E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmendet PS, kushtëzon votën e popullit për imunitetin

08-08-2012 / Gazeta 55

Propozimi mbi referendumin për heqjen e imunitetit ka trazuar amatorët që mbushin selinë e PS-së, të cilët s’po dinë ç’t’i këshillojnë humbësit në krye të PS-së. Prej dëshpërimit ka ardhur edhe teza e çmendur e kushtëzimit të votës së popullit, me propozime që kthejnë pushtetin e nomenklaturës enveriste. Kupola edviniste shfaqet e gatshme të bëjë çdo gjë, mjaft që të mos heqë dorë nga imuniteti që i mban si të pandëshkueshëm

Kushte mbi kushte po ngrihet muri që ndan Shqipërinë nga integrimi në Bashkimi Europian. Politika shqiptare u përball me një “kusht” të dhënë në formë rekomandimi për heqjen e imunitetit nga ana e Komisionit për zgjerim të Bashkimit Europian. E miratoi në parim dhe nen për nen draft-ligjin për kufizimin e imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë si një proces bashkëpunimi  mes Partisë Demokratike dhe asaj socialiste. Mirëpo kur erdhi puna për ta votuar në tërësi draftin e përbashkët (ose më saktë 90 për qind të opozitës), kreu i PS-së, Edi Rama doli në kërkesa të reja për ndryshime Kushtetuese me të thella dhe të gjëra, si kusht për ta votuar projektin e përbashkët.
Gjithashtu opozita refuzoi të votonte ditën e hënë, në një seancë të posaçme për votimin e kufizimit të imuniteti që do t’i jepte një mesazh pozitiv Brukselit në prag të përgatitjes përfundimtar të raportit të Progresit.
Ndërsa kryeministri Berisha propozoi nga foltorja  e parlamentit dhe mbledhja e djeshme e qeverisë se referendumi do të jetë zgjidhja e kësaj çështje, opozita doli në konferencë shtypi duke deklaruar 4 kushte të tjera për të bërë referendumin. Sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, duke mos fshehur kënaqësinë, u përpoq të justifikojë para medias veprimin e PS në seancën parlamentare. Deputeti Xhafaj pranoi se socialistët janë dakord edhe për nismën e Kryeministrit për zhvillimin e referendumit popullor për heqjen e imunitetit, por si zakonisht edhe këtë miratim ai e kushtëzoi me përfshirjen në të edhe propozimet e tyre për ndryshimet kushtetuese.
Padyshim vendosja e kushteve mbi një kusht, që na e kanë dhënë, aq më tepër për një kusht për të cilin është rënë dakord, është thelbësisht e papranueshme. Strategjia e opozitës për të shtuar kushte çdo rekomandimi që duhet të përkthehet në një reformë është një mënyrë për t’i bërë bisht përgjegjësisë. Dhe duke mos pasur guximin për të dalë ballazi për ta kontestuar qoftë dhe referendumin popullor, atëherë Rama po përdor një strategji të vjetër: vë një sërë kushtesh edhe për referendumin ashtu siç bëri për të bllokuar votimin e kufizimit të imunitetit.
Padyshim opozita ka gjetur si vijë sjellje politike një spërdredhje qëndrimesh, qoftë përballë ndërkombëtareve e qoftë përballë publikut. PS-ja dhe Rama, nuk kanë bërë asnjë përthyerje nga qëndrimi i tyre kundërshtues dhe kokëfortë, për të “zhvlerësuar” sukseset e mazhorancës nëpërmjet relativizmit të interesave të gjithë shqiptarëve. Nëse dy-tre vite më parë, mjeti që përdorte ishte bojkoti parlamentar, demonstrata të pakuptimta, bllokim rrugësh, djegie gomash dhe sulme mbi selinë e kryeministrisë, tashmë keqpërdor misionin e opozitës për motive të dobëta, në rastin më të keq shtyhet nga interesa të ngushta klanore.
L. Lita

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›