E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çfarë do të thotë “Albania Veneta”?

Në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, u trajtua termi “Albania Veneta”. Marjola Shehi shpjegoi se “Albania Veneta” është një term historik që i referohet periudhës dhe territorit të kontrolluar nga Republika e Venecies në Shqipëri gjatë mesjetës.

“‘Albania Veneta’ është një term historik që i referohet periudhës dhe territorit të kontrolluar nga Republika e Venecies në Shqipëri, gjatë mesjetës. Në shekujt XIV dhe XV, Republika e Venecies ishte një nga fuqitë më të mëdha të kohës, me ndikim të madh në tregtinë dhe politikën e Mesdheut. Venecia kontrollonte disa qytete dhe territore në bregdetin shqiptar, duke i dhënë kështu një ndikim të fortë ekonomik dhe kulturor mbi këtë rajon. Venecianët përpiqeshin të mbajnë kontrollin mbi këto zona përmes një administrate të fuqishme, duke përfshirë sistemin e taksave dhe mbrojtjen e porteve të rëndësishme, që kishin vlerë ekonomike dhe strategjike për tregtinë dhe komunikimin me Italinë dhe pjesët e tjera të Mesdheut,” – tha Marjola Shehi.

Nazarko theksoi se viset që kontrolloheshin shtriheshin deri afër Venecies.

“Venediku nuk kontrollonte vetëm viset e Shqipërisë së sotme, por këto vise shtriheshin përgjatë bregdetit Adriatik, deri afër Venecies,” – vijoi Nazarko.

Shehi shtoi se, kontrolli venecian mbi Shqipërinë filloi të dobësohej në shekullin XVI.

“Kontrolli venecian mbi Shqipërinë filloi të dobësohej në shekullin XVI për shkak të kërcënimit nga osmanët dhe problemeve të brendshme të Venecies. Në fund, pas një periudhe të gjatë dominimi venecian, osmanët e pushtuan plotësisht territorin shqiptar, duke përfshirë edhe ato pjesë që dikur ishin nën administratën veneciane. Republika e Venecies kishte një ndikim të madh në disa territore të Shqipërisë, kryesisht bregdetare, duke lënë një gjurmë të thellë në kulturën, ekonominë dhe administratën e këtyre territoreve. Ky ndikim u zhduk pas përhapjes së pushtimit osman në rajon,” – tha Shehi.

Alban Kraja, shkrimtar dhe historian, shpjegoi se ku shtrihej “Albania Veneta”.

“Duhet të kthehemi më mbrapa në historinë e qytetërimit europian. Po të kthehemi në histori, kuptojmë pse ishte kjo afërsi. ‘Albania Veneta’ fillonte që nga delta e lumit Po dhe shtrihej në gjithë bregdetin dalmat. Ajo vinte deri në Shkodër, hynte në Durrës, vazhdonte në Vlorë dhe ulej më poshtë. Ne njohim vetëm një pjesë të saj, që është hulumtuar nga europianët,” – tha Kraja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›