E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në prill të 2013-s, furnizim me ujë të pandërprerë për të gjithë Tiranën”

08-08-2012 / Gazeta 55

Kryebashkiaku Lulzim Basha inspekton punimet në Ujësjellësin e Njësisë Bashkiake Nr. 4

Në fund të muajit tetor, 7500 banorë të Njësisë Bashkiake numër 4 do të kenë furnizim normal me ujë të pijshëm. Rreth 18 km tubacione të Ujësjellësit do të çojnë ujë të pijshëm në 1500 familje. Investimi në Ujësjellësin e Njësisë Bashkiake numër 4, i cili po kryhet paralelisht me Ujësjellësin e Njësisë Bashkiake numër 8,  vjen pas furnizimit me ujë të pijshëm të 60 mijë banorëve të zonës së Kodrës së Priftit dhe Kodër-Kamzës.
“Në përfundim të këtij projekti dhe të tri projekteve të tjera, dy prej të cilëve janë në përfundim e sipër dhe njëri sapo ka nisur, ne brenda vitit garantojmë ujin në 95 për qind të territorit të Bashkisë së Tiranës dhe jemi në rrugë të mbarë që 100 për qind e Bashkisë së jetë e mbuluar me furnizimin me ujë brenda 3 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, siç edhe kam premtuar”,  tha kryebashkiaku Lulzim Basha gjatë inspektimeve të këtyre punimeve.
Pas marrjes së aksioneve të saj të Ujësjellës-Kanalizimeve, një premtim i bërë nga Basha në fushatë elektorale po avancohet çdo ditë me përmbushjen e përgjegjësisë që administrata e re e Bashkisë së Tiranës mori përsipër, furnizimin me ujë të të gjithë banorëve të Tiranës.
 “Menjëherë pas marrjes së aksioneve të Ujësjellës-Kanalizimeve, një proces i cili kishte mbetur peng për disa vite, Bashkia e Tiranës mori përgjegjësitë për furnizimin me ujë të qytetarëve të Tiranës. Sot i qëndrojmë premtimit tonë dhe avancojmë ditë për ditë për të përmbushur objektivin tone:furnizimin e pandërprerë me ujë të pijshëm të gjithë qytetarëve të Tiranës kudo që ndodhen”,  tha Basha.
Në përputhje me angazhimet e Bashkisë për të krijuar sa më shumë mundësi stazhi për të rinjtë e Tiranës, është edhe përfshirja në zbatimin e këtij projekti  të  20 studentëve  të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.
“Ky projekt jo vetëm që do t’u ofrojë mundësinë e stazhit këtyre 20 studentëve por më të mirëve do t’u ofrojë mundësinë e punësimit drejtpërdrejtë në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës”,- shtroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›