Në pritje të NATO’s
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Serbia ka pasur qëndrim jokonstruktiv ndaj vendit tonë edhe në fushën e aviacionit civil. Qasja e Serbisë është bërë edhe më destruktive pas shpalljes së pavarësisë.
Serbia me çdo kusht është përpjekur për ta penguar zhvillimin e aviacionit civil në Republikën e Kosovës.
Serbia nuk ia lejon fluturimin nëpër hapësirën ajrore serbe asnjë aeroplani që është nisur nga Kosova apo e ka destinacion Kosovën. Si pasojë, aeroplanët për në Aeroportin e Prishtinës dhe nga Aeroporti i Prishtinës janë të detyruar të fluturojnë 160 deri në 320 km më gjatë.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka deklaruar për Express se për temën e hapësirës ajrore ka pasur interesim të madh të palës serbe dhe ata kanë propozuar që të jetë në njërin prej raundeve të bisedimeve. Por, Shefja e delegacionit të Kosovës nuk ka pranuar që kjo temë të përfshihet në dialogun me Serbinë.
“Për arsye se kam pasur dëshirë që së pari të konsultojë NATO’n për këtë çështje. Prandaj, kur isha në Bruksel për raundin e dytë, unë kam qëndruar në NATO dhe kam biseduar me zyrtarët e kësaj fushe për këtë çështje. Praktikisht ne jemi marrë vesh që është NATO’ja kompetente për të vlerësuar se a mund të bisedojmë për këtë çështje”, ka thënë ajo.
Zëvendëskryeministrja thotë se NATO është në procesin e realizimit të një plani, që quhet “Plani për normalizimin e hapësirës ajrore në Ballkan”.
Secili shtet në rajon duhet të presë përfundimin e këtij projekti.
“Para se të përfundojë ky plan, tema të tilla nuk mund të hapen as midis Kosovës e Serbisë, por as në dialogët eventuale mes shteteve të rajonit. Dialogu për këtë çështje mund të adresojë vetëm disa çështje të hapësirës ajrore, sepse çështja e plotë e hapësirës ajrore është kompetencë e NATO’s. Mund të bisedohet për transportin ajror midis dy shteteve. Përndryshe fushat tjera janë ekskluzivisht fushë e NATO’s”, ka thënë Tahiri.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...