuara për barazi dhe integritet. Po ashtu, kam pasur mbështetje edhe nga Polonia,” – tha ai.