Në seancën e parë të Kuvendit marrin pjesë edhe familjarët e viktimave të 21 janarit. Mark Nika: Presim drejtësi nga Rama
Mark Nikës, xhaxhait të një prej viktimave të demonstratës së 21 janarit, shpirti do ia kishte dashur të mos ishte përballur me Sali Berishën, së paku jo deri në ditën kur të jetë në bankën e të akuzuarve.
Por, me bashkëvuajtës si ai, ka qenë i ulur në lozhat e parlamentit, ku pasditen e sotme ka nisur punimet legjislatura e XIX e Kuvendit të Shqipërisë.
Në krah të nënës dhe vëllait të Hekuran Dedës, fëmijëve të Ziver Veizit, Anës dhe Klajdit, djalit të Faik Myrtajt, xhaxhai i Aleks Nikës ka marrë pjesë në këtë seancë, për të cilin duket se protokolli i Partisë Socialiste është treguar fort i kujdesshëm. Të afërmit e 4 viktimave, të një prej protestave me të fuqishme të së majtës, janë ftuar për të qenë pjesë në seancën ku socialistët legjitimuan mazhorancën qeverisëse me Edi Ramën kryeministër.
Si për të thënë që socialistët nuk harrojnë të shkuarën dhe se 21 janarit do të jetë sfida e tyre qeverisëse, familjarët e viktimave të 21 janarit janë ftuar për të zënë vend në lozhat e sallës së Kuvendit, dhe pse për minuta të tëra u është dashur të përballen me njerëz, të cilët prej tyre janë akuzuar si autorë të kësaj masakre në bulevard.
Për gazetën TemA, xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, ka vlerësuar ftesën për të qenë pjesë e seancës së parë parlamentare, dhe pse i është dashur të përballet më vrasësit e nipit të tij.
Fakti që ne jemi ftuar në këtë seancë, dëshmon më së miri se kjo forcë politike nuk ka harruar ditën kur janë vrarë njerëzit tanë më të shtrenjtë. Është një gjest fisnik, megjithëse ne presim që kjo qeveri, dhe sidomos Edi Rama, të mbajë premtimin dhe të zbardhë autorët e vrasës së Aleksit dhe tre burrave të tjerë në bulevardin përballë kryeministrisë ku ishte Sali Berisha. Ne presim që kryeministri Rama të vërë drejtësi, thotë Mark Nika./l.ç
Të pranishëm në seancë
1. ALMA RREDHI – E shoqja e Ziver Veizit
2. KLAJDI VEIZI – Djali
3. ANA – VEIZI – Vajza
4. MAMUDE MYRTAJ – E shoqja e Faik Myrtajt
5. RENATO MYRTAJ – Djali
6. ISUF MYRTAJ – Kushëri
7. DUDE DEDA – E ëma e Hekuran Dedës
8. ZABIT DEDA – Vëllai
9. ILMI DEDA – Vëllai
10. MARK NIKA – Xhaxhai i Aleks Nikës
11. RAJMONDA NIKA – E shoqja e Aleksit
12. ADELA NIKA – Motra e Aleksit