Tiranë-Durrës mund të shndërrohet në një Shenzhen të Evropës për teknologjinë e lartë
Kryeministri Sali Berisha premton masa për të lehtësuar zgjerimin e aktivitetit ekonomik të bizneseve të huaja. Kompani të fuqishme kineze shprehin interes të madh për investime në Shqipëri
TIRANE - Kompanitë e fuqishme të tregut Kinez dhe që operojnë në një sërë vendesh të zhvilluara perëndimore dhe më gjerë, shprehin interes të jashtëzakonshëm, për të investuar në Shqipëri. Kompani të teknologjisë së fuqishme, si në prodhimet e telekomunikacionit apo ato industriale, shprehen të gatshme për të investuar në vendin tonë, madje duke specifikuar edhe zonën e ndërtimit, ku theksi është vënë te hapësira Tiranë-Durrës, e përshtatshme për ndërtimin e kampeve industriale.
Parku industrial i Shenzhenit
Gjatë vizitës zyrtare në Kinë, me ftesë të kryeministrit Wen Jibao, kreu i qeverisë Sali Berisha, vizitoi dje parkun industrial të teknologjisë së lartë në qytetin e Shenzhenit, i krijuar në vitin 1996, një nga gjashtë parqet më të mëdha në botë. Berisha u shpreh i impresionuar nga ky park madhështor, të cilin e quajti “margaritarin e Shenzhenit” dhe u shpreh se Shenzheni, por edhe Kina në përgjithësi janë tashmë liderë të teknologjisë së lartë në botë si dhe bëri të ditur se me anë të një dreke miqësore me kryetarin e bashkisë së Shenzhenit, pati diskutime të zgjeruara për potencialin që Shqipëria paraqet për investitorët kinezë të teknologjisë.
Gjatë takimit, Drejtori Ekzekutiv i Parkut, Zhang Hen Chun, e falënderoi Kryeministrin Berisha për vizitën e tij në këtë park dhe në Shenzhen, dhe bëri një prezantim të parkut dhe teknologjive më të reja që po zhvillohen brenda tij. Ai i ftoi bizneset shqiptare të këtyre fushave të bëhen pjesëtare të këtij parku në mënyrë që të përfitojnë nga inovacionet e tij.
Chun e shoqëroi kryeministrin Berisha të vizitojë ekspozitën e produkteve dhe kompanive që operojnë në këtë park, shumë prej të cilave, zënë vendet e para ne botë siç është rasti i teknologjisë optike.
Berisha tha, se në vlerësimin e tij, në vitin 2004 kompania konsulente me prestigjioze në botë Mc Kenzie është shprehur se zona Tiranë-Durrës mund të shndërrohet në një Shenzhen të Evropës për teknologjinë e lartë dhe se ai shpreson që kjo të arrihet.
Berisha e vuri theksin tek avantazhet që paraqet Shqipëria për investitorët e huaj, si pozicioni gjeografik pranë vendeve të BE-së, një klimë e shkëlqyer biznesi, taksat më të ulëta në Evropë, një forcë pune e shkolluar dhe të lirë si dhe lehtësirat që ka krijuar qeveria si iniciativa “Shqipëria një euro”, si dhe ftoi bizneset e parkut industrial të Shenzhenit të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, pasi qeveria shqiptare do të bëjnë çdo përpjekje që investimet e tyre të shndërrohen në histori suksesi. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se në Shqipëri ekziston një klimë shumë miqësore ndaj popullit kinez dhe kjo është në traditën e kombeve tona.
Parku industrial i Shenzhenit përbëhet nga 500 kompani të ndryshme teknologjie nga 121 vende të botës si Kina, Franca, Belgjika, Gjermania, Australia etj, si dhe 51 universitete të kërkimit shkencor nga e gjithë bota.
Gjatë vizitës së kryeministrit Berisha në Shenzhen ka pasur një interesim të madh të mediave kineze. Takimi është pasqyruar në edicionet e lajmeve të stacionit kinez CCTV dhe Kryeministri Berisha ka dhënë një intervistë për gazetën më të madhe të Shenzheni “Shenzhen Daily Neës”.
Kompania “Huawey International”
Presidenti i Huaway International, Ly Ke pasi i uroi kryeministrit Berisha mirëseardhjen, u shpreh se Shqipëria zë një vend shumë të rëndësishëm në strategjinë e zgjerimit të kompanisë Huaway në Evropë. Huaway Albania po zhvillon me shpejtësi rrjetet e komunikimit në Shqipëri nëpërmjet bashkëpunimit me Eagle Mobile.
Ai u shpreh se investimet e Huaway në Shqipëri do të vazhdojnë dhe falënderoi Kryeministrin Berisha për ndihmën e madhe dhe krijimin e një klime të shkëlqyer biznesi në Shqipëri. Në këtë kontekst, ftoi kryeministrin Berisha të asistojë në nënshkrimin e marrëveshjes së zgjerimit të aktivitetit ekonomik dhe shërbimeve të telekomunikacionit me kompaninë Eagle Mobile.
Kryeministri Berisha nga ana e tij falënderoi Huaway Albania për punën e shkëlqyer që ka bërë në Shqipëri dhe u shpreh se me qetësi dhe me punë të përkushtuar, kjo kompani është shndërruar në një pishtar të biznesit kinez në Shqipëri. Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin Ly Ke se qeveria që ai kryeson do të ndërmarrë të gjitha masat për të lehtësuar dhe mundësuar zgjerimin e aktivitetit të tyre ekonomik në Shqipëri. Çdo projekt që ju do të paraqisni, u shpreh kryeministri Berisha, do të ketë gjejë bashkëpunimin më të madh të qeverisë dhe të Kryeministrit.
Kompania e telekomunikacionit ZTE
Kryeministri Sali Berisha, në kuadër të vizitës zyrtare në Kinë, vizitoi dje selinë qendrore të kompanisë ZTE një nga kompanitë më të mëdha në botë për prodhimet e telefonisë, telekomunikacionit dhe rrjeteve ndërlidhëse me xhiro vjetore prej 4 miliard dollarë. Prodhimet e kësaj kompanie mbulojnë të gjithë gamën e prodhimit që nga fibrat optike, prodhimet e wireless, shërbimet e telefonisë fikse dhe celulare si dhe tregun e terminaleve.
President i Bordit të Kompanisë ZTE, Zhu Jinyan, gjatë takimit i shprehu kryeministrit Berisha mirënjohjen e thellë për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Ai u shpreh se ZTE ka ruajtur nivelin e rritjes vjetore prej 30 % edhe në kushtet e krizës ekonomike botërore si pasojë e politikave të rezervave të mëdha likuide të kompanisë.
Ai tha se ZTE është e nderuar që ka hapur një filial në Tiranë dhe ka patur bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë dhe me kryeministrin Berisha për projektin e saj të ADSL-së me kompaninë Albtelecom, faza e parë e së cilës është kompletuar dhe së shpejti do fillojë faza e dytë.
Nga ana e tij kreu i qeverisë shqiptare, falënderoi Presidentin e Bordit të kompanisë ZTE për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe për prezencën e tyre në tregun shqiptar.
“Unë jam shumë i lumtur dhe krenar që një kompani e rangut të ZTE operon në Shqipëri. Ju morët pjesë në një aktivitet shumë të rëndësishëm për kombin shqiptar, instalimin e ADSL (internet me shpejtësi të madhe) në bashkëpunim me Albtelecom,duke ofruar një çmim shumë herë më të ulët se të gjitha kompanitë konkurruese. Ky proces ka ecur më mirë se sa e mendoja, sepse qytetarët shqiptarë mund të pajisen me internet me shpejtësi të madhe duke marrë instalimin falas.
Siç e theksuat edhe ju, tha kryeministri Berisha, ekziston një miqësi tradicionale midis dy kombeve tona dhe kjo është një gjë shumë e çmuar për kombin tim.
Shqipëria, theksoi Berisha, ofron potenciale të mëdha për investitorët e huaj, si pozicioni gjeografik, një klimë të shkëlqyer biznesi, taksat më të ulëta në Evropë, një forcë pune te shkolluar dhe të lirë si dhe lehtësira që ka krijuar nëpërmjet iniciativës “Shqipëria një euro”.
Berisha theksoi se në takimet me Presidentin Hu Jintao dhe me Kryeministrin Wen Jiabao do t’u ofrojë atyre një zonë të lirë ekonomike në territorin midis Tiranës dhe Durrësit për investime nga bizneset kineze.
Në fund kryeministri Berisha vizitoi nga afër ambientet në linjën prodhuese të kompanisë ZTE.