Në protestën e 122-të, thirrje për studentët dhe të rinjtë: “Ejani në shesh, të rrëzojmë këtë qeveri”

Protesta e 122-të kundër qeverisë është shoqëruar me thirrje drejtuar të rinjve dhe studentëve për t’iu bashkuar tubimit.
Aktivisti Ilir Xhemalaj iu drejtua veçanërisht studentëve, duke i ftuar të bëhen pjesë e protestës dhe të bashkohen me atë që e cilësoi si “sheshin e revoltës”.
“Në një vend si Franca ku këta studentë kanë çdo gjë të siguruar dhe askush nuk u lejon të largohen nga vendi ata sërish ngrihen. Këtu përse nuk kanë dalë studentët akoma. Le të vijnë, ky shesh është për ata… Ndaj ftesa ime sot është për të gjithë ata shqiptarë që kanë në vena gjak shqiptari të vijë këtu dhe të rrëzojmë këtë qeveri të korruptuar.
Kjo protestë i ka thënë hallet e shqiptarëve, por ne duhet të japim vizionin e Shqipërisë së re, e një Shqipërie të lirë, të lirë nga korrupsioni, nga padrejtësitë dhe nga çdo kërcënim që bëhet për një vend pune… Ku familjet të kenë të drejtë të kenë shtëpinë e tyre.
Do t’ju bëja thirrje të gjithëve të mos e lëmë këtë shesh. Ky kryeministër që është sot në detyrë ka frikë. Po të ishte trim do të jepte dorëheqjen dhe do përballej me drejtësinë. Por herët apo vonë ka për të qenë para bankës së të akuzuarve dhe do të japë llogari për çdo akt tradhtie. Dhe akti më i madh i tradhtisë është shpopullimi”, tha Xhemalaj.
Gjatë protestës ka folur edhe profesori Lush Susaj, i cili solli në vëmendje një dëshmi që, sipas tij, lidhet me presionin politik ndaj studentëve dhe të rinjve në shkolla e universitete.
Susaj tha se kishte takuar një student që kishte drejtuar protestën studentore të viteve 2018-2019 dhe se ai i kishte rrëfyer se ishte penalizuar me nota pas pjesëmarrjes në protestë.
“Zoti i nderoftë studentët. Takova tani një student që drejtoi protestën e 2018-2019. Më tha: ‘Profesor, më kanë masakruar, më kanë ulur në nota’. Kjo është dhuna politike mbi shkollat dhe universitetet”, u shpreh Susaj.
Profesori kritikoi gjithashtu kolegët e tij që, sipas tij, ndërtojnë karrierën duke ushtruar presion ndaj studentëve dhe nxënësve.
“Zoti i turpëroftë hordhitë e profesorëve që bëjnë karrierë në kurrizin e studentëve. E dija që atëherë, kështu u mbyt protesta studentore, që t’i kushtonte Shqipërisë 7 vite dhunë”, deklaroi ai.
Në vijim, Susaj e cilësoi protestën aktuale si një zhvillim të rëndësishëm për vendin, ndërsa u bëri thirrje mësuesve dhe pedagogëve të mos ushtrojnë presion politik mbi të rinjtë.
“Kjo protestë është më e mira që i ka ndodhur vendit. Çdo mësues e profesor, i bëj thirrje: mos iu lëpini partisë, mos guxoni të bëni presione mbi nxënësit dhe studentët”, tha Lush Susaj.
Sponsorizuar
Ndërkohë, gazetari Osman Stafa u ndal te ato që ai i cilësoi si skandalet dhe problematikat më të rënda të shtetit shqiptar.
Stafa ngriti pikëpyetje lidhur me komunikimet e pretenduara mes drejtueses së SHISH-it dhe një personi që, sipas tij, po hetohet nga SPAK-u për lidhje me një grup të strukturuar kriminal. Ai ngriti gjithashtu pyetje mbi ndikimin që, sipas tij, mund të kenë individë të caktuar në vendimmarrjen dhe tenderat publikë.
Në vijim, Stafa përmendi edhe disa prej çështjeve që kanë qenë objekt debatesh publike ndër vite, duke përmendur projektin e “Kopshtit Eden”, satelitët dhe inceneratorët.
Gazetari u bëri thirrje qytetarëve që të mos e shohin protestën vetëm përmes përkatësive politike.
“Jemi mësuar dhe kemi dëgjuar që në Shqipëri ndodhin shumë skandale. Aq shumë sa njëri mbulon tjetrin. Por skandali më i frikshëm është kur drejtuesja e SHISH komunikon me persona që hetohet nga SPAK si grup i strukturuar kriminal dhe një person që është më i fuqishëm se një ministër, zv.ministër apo edhe kryeministër.
Një person që përcakton se kujt do t’i takojnë tenderat. Kush ia jep pushtetin një individi që përcakton se ku do të shkojnë paratë e shqiptarëve. Si mundet një person që është shtyllë e shtetit shqiptar si SHISH të ketë komunikime me një individ që dyshohet si grup i strukturuar kriminal. Me bekimin e kujt?
Me bekimin e një individi që në 4 mandate u thotë shqiptarëve nuk u kam vjedhur. Po Kopshti Eden për çfarë u duhet shqiptarëve 4.3 mln euro? Po satelitët, po inceneratorët që kryeministri i ka mbrojtur, por sot nuk ka.
Këto janë paratë e shqiptarëve. Qytetarë, është momenti më i rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Qytetarët të dalin përtej partive dhe të kërkojnë të bëjnë betejën e tyre për të ndryshuar të ardhmen”, deklaroi Stafa.
Protesta vijoi me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshim politik, ndërsa nga folësit u përsëritën kritikat ndaj korrupsionit, emigracionit, presionit ndaj të rinjve dhe mënyrës së funksionimit të institucioneve shtetërore.a.b