E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u miratuan vendimet e mëposhtme: V E N D I M PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË MARRËVESHJEN E KONCESIONIT TË FORMËS "ROT", TË L

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u miratuan vendimet e mëposhtme:

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË MARRËVESHJEN E KONCESIONIT TË FORMËS "ROT", TË LIDHUR NDËRMJET MINISTRISË SË INDUSTRISË DHE ENERGJETIKËS E MINISTRISË SË EKONOMISË, NGA NJËRA ANË, DHE SHOQËRISË ITALIANE "ESSEGEI", S.P.A., NGA ANA TJETËR, PËR HIDROCENTRALET VENDORE, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.467, DATË 3.10.2002, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 124 e 128, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, "Kodi i Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë", me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në marrëveshjen e koncesionit të formës "ROT", të lidhur ndërmjet Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës e Ministrisë së Ekonomisë, nga njëra anë, dhe shoqërisë italiane "ESSEGEI", S.p.a., nga ana tjetër, për hidrocentralet vendore, miratuar me vendimin nr.467, datë 3.10.2002, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Në vendimin nr.467, datë 3.10.2002, të Këshillit të Ministrave, si dhe në tekstin e marrëveshjes bazë të koncesionit, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës e Ministrisë së Ekonomisë, nga njëra anë, dhe shoqërisë italiane "ESSEGEI", S.p.a., nga ana tjetër, fjalët "...Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës e Ministrisë së Ekonomisë..." zëvendësohen me "...Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës...".

3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

BASHKËPUNIMIN E INSPEKTORATIT SHTETËROR TË PUNËS ME MINISTRINË E BRENDSHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.9634, datë 30.10.2006, "Për inspektimin e punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës", me propozimin e ministrit të Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Inspektorati Shtetëror i Punës bashkëpunon me organet e Ministrisë së Brendshme, për të plotësuar misionin e vet, në ushtrimin e kontrollit për zbatimin e legjislacionit të punës nga subjektet.

2. Inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror të Punës duhet t'u krijohen të gjitha lehtësitë e nevojshme, për të realizuar kontrollin e personave, juridikë dhe fizikë.

3. Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Punës kërkojnë bashkëpunimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, kur:

a) pengohen forcërisht nga punëdhënësit apo personat e autorizuar prej tyre, për të hyrë në mjediset e ndërmarrjes, për të ushtruar kontroll, në përputhje me legjislacionin e punës.
b) gjatë kryerjes së funksionit të tyre, jeta e tyre është në rrezik.

4. Organet e Policisë së Shtetit, në rastet e një ndërhyrjeje urgjente, pas marrjes së njoftimit, zyrtar apo gojor, nga inspektorët e punës të drejtorive rajonale dhe zyrave vendore të inspektimit në punë, bashkëpunojnë me këta të fundit dhe me grupin e inspektorëve në ato subjekte, ku pengohet ushtrimi i detyrës së tyre.

5. Ngarkohen Ministria e Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E FONDIT LIMIT TË SHPENZIMEVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË RADIOS DHE TELEVIZIONIT, PËR VITIN 2007

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe tё nenit 12, tё ligjit nr.8410, datë 30.9.1998, «Për radion dhe televizionin, publik e privat, në Republikën e Shqipërisë», me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Miratimin e fondit limit të shpenzimeve të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, për vitin 2007, në shumën 66 000 000 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë) lekë, shpenzime korente, dhe 28 300 000(njëzet e tetë milionë e treqind mijë) lekë, shpenzime për investime.

2. Ngarkohet Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në « Fletoren zyrtare » dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.1.2007.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PER

LEJIMIN E KALIMIT TRANZIT TË DISA TRUPAVE USHTARAKE SLLOVENE, PËRMES TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 16, pika 2, 17, 18 e 19, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, "Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit", me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Lejimin e kalimit tranzit të 4 (katër) trupave dhe 2 (dy) mjeteve ushtarake sllovene, përmes territorit të Republikës së Shqipërisë, në itinerarin Durrës – Qafë-Thanë, në datën 26.3.2007.

Pika e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të jetë pika e kalimit të kufirit, Durrës.

Pika e daljes të jetë pika e kalimit të kufirit, Qafë-Thanë.

2. Procedurat për hyrjen, qëndrimin dhe daljen e këtyre trupave në/nga Republika e Shqipërisë janë parashikuar në "Marrëveshjen, ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave", nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951, dhe në "Marrëveshjen, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe shteteve të tjera, që marrin pjesë në Partneritetin për Paqe, përsa i përket statusit të forcave të tyre", nënshkruar në Bruksel, më 10 janar 1994, si dhe në protokollin shtesë të "Marrëveshjes, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe të shteteve të tjera, pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe, përsa i përket statusit të forcave të tyre", ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.8034, datë 22.11.1995.

3. Trupat sllovene, gjatë itinerarit të lëvizjes, të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

4. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›