Në përmbytjet në Arabinë Saudite, 16 të vdekur

Gjashtëmbëdhjetë (16) persona janë mbytur, kurse edhe të tjerë konsiderohen të zhdukur në përmbytjet që kanë goditur Arabinë Saudite, të shkaktuara nga të reshurat rekorde që në këtë mbretëri shkretinore nuk janë regjistruar gjatë 25 vjetëve të kaluar.
Shërbimi i mbrojtjes civile ka njoftuar se trupat e viktimave të përmbytjeve janë gjetur në disa pjesë të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Riad, pastaj në Baha, në jug, dhe Hali, në veri të vendit, transmeton Koha.net raportin e agjencisë franceze të lajmeve AFP.
Ky shërbim ka ftuar njerëzit që t’iu shmangen viseve të goditura me shi të rrëmbyeshëm, që ka filluar të bie para pesë ditëve.
Megjithëse një nivel kaq i lartë i ujërave në Arabinë Saudite nuk është regjistruar qe një çerek shekulli, në vitin 2011 në këtë vend nga përmbytjet humbën jetën 10 persona, kurse në përmbytjet e vitit 2009, në Xheda, patën humbur jetën 123 veta./Indeksonline/