Zgjedhje me zona
Kryesuesi i Komisionit për Reforma Zgjedhore, Haki Demolli, është i bindur se amandamentimi i Kushtetutës dhe ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme do të bëhen në përputhje me Rezolutën e Kuvendit.
Demolli thotë se me ndryshimin e kornizës ligjore, Kosova do të organizojë zgjedhje më të lira dhe më të pranueshme për të gjithë qytetarët dhe faktorët relevantë.
“Duke pasur parasysh zhvillimin dhe ecurinë e përgjithshme të zgjedhjeve të dhjetorit 2010, është evidente se ky ligj duhet të pësojë ndryshime, për arsye se këto zgjedhje janë përcjellë me një numër të madh të lëshimeve dhe mangësive të ndryshme”, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve “KosovaInfo”.
Deputeti i LDK’së ka folur edhe për bashkëpunimin që Komisioni i tij do të ketë me Komisionin e udhëhequr nga deputeti i PDK’së Arsim Bajrami, për ndryshimet kushtetuese në dispozitat për zgjedhjen e Presidentit.
“Për ndryshimet lidhur mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit, sigurisht se do të ketë një koordinim ndërmjet Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës dhe Komisionit për Ndryshimin e Ligjit mbi Zgjedhjet, sepse fillimisht Komisioni për Kushtetutën duhet ta ndryshojë nenin 86, me të cilin përcaktohet procedura e zgjedhjes së Presidentit, e më pastaj komisioni tjetër ta shqyrtojë nevojën e përshtatjes së Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme me dispozitat e amendamentuara të Kushtetutës”, ka thënë Demolli.
Ai shtoi se këto ndryshime do të përfundojnë në suaza të kornizës kohore të përcaktuar nga Kuvendi.
“Duke pasur parasysh përbërjen e Komisionit, vëllimin e punëve në ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe gatishmërinë për përkrahje dhe ndihmë nga institucionet relevante dhe shoqëria civile, besoj se Komisioni brenda kësaj periudhe kohore do t’i ofrojë Kuvendit draft-ligjin mbi plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme, me të gjitha solucionet dhe alternativat e kënaqshme dhe të kërkuara”, tha ai.
Në këtë intervistë, ish-Ministri i Drejtësisë ka folur edhe për nevojën e ndarjes së vendit në disa zona zgjedhore, por, siç ka thënë ai, vendimi final për numrin e zonave do të merret në Kuvendin e Kosovës.
“Rezultatet e zgjedhjeve të fundit treguan se sistemi i zgjedhjeve me vetëm një zonë zgjedhore është sistem që nuk i kënaq nevojat dhe aspiratat e qytetarëve të të gjitha regjioneve të Kosovës. Është e ditur se në legjislaturën e katërt të Kosovës, disa komuna fare nuk kanë përfaqësues të tyre në Kuvend. Në anën tjetër, janë disa komuna, të cilat po ashtu nuk janë të mëdha, por që kanë numër të konsiderueshëm të deputetëve në Kuvend”, tha ai.
Këto janë fakte relevante dhe të mjaftueshme që, sipas Demollit, tregojnë për dobësi të konsiderueshme të sistemit të zgjedhjeve me vetëm një zonë.
Sipas tij, shumica e grupeve parlamentare janë për ndarjen në disa zona zgjedhore.
Ligji i ndryshuar zgjedhor nënkupton mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vjeshtë të vitit 2013. Sipas Demollit, ka kohë të mjaftueshme deri atëherë që vendi të përgatitë zgjedhje të rregullta.
“Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë janë paraparë që të mbahen 18 muaj pas plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit mbi Zgjedhjet, e cila kohë mendoj se është e mjaftueshme për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve fer dhe korrekte, rezultatet e të cilave do të pasqyronin vullnetin e plotë të popullit, ashtu që mandatin e deputetit në Kuvend do të fitojnë vetëm kandidatët, të cilët vërtet e kanë besimin dhe votën e numrit më të madh të elektoratit kosovar e jo kandidatët ‘e votuar’ nga komisionarët, vëzhguesit, ‘të vdekurit’, etj”.
Demolli ka shtuar se Komisioni që udhëheq do të konsultohet dhe do të kërkojë ndihmë edhe nga ndërkombëtarët për ndryshimet e nevojshme në ligjin, por, sipas tij, ndërhyrja e tyre apo imponimet nuk do të pranohen.
“Përvojat e ndërkombëtarëve në rrafshin e organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve janë shumëfish më të gjëra sesa ato vendore, andaj përkrahja dhe ndihma e tyre në drejtim të sajimit të një ligji sa më të mirë të mundshëm do të jetë më se e mirëseardhur.
Por, ndërhyrje në punën dhe rezultatin përfundimtar të Komisionit nga ana e ndërkombëtarëve në formë të imponimit jam i sigurt se nuk do të ketë dhe nuk do të jetë i pranueshëm nga Komisioni”, tha ai.