Në mesin e krizës më të madhe, Bashkimi Europian merr çmimin Nobel për Paqen
Çmimi Nobel për Paqen për këtë vit ka shkuar për Bashkimin Europian. Lajmin e bëri të ditur Komiteti i Çmimit Nobel në Oslo.
Drejtuesi i këtij Komiteti, Thorbjoern Jagland, e argumentoi dhënien e çmimit duke thënë se Bashkimi Europian për gjashtë dekada ka kontribuar në mënyrë vendimtare për paqen në Europë.
Çmimi Nobel është rreth 930 mijë euro dhe do jepet në një ceremoni më 10 dhjetor në Oslo.
BE ka qenë disa herë kandidate për të marrë këtë çmim. Dhënia pikërisht në këtë moment, kur po përjeton krizën më të madhe, është një vlerësim kundër euroskeptikëve.
Dhënia e çmimit ka habitur për shkak se në Komitetin e Çmimit Nobel ka përfaqësues të partive të ndryshme, ku përfshihen edhe euroskeptikë. Norvegjezët e kanë rrëzuar dy herë hyrjen në Bashkimin Europian.
Një televizion norvegjez e dha lajmin e marrjes së çmimit Nobel përpara se ai të jepej zyrtarisht. Në fakt që mbrëmë kishte zëra se çmimin do e merrte Bashkimi Europian.