E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne tifozët që përfaqësojmë Juventusin në Shqipëri

Përfaqësuesi juventin në Tiranë tregon se grupi i tyre do njihet zyrtarisht nga Juventusi

Çdo të diel në gazetën Tirana Observer, do të gjeni rubrikën Tifozi shqiptar, që do tu dedikohet tifozëve që kanë ngritur fan clube për ekipet e tyre të zemrës, ku ata janë shumë të përfaqësuar në rrjetin social Facebook. Sot do të lexoni intervistën e tifozit juventin Agron Merepeza. Është vetëm 17 vjeç, por njeh tërë historinë e Juventusit, duke hyrë shumë mirë tek grupimet ultras. Merepeza është një ndër përfaqësuesit e grupimit juventin në Facebok, i quajtur Këtu mblidhen juventinat. Merepeza tregon se shumë shpejt ata do të ngrejnë shoqatën zyrtare të tifozëve juventinë në Shqipëri që do të njihet edhe nga ekipi i Juventusit. Ai shpjegon se edhe mënyrat se si juventinët shqiptarë mund të bëhen pjesë e shoqatës. Merepeza tregon emocionet e të qenit juventin, organizimet që zhvillojnë dhe kujtimet e tij për Juventusin.

 

542233_268075243275889_56135231_nJu jeni themelues i grupimit të tifozëve Këtu mblidhen juventinat në Facebook, pse e krijuat këtë faqe dhe si iu lindi ky pasion për këtë ekip?

Krijuesi i faqes Këtu mblidhen gjithë JUVENTINAT është shoku im i ngushtë Kristian Çela. Këtë faqe e administrojmë unë, Kristiani dhe tre adminat e tjerë Fabio Prevazi, Xhoni Banushi dhe Xhoi Selamaj. Pasioni për këtë ekip më lindi teksa shikoja Del Pieron dhe Pavël Nedved duke luajtur ne fushën e gjelbër dhe që prej asaj dite e kam adhuruar shumë Juventusi.

Sa kohë keni që bëni pjesë në këtë grupim?

Kam rreth tre vjet që jam pjesë e faqes Këtu mblidhen gjithë JUVENTINAT, kurse grupimin e kemi krijuar para dy viteve.

Më tregoni diçka për mënyrën e si funksionon, sa anëtarë që jeni, si veproni?

Çdo gjë kryhet me rregull si në faqe po ashtu edhe tek eventet qe organizojmë. Në faqe jemi pesë admina dhe secili ka orarin e tij që duhet të merret vetëm me faqen. Kurse tek eventet jemi 10 organizatorë. Secili ka detyrat e veta dhe çdokush deri më tani i ka plotësuar më së miri.

Mbrëmja e ndeshjes më e veçantë që ju keni krijuar?

Mbrëmja me e veçantë për mua ka qenë vitin e kaluar. Ndeshja në fazën e dytë me Milanin. U organizonim tek Metropolitani ne Bllok dhe ishim bërë me shumë se 450 juventina. Ajo mbrëmje ka qenë me te vërtetë emocionuese dhe madhështore. E dhe pse po humbnim 0-1 te gjithë vetëm këndonim dhe besonim shumë tek skuadra. Në momentin e golit të shënuar nga Matri nuk mbaj mend asgjë sepse mu hodhën te gjithë sipër dhe as golin nuk arrita ta shikoja.

Ndonjë plan për të udhëtuar në Juventus Stadium, për të ndjekur ekipin tuaj të zemrës?

Vitin tjetër do të jemi dhe ne atje sepse po krijojmë shoqatën e tifozëve e cila do të njihet zyrtarisht nga FC JUVENTUS.

Për tu bërë pjesë e këtij grupimi çduhet bërë?

Tani që po krijojmë shoqatën e tifozëve zyrtarë, çdokush mund të bëhet pjese e jona duke paguar një shumë parash prej 20 eurosh, shumë kjo e cila është e vendosur nga klubi i Juventusit, pasi do te njihemi si tifozë zyrtar dhe do marrim kartonin e tifozit.

483563_10200155338020814_1544717839_nSi është një mbrëmje normale kur ju të gjithë mblidheni për të parë një ndeshje?

Nuk mund ta quaj një mbrëmje normale, sepse është një mbrëmje e mbushur plot me emocione. Në këto 90 minuta që ne jemi të gjithë bashkë harrojmë gjithçka jashtë Juventusit, dhe vetëm këndojmë.

Më thuaj ndonjë tifoz të veçantë dhe VIP që është pjesë e grupimit tuaj…

Deri tashmë nuk kemi patur ndonjë person VIP tek eventet tona ,por shpresojmë që me krijimin e shoqatës së tifozave te afrohen sa më shumë ,pasi ka shumë personazhe VIP që janë tifoza te “dashuruar” me Juventusin, siç është z. Kastriot Çaushi,z. Enkel Demi dhe z. Bamir Topi.

Nuk ndihesh në siklet kur takon të tjerë tifozë shqiptarë që habiten me ty që bën kaq shumë punë për të mbështetur një ekip të huaj dhe nuk përkushtohesh tek skuadrat shqiptare?

Shumë persona ma bëjnë këtë pyetje. Unë nuk ndihem aspak në siklet pasi me Juventusin jam rritur dhe nuk mund ta heq nga zemra. Ne fakt përkushtohem edhe tek një skuadër shqiptare e cila është FK PARTIZANI dhe jam pjesë e grupimit ULTRAS GUERRILS.

Idhulli yt në futboll?

Idhulli im është Erjon Bogdani por nuk mund te harroj dhe pesë besnikët e Juventusit. Gianluigi Buffon, Mauro Camoranesi, Pavel Nedved, David Trezeguet dhe Alessandro Del Piero.

Futbollistit i ekipit të zemrës që ke bërë një fotografi, apo ke një fanellë?

Me Erjon Bogdanin kam bërë fotografi, kurse me të përmendurit e tjerë akoma.

Momenti futbollistik që të ka ngel më shumë në zemër?

Lamtumira e Del Pieros, moment i paharruar.

Sakrifica më e madhe që ke bërë për ekipin?

Deri tani nuk kam bërë ndonjë sakrificë, pasi jam dhe larg.

Po plani i radhës sa i përket grupimit?

Plani i radhës është festimi i kampionatit në ndeshjen e fundit, por edhe anëtarësimet të cilat kanë filluar dhe në gusht përfundojnë. Po në këtë muaj do të njihemi zyrtarisht nga FC JUVENTUS.

Grupimi juaj i pranon vajzat, sa është numri i tyre si anëtare dhe a janë aktive?

Dhe grupimi jonë si çdo grupim tjetër i pranon vajzat.N ë mesin e organizatorëve është dhe një vajzë. Në organizimet e fundit kemi parë se numri i tyre është shtuar ndjeshëm dhe shpresojmë te shtohen akoma më shumë.

Si grupim ju ka ndodhur që të keni konflikte me grupimet e tjera shqiptare të tifozerive? Apo paqja është pjesë e filozofisë tuaj për të bërë tifozllëk?

Konflikte kemi vetëm me interistat. Në çdo ndeshje që organizohemi kur përballen Juventus-Inter, kemi patur konflikte

Si dhe kur mund të antarësohen juventinët shqiptarë në shoqatën tuaj të tifozave?

Që të antarësohen në këtë shoqatë duhet të kenë me vete një mjet identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti) dhe të paguajnë shumën prej 20 eurosh. Anëtarësimet bëhen të shtunën nga orën 13:30 deri më 15:30 dhe të dielën nga ora 15:00 deri në 17:00. Anëtarësimet bëhen tek Piramida në Tiranë.

Cilët janë iniciatorët e tjerë për krijimin e kësaj shoqate tifozash?

Iniciatorët e tjerë janë: Andia Fule, Eltis Buzra, Benard Pjetra, Kristian Çela, Silvester Bilali, Beliamino Hitolari dhe Fjoralb Saliko.

Një mesazh të fundit për të gjithë tifozët e ekipit tuaj…

Mesazhi im për juventinat është që të vijnë dhe të anëtarësohen ne shoqatën e tifozëve pasi sezonin e ardhshëm do të jemi edhe ne në Juventus Stadium.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›