Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha vizitoi Selinë e kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, në ditën e festës së Sulltan Nevruzit. Në takimin me Kryegjyshin Babë Dede Reshat Bardhi,
Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha vizitoi Selinë e kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, në ditën e festës së Sulltan Nevruzit.
Në takimin me Kryegjyshin Babë Dede Reshat Bardhi, Kryeministri Berisha u shpreh se bektashizmi ka qenë për shqiptarët, jo vetëm një shtyllë e vlerave të tyre të mëdha morale dhe shpirtërore, por edhe shtylla kryesore e atdhetarizmit të tyre.
Duke uruar të gjithë shqiptarët, në këtë ditë, Kryeministri u shpreh për mediat e pranishme:
"Shfrytëzoj këtë rast për t'u uruar ditën e Nevruzit të gjithë bektashinjve shqiptarë, të gjithë besimtarëve shqiptarë, si një ditë e shenjtë, ditë e madhe e lindjes, e shpresës, mirëkuptimit, e besimit. Gjithashtu, theksoj me këtë rast se bektashizmi ka qenë për shqiptarët, jo vetem një shtyllë kryesore e vlerave të tyre të mëdha morale shpirtërore, por ka qenë gjithnjë një shtyllë kryesore e atdhetarizmit të tyre. Ndaj dhe sot, së bashku me bektashinjtë, festojnë ditën e Nevruzit të gjithë shqiptarët."
Interesimit të gazetarëve në lidhje me çështje politike, Kryeministri iu përgjigj:
"Në këtë ditë politikën duhet ta shmangim dhe në urim të përfshijmë të gjithë shqiptarët, pa asnjë përjashtim, të të gjitha forcave politike, të të gjitha pozicioneve, ndaj dhe para se të merrem me politikë, sot, më lejoni ti uroj dhe kundërshtarët e mi politikë, gëzuar ditën e Nevruzit."