E Diel, 1 Nëntor 2026

Në listën e 100 më të kërkuarve në Itali, ekstradohen dy persona të dënuar për vrasje

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi se ditën e sotme u ekstraduan drejt Italisë dy shtetas të dënuar për vrasje, të kapur në Dibër në mars 2025.

Sipas Policisë, dy kushërinjtë janë të renditur në listën e 100 personave më të kërkuar në Itali, të cilët prej vitit 1999 fshiheshin në Dibër dhe përdornin identitete të tjera.

“Operacioni për kapjen e tyre u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri dhe Shërbimin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se në përfundim të procedurave për ekstradim, ditën e sotme, nga Interpol Tirana, u ekstraduan drejt Italisë shtetasit Andon (alias Afrim) Sina, 52 vjeç dhe Niko (alias Faslli) Sina, 49 vjeç, të dy banues në fshatin Rreth-Kalë, Dibër.

Këta shtetas, sipas Policisë së Shtetit janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit e Napolit, në Itali, në vitin 2006, me nga 14 vjet e 11 muaj burgim secili, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasja e mbetur në tentativë”.

Policia, thekson se “në komunën Gricignano d’Aversa, më datë 22.09.1999, kanë vrarë me sende të forta dhe mjete prerëse shtetasin shqiptar B. C. dhe kanë plagosur rëndë shtetasin shqiptar F. S., për arsye të lidhura me ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme”.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›