Në maj hapet tenderi për dhënien me konçesion të autostradës Thumanë-Rogozhinë

Tenderi për dhënien më koncesion të autostradës Thumanë-Rrogozhinë pritet të hapet në mesin e muajit maj. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit është në fazën përfundimtare të përgatitjes së dokumentacionit për zhvillimin e tenderit për ndërtimin me koncesion të autostradës Thumanë-Rrogozhinë, me një gjatësi prej 66 kilometrash. Burime zyrtare të ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (MPPTT), thanë sot se firma kroate "Konstruktor-Inzenjering" d.d- Split, ka shprehur interesin për të marrë me konçesion ndërtimin e autostradës Thumanë-Rrogozhinë. "Firma kroate Konstruktor-Inzenjering d.d- Split ka shprehur vetë interesin për të marrë këtë rrugë me konçesion dhe MPPTT dhe ajo e Ekonomisë, e kanë mirëpritur kërkesën e tyre", thanë burimet. Sipas tyre, firma kroate ka përgatitur studimin e fizibilitetit, projekt-idenë, analizën financiare, studimin mjedisor, preventivin përkatës për zbatimin dhe shfrytëzimin, ndërsa një grup pune, i ngritur në MPPTT, ka shqyrtuar vërtetësinë dhe ligjshmërinë e gjithë dokumentacionit. Referuar studimit fillestar që ka sjellë kjo kompani, thanë burimet zyrtare të MPPTT-së, mendohet që ndërtimi i rrugës të kushtojë rreth 620 milionë euro. "Qeveria i ka dhënë 4 pikë nga 10 pikët e mundëshme dhe aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së dokumentacionit për të dalë më pas në tender", shtuan burimet zyrtare. Nga studimet e kryera deri më sot, ku më kryesoret janë dy: studimi i aksit Veri-Jug dhe Masterplanit i Transportit të Shqipërisë, kryer nga kompania "Louis Berger" në 2005, rezulton se pikërisht segmenti rrugor vertikal Thumanë-Rrogozhinë zgjidh problemet e mbingopjes të trafikut automobilistik në Shqipërinë Qendrore, shkurton distancat e transportit Jug-Veri dhe ansjelltas dhe realizon lidhjet e tyre me Tiranën dhe Aeroportin ndërkombëtar Nënë-Tereza. Në të njëjtën kohë, sipas burimeve të MPPTT-së, ky segment rrugor mbetet e vetmja mundësi për të shkarkuar trafikun e jashtëzakonshëm të segmentit Tiranë-Durrës dhe Durrës-Rrogozhinë, që sipas studimit të Masterplanit të Transportit, rreth vitit 2023 mund të arrijë në seksione të veçanta, në një trafik deri në 60.000 automjete në vit. Segmenti Thumanë-Rrogozhinë vlerësohet si "shtylla kurrizore" për gjithë infrastrukturën rrugore të vendit, pasi ndërtimi i tij lehtëson trafikun e Shqipërisë Qendrore, në të cilën zhvillohet 80- 85% e gjithë volumit të trafikut të vendit, ku jeton 4/5 e popullsisë dhe ekonomisë së vendit. Një nga drejtimet më të rëndësishme të trafikut është edhe aksi rrugor Tiranë-Jugu i Shqipërisë, që përfshin Rrogozhinë-Lushnjë-Fier-Vlorë-Gjirokastër. Me ndërtimin e lotit Pezë-Rrogozhinë, ky segment shkurton distancat me rreth 25 km dhe kohën e udhëtimit me rreth 30 minuta për të gjithë lëvizjet nga Jugu drejt kryeqytetit, Aeroportit Ndërkombëtar dhe Veriut të vendit, duke rezultuar me kursime të konsiderueshme.
...