E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në prag të samitit për bashkëpunimin rajonal, Policia merr masa dhe vendos kufizime qarkullimi në Tiranë

Tirana do të jetë sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare këtë të hënë, ku do të zhvillohet Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), një forum politik kyç që synon forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit.

Ky ministerial shënon edhe përmbylljen e presidencës njëvjeçare shqiptare në krye të SEECP-së, nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.

SEECP përfshin 13 vende pjesëmarrëse: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Kosovën dhe Turqinë.

Samiti i 16 qershorit pritet të mbledhë në Tiranë krerët e shteteve dhe përfaqësues të lartë diplomatikë të këtyre vendeve.

Në funksion të zhvillimit të këtij aktiviteti Policia e Tiranës ka njoftuar një sërë masash sigurie dhe kufizimesh të përkohshme në qarkullimin rrugor.

Në ardhje të delegacioneve, do të ketë ndërprerje të qarkullimit në këto akse:

Aeroporti i Rinasit; Mbikalimi i Kasharit; Autostrada Durrës–Tiranë ; Unaza e Re ;Rrethrrotullimi i Saukut; Rruga e Elbasanit ; Rruga “George W. Bush” ; Rruga “Urani Pano” ;Rruga “Dervish Hima” ; Në largim, delegacionet do të ndjekin itinerarin: Rruga “George W. Bush” ; Rruga e Elbasanit ;Rrethrrotullimi i Saukut; Unaza e Re ; Sheshi “Shqiponja” ; Autostrada Tiranë–Durrës ; Mbikalimi i Kasharit ;Aeroporti i Rinasit.

Gjatë zhvillimit të Samitit do të ketë kufizime shtesë në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe në Rrugën e Dibrës, ku përkohësisht do të ndalohet qarkullimi i automjeteve, parkimi i mjeteve dhe lëvizja e këmbësorëve.

Ndërsa orari i kufizimeve do të përcaktohet në varësi të mbërritjes dhe lëvizjes së delegacioneve në Aeroportin e Rinasit. Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar se këto masa janë të domosdoshme për garantimin e sigurisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›