Ne qershor barnat 5.5 me shtrenjte

Qeveria vendosi Tatim mbi Vlerën e Shtuar për medikamentet për herë të parë në masën 10 për qind dhe ky vendim hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në muajt shkurt dhe mars, menjëherë pas vendosjes së TVSH-së, pati një rritje të çmimeve të medikamenteve me 8.3 dhe 8.8 për qind në krahasim me një vit më parë.
Në qershor, inflacioni i këtij grupi u ngadalësua në 5.5 për qind. Qeveria pati premtuar se vendosja e TVSH-së nuk do të shkaktonte rritje çmimesh për shkak se kostoja shtesë do të amortizohej në zinxhirin e tregtisë.
Por ky skenar doli i pavërtetë. Nga ana tjetër, megjithëse çmimet u rritën, shumica dërrmuese e shqiptarëve përfitojnë nga skema e rimbursimit të ilaçeve e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Shpenzimet e kësaj skeme gjatë këtij viti janë rritur me rreth 11 për qind dhe për gjashtëmujorin e parë qenë 12.9 miliardë lekë.
Në këtë pikë, duket se reforma në tregun e ilaçeve thjesht sa ka nxjerrë paratë nga njëri xhep i buxhetit të shtetit për t’i futur në xhepin tjetër.